Një video e minatorëve në Kongo duke dalë nga një minierë e shembur po shitet në rrjet si pamje nga një minierë kobalti për bateritë. Kjo narrativë po përdoret për të sulmuar përkrahësit e energjisë së pastër. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se pamjet nuk janë nga një minierë kobalti, por nga një minierë ari.

—————————————-

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon një video që tregon disa punëtorë miniere duke shpëtuar kolegët e tyre nga çfarë duket si një minierë e shembur. Kjo video shoqërohet me pretendimin se “minierat e parregulluara punësojnë mijëra punëtorë që nxjerrin kobalt për bateri, kështu që “ENERGJIA ZERO” mund të “arritet” dhe idiotët e ngrohjes globale të ndihen mirë.”

“Faktoje” vendosi të verifikojë këtë pretendim duke parë fillimisht ku ishte postuar video për herë të parë, me anë të një kërkimi me motorin e kërkimit të imazheve Tineye.

Nga ky kërkim, rezultoi se video ishte vërtet në Republikën Demokratike të Kongos. Por, sipas Reuters, minatorët e treguar në video po dalin nga një minierë e shembur ari, jo kobalti, siç pretendojnë postimet në rrjete sociale. Mesa duket duhet të fajësojmë të gjithë mbajtësit e një unaze apo varëseje floriri për këto pamje të mjerueshme të minatorëve ilegalë në Kongo. 

Artikulli i Reuters, i cili e ka verifikuar këtë video, pohon se minatorët shpëtuan nga një minierë ari

Megjithatë, sipas një raportimi nga NPR, bateritë me rikarikim që përdoren tek telefonat celularë, laptopët, dhe makinat elektrike përdorin vërtet kobalt të nxjerrë nga minatorë që punojnë në kushte gati-skllavërore në Republikën Demokratike të Kongos. Këta minatorë nganjëherë përfshijnë edhe fëmijë. Industria e nxjerrjes së kobaltit është tejet e dëmshme dhe për ambjentin e këtij shteti, i cili edhe pse i pasur me pasuri minerare nuk mundet të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe kontroll të territorit të tij.

Republika Demokratike e Kongos (RDK) është ndër vendet më të pasura me burime në planet me rezerva ari, tantali, tungsteni dhe kallaji (të llogaritura në vlerën e 24 trilion dollarëve amerikanë), të gjitha minerale të përdorura në elektronikë si telefonat celularë, laptopë, si dhe bateritë e mjeteve elektrike. 

Historia e RDK është e shënuar nga konfliktet etnike të përgjakshme. Pasi fitoi pavarësinë nga administrimi belg në vitin 1960, vendi ra nën regjimin tiranik të presidentit, Mobutu duke u kthyer në një nga shtetet më të varfëra në botë. 

Në vitet ‘90-të, ndërsa vendet e tjera afrikane nisën rrugën e demokracisë dhe zhvillimit, RDK u përball me luftërat e përgjakshme etnike, të cilat shkaktuan mbi 3 milionë viktima dhe shkatërrim. Paqja e brishtë e monitoruar nga OKB që prej vitit 2003, nuk i ka dhënë fund milicive dhe grupeve rebele të armatosura, të cilat përdorin fitimet nga shitjet e mineraleve të nxjerra ilegalisht në zonat e kontrolluara prej tyre për të blerë armë dhe rritur fitimet e tyre.   

ShBA miratuan legjislacionin në vitin 2010 për të reduktuar blerjen e “mineraleve të konfliktit” dhe për të parandaluar financimin e milicive të armatosura, por zinxhirët komplekse të furnizimit në biznesin e shitjes së mineraleve e kanë bërë të vështirë për kompanitë kontrollin e plotë të certifikimit. Si rezultat, kompanitë shumëkombëshe kanë ndaluar zyrtarisht blerjen e mineraleve nga RDK, duke lënë pa punë shumë minatorë dhe madje duke i shtyrë disa të bashkohen me grupet e armatosura për të fituar një burim jetese.