BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitNë Shkodër po shmanget mjeku i familjes, ata që dyshojnë për Covid, ‘dynden’ në spital

Në Shkodër po shmanget mjeku i familjes, ata që dyshojnë për Covid, ‘dynden’ në spital

ANILA DUSHI

Ndërsa ka nisur përhapja në masë e virusit Covid-19, në Shkodër vërehet një tendencë e komunitetit për t’iu drejtuar spitalit rajonal, në vend që të kontaktojë mjekun e familjes. Prej shfaqjes së pandemisë e deri sot, rezulton të jetë prekur nga Covid mbi 50% e stafit mjekësor dhe ‘dyndja’ e personave që dyshojnë se kanë virusin po e rrit më shumë ekspozimin e tyre ndaj rrezikut të prekjes. Sipas epidemiologes, tashmë në Shkodër mund të flitet për përhapje komunitare të virusit dhe hapja e shkollave ka pasur ndikimin e saj në këtë fenomen.


Situata e Covid-19 në Shkodër, i cili vazhdon të jetë qyteti i tretë në vend për numrin e të infektuarve, ka sjellë pasoja në sistemin shëndetësor, veçanërisht në spitalin rajonal, që është institucioni kryesor shëndetësor në gjithë veriun e vendit.

Sipas kreut të sindikatës së pavarur të shëndetësisë në Shkodër Paolo Kaceri, i cili punon si kryeinfermier në spitalin rajonal, rreth 50% e personelit spitalor është prekur nga Covid-19.

Paolo Kaceri, kreu i sindikatës së pavarur të shëndetësisë në Shkodër

“Shumë prej anëtarëve të personelit mjekë, infermierë, sanitarë e personel ndihmës, janë prekur, por jo të gjithë e kanë deklaruar. Ato që kanë qenë me simptoma më të lehta kanë ndenjur të veçuar, me masa mbrojtëse ose kanë qëndruar disa ditë në shtëpi, duke marrë mjekim dhe duke gjetur justifikime për mosparaqitjen në punë. Ka prej tyre që i janë nënshtruar mjekimit, madje dy mjekë të pavionit të Patologjisë kanë qenë në gjendje të rënduar. Një mjeke pensioniste, e cila çdo ditë ka qenë e pranishme në ambjentet e spitalit, ka gjetur vdekjen.”- thotë Kaceri për “Faktoje”.

Sipas nëndrejtorit të Spitalit Rajonal Shkodër, mjekut Agustin Suma, nga personeli prej 720 personash i këtij spitali, të infektuar me Covid, janë 73 persona të konfirmuar nga analizat përkatëse.

Agustin Suma, nëndrejtori i Spitalit Rajonal Shkodër

Ervin Troshani, shef i repartit të urgjencës në Spitalin Rajonal Shkodër, është i pari mjek nga ky spital që është infektuar me Covid-19.

Ervin Troshani, shef i repartit të urgjencës në Spitalin Rajonal Shkodër

Lidhur me këtë Troshani shprehet:

“Ditët e para ishte stresuese, sepse njeriu mendon për pjesën tjetër të familjes. Por ata dolën negativë, ndërsa unë kam qëndruar i izoluar për 25 ditë, me mjekim. Nuk kam qenë në gjendje të rëndë, por me simptoma dhe gjithçka shkoi mirë”.

Nga ana tjetër paniku ka përfshirë popullatën e Shkodrës dhe një nga treguesit është numri në rritje i personave që kërkojnë ndihmë në Urgjencën e Spitalit të referuar nga 127-ta ose mjekët e familjes.

Nga të dhënat zyrtare të Prefekturës së qarkut të Shkodrës mësohet se deri më 25 tetor rezultojnë 938 persona të identifikuar me Covid-19, në rrethin e Shkodrës.

NJVKSh, Shkodër:

Konfirmojnë se sot kemi 3 raste të reja

– Bashkia Shkodër – 3

– Bashkia Vau Dejës – 0

Nr. gjithsej i personave Covid-19 deri në këto momente – 938

– Bashkia Shkodër 885

– Bashkia Vau Dejës 53

Nr. i personave pozitiv aktiv – 128

– Bashkia Shkodër – 128

– Bashkia Vau Dejës – 0

Nr. i të shëruarve – 744

– Bashkia Shkodër – 696

– Bashkia Vau Dejës – 48

Numri i vdekjeve 

-Bashkia Shkoder 48 COVID19 dhe 13 me Covid por diagnozë tjetër

– Bashkia Vau Dejës 5

Nr. i personave që monitorohen nga NJVKSH dhe Mjeku i Familjes – 128

– Bashkia Shkodër – 128

– Bashkia Vau Dejës – 0

Të shtruar në spital total – 0

– 0 Bashkia Shkodër.

– 0 Bashkia Vau Dejës

Sot janë marrë 17 tampone, si raste të dyshuara.

Aktualisht kemi 16 mësues  Covid pozitiv.

– 2 nxënës Covid pozitiv

*Të dhënat e prefekturës Shkodër për infektimet me Covid-19

 

Nëndrejtori i spitalit rajonal thekson se vërehet dyndje e personave që dyshojnë se janë prekur nga Covid në spital, pa u konsultuar më parë me mjekun e familjes, i cili është i pari që duhet të kontaktohet.

“Mjeku i familjes është ai që duhet t’i drejtohesh për çdo shqetësim. Të gjithë mjekët e familjes u kanë vënë në dispozicion banorëve të zonës që mbulojnë, numrin e tyre të telefonit.

Pastaj vazhdohet me protokollin përkatës. Vërehet se shumë nga ato që kanë shqetësime vijnë drejtpërdrejtë në spital.”- thotë nëndrejtori Agustin Suma.

Edhe shefi i urgjencës Ervin Troshani konfirmon se shumica e personave që vijnë në spital, nuk janë konsultuar më parë me mjekun e familjes për simptomat që shfaqin. Kjo shmangie përbën rrezik si për pacientin ashtu edhe për personelin spitalor.

“Çdo person që ka simptoma që dyshon se i përkasin Covid-19, duhet t’i drejtohet mjekut të familjes, të tregojë simptomat. Shumë nuk i tregojnë sepse frikësohen nga paragjykimet. Pasi paraqiten në urgjencë ata vlerësohen nga mjeku reaminator ose infeksionist, sipas gravitetit të situatës dhe adresohet zgjidhja. Por i pari duhet të jetë mjeku i familjes”- këmbëngul Troshani.

Brenda spitalit në Shkodër

Një mjeke familjeje pohon se ka patur raste kur pacienët i janë drejtuar spitalit pa kontaktuar me të më parë.

“Në zonën që mbuloj kam 700 të sëmurë kronikë me kartela, ndërsa numri i banorëve është i madh. Kam patur 5 raste kur persona me shenja të Covid-19 i janë drejtuar spitalit dhe unë kam marrë dijeni kohë më vonë nga DSHP që koordinon gjithë situatën. Mirë do ishte të kontaktohet për çdo problem i pari mjeku i familjes, por kjo është zgjedhja e tyre.”-thotë ajo për “Faktoje”.

Brenda spitalit në Shkodër

A.C., është një prej personave që në panik e sipër, ndërsa bashkëshortja kishte shqetësime të ngjashme me ato të Covid-19, e dërgoi atë menjëherë në spital.

“Kisha gruan që nisi të shfaqë shqetësime të ngjashme me ato që dëgjonim se ishin të Covid_19. Ajo punon në një ndërmarrje fasonerie dhe aty kishte disa gra që dolën me Covid-19, ndaj u alarmova. E dërgova menjëherë tek urgjenca e spitalit ku më tërhoqën vëmendjen pse nuk kam komunikuar me mjekun e familjes. U thashë se nuk desha të vonohem pasi ka patur raste kur vonesat kanë sjellë pasoja fatale. Megjithatë ato i matën temperaurën dhe plotësuan kartelën që e pa infeksionistja dhe pastaj vendosen t’i bënin skaner. Pas kësaj u bë dhe tamponi. Nuk pati nevojë të shtrohej në spital, mori mjekimin, qëndroi e izoluar në banesë dhe gjithçka shkoi mirë”.

Një tjetër banor në një fshat të Shkodrës, tregon se ka patur vëllanë me shqetësime dhe nuk i telefonoi mjekut të familjes, por e çoi në spital.

“Këtë e bëra për dy arsye. Nuk besoj shumë në aftësinë e mjekut të familjes që mbulon fshatin tonë. Një shok që pati babanë e sëmurë, i telefonoi mjekut të familjes dhe ky i tha izoloje dhe jepi paracetomol për 3-4 ditë pastaj më trego. Por babai i tij i moshuar ditën e tretë pati përkeqësim, u dërgua me urgjencë në spital dhe që andej në Tiranë ku nuk ia doli dot dhe vdiq. Këto më shkuan në mendje dhe ndaj iu drejtova menjëherë spitalit.”-tregon ai.

Sipas kryenfermierit Paolo Kaceri ka mjaft qytetarë që zgjedhin rrugë të tjera pa ardhur në spital duke u trajtuar nëpër klinika private ose me anë të njohjeve të tyre marrin mjekim nga mjekë të ndryshëm. Kjo ndodh kur nuk kanë përkeqësim të infeksionit. Ka patur raste kur pacientët janë identifikuar me Covid-19 pa bërë tamponin apo skanerin, pasi kanë shfaqur simptoma të pangatërrueshme.

Sipas një vlerësimi të drejtorit të Spitalit Rajonal Shkodër, Ardian Dajti, pacientët e infektuar nga koronavirusi, shfaqin tashmë shenja më të lehta klinike krahasuar me muajt e parë të përhapjes së pandemisë. Por për rastet e rënduara dërgimi në Tiranë, është i pashmangshëm.

Ardian Dajti, drejtorit i Spitalit Rajonal Shkodër

“Rastet e shfaqura janë më të lehta, jo në format agresive të dy a tre muajve të parë. Por ne ndeshemi me rezistencë të të afërmve të të sëmurëve që nuk duan të shkojnë për trajtim mjekësor në Tiranë, atëherë kur rastet janë më serioze. Dërgimi në Tiranë është mënyra më e mirë, më e saktë e mundshme për trajtimin e sëmundjes. Format e lehta mjekohen edhe në shtëpi. Spitali i Shkodrës nuk do të kthehet në spital Covid, për aq kohë sa spitalet në Tiranë përballojnë kapacitetet dhe trajtimi i pacientëve të infektuar është më i specializuar.”-thotë Dajti.

Në Shkodër, me hapjen e shkollave u shënua një numër i konsiderueshëm të prekurish nga Covid, sidomos mes mësuesve. Epidemiologia Dhurata Hysa, mjeke pranë NJVKSH (Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor) tha për “Faktoje” se janë 16 mësues të identifikuar me Covid, por në gjendje jo të rëndë, dhe dy nxënës.

Dhurata Hysa, mjeke epidemiologe

Gjatë muajit shtator pati një rënie të numrit të prekurve me Covid-19 në Shkodër, ndërsa tetori paraqitet më problematik, pasi ndikojnë edhe temperaturat që kanë pësuar rënie dhe kjo favorizon përhapjen e virusit, sipas specialistëve.

“Në 20 ditët e para të tetorit ka patur rritje të numrit të transmetimeve. Gjatë kësaj periudhe janë bërë 641 testime, përfshirë edhe ritestimet” -konfirmoi epidemiologia Hysa për “Faktoje”.

Ajo u tërheq vëmëndjen qytetarëve shkodranë të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë protokollin e vendosur nga Ministria e Shëndetësisë.

“Tani nuk kemi më vatra, por është transmetim komunitar. Personat simptomatikë janë evidentë në të gjithë institucionet apo në jetën e përditshme, por ajo që është thënë nuk po zbatohet. Nëse respektohet distancimi fizik dhe mbahet maska, jo vetëm në ambjentet e jashtme, por edhe në ato familjare, shanset për t’u infektuar mund të jenë edhe zero”-  thotë ajo.

Por zbatimi i masave parandaluese nga individët rezulton i ulët. Në spitalin rajonal raportohet për mbi 50 persona të dyshuar si mbartës të virusit çdo ditë, por pas testimit, zyrtarisht numri i të infektuarve është mesatarisht 10-14 persona.

Epidemiologia Dhurata Hysa më herët ka thënë për “Faktoje” se gjurmimi në muajt e parë të shfaqjes së pandemisë ishte i shpejtë, por dendësia e popullsisë, prej 7 mijë banorësh për km2 dhe neglizhenca nga ana e qytetarëve për respektimin e masave parandaluese, solli një numër të lartë të infektuarish me Covid në muajt që vijuan.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img