BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitPandemia penalizoi personat me aftësi të kufizuara, platforma për terapinë online mision i pamundur

Pandemia penalizoi personat me aftësi të kufizuara, platforma për terapinë online mision i pamundur

BARDHA NERGJONI

Izolimi në banesë gjatë muajve të karantinës dhe gjithë kufizimet e tjera që ajo solli, patën pasoja për mijëra persona me aftësi të kufizuar. Vetëm në qytetin e Elbasanit, ku rezultojnë mbi 26 mijë persona me aftësi të kufizuara, përfshirë edhe invalidët e punës, shumë individë mbetën pa terapitë e domosdoshme apo ndihmën e kujdestarëve. Për fëmijët autikë dhe aftësi të tjera të veçanta, shpëtimi ishin prindërit që u kthyen në terapistë, ndërsa platformat online për të ndihmuar këtë kategori, rezultuan një dështim.


Shumë pak është bërë për t’u siguruar njerëzve me aftësi të kufizuara udhëzimet dhe mbështetjen e nevojshme për t’i mbrojtur ata gjatë pandemisë së Covid-19, edhe pse shumë prej tyre janë pjesë e grupit me rrezikshmëri të lartë.  Masat për të parandaluar infeksionin, të tilla si distancimi shoqëror dhe izolimi, mund të jenë të pamundura për ata që mbështeten në ndihmën e të tjerëve për të ngrënë, veshur dhe larë.” – tha ekspertja e OKB Catalina Devandas Aguilar, në mars të këtij viti, kur sapo ishte shpallur pandemia nga koronavirusi.

Ndërkohë një studim i realizuar nga dy studiuese të universitetit të Prishtinës mbi ndikimin e pandemisë tek fëmijët me aftësi të kufizuar tregon efektet negative të kësaj periudhe:

“Gjetjet e studimit tregojnë se periudha e pandemisë, e ndërlidhur me izolimin në shtëpi, mungesën e socializimit, ndryshimin e rutinës ditore dhe mungesën e shërbimeve, kanë ndikuar në mënyrë negative në gjendjen emocionale të fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke kontribuar në ngarkesë dhe stres të prindërve”.

Fëmijë me aftësi të kufizuara duke mësuar

Çfarë ndodhi me personat me aftësi të kufizuar gjatë pandemisë në Elbasan?

Elbasani ka dy qendra për trajtimin e fëmijëve të spektrit autik dhe një shkollë speciale për fëmijët me aftësi të kufizuara. Në këto tri institucione marrin shërbim rreth 150 fëmijë të moshave nga 3 deri në 18 vjeç.

Gjatë kohës së kufizimeve të pandemisë shërbimet në të tre institucionet u ndalën dhe fëmijët nuk e morën trajtimin me terapitë e zhvillimit, aq të domosdoshme për ta. Prindërit, të gjendur përballë kësaj situate u detyruan të bënin edhe “terapistin” për fëmijët e tyre.

Drejtuesja e Qendrës së Fëmijëve me nevoja të veçanta Fatma Spahiu thotë për “Faktoje”:

“Situata e vështirë dhe e papritur e vetizolimit i gjeti të gjithë të papërgatitur dhe aq më tepër ne, pasi në Shqipëri nuk ka profesionistë për përdorimin e platformave elektronike apo online për trajtimin e fëmijëve. Nuk kemi ende një platformë elektronike të aksesueshme për profesionistët dhe prindërit e fëmijëve me aftësi të veçanta, kur për fëmijët në shkolla kjo gjë po zgjidhet.

Përpjekjet për të pakësuar dëmet e pandemisë kanë qenë të mëdha, sipas Spahiut dhe ndërkohë që terapia online rezultoi e pamundur, angazhimi i prindërve për mbushjen e kohës së fëmijëve ishte një arritje.

“Ne i kemi këshilluar prindërit, por jo detyruar, të kthehen në terapistët e fëmijëve të tyre. Unë vetë si nënë e një fëmije autik, me trajnimet që kam marrë edhe jashtë vendit dhe me një eksperiencë shumëvjeçare në kryerjen e terapive, theksoj është shumë e vështirë që prindërit t’u bëjnë fëmijëve terapi të mirëfilltë. Çdo prind që ka dashur të merret dhe të kontrollojë fëmijën ka gjetur mënyrën për t’ia mbushur kohën”-shprehet Spahiu.

Nga pyetësorë të ndryshëm që janë kryer me prindër të fëmijëve autikë, ka rezultuar se nevojat më të mëdha të tyre gjatë izolimit nuk kanë qenë tek terapia, por një orientim i mirë se çfarë mund të bëjë një prind me fëmijën gjatë kohës së karantinës.

Përballë pandemisë qendrat janë ndeshur me shumë sfida për rikthimin e fëmijëve në terapi. Udhëzimi për qendrat ditore të terapive ka dalë nga fundi i qershorit duke dhënë edhe dy forma të terapisë fizike dhe online, por në asnjë rast shembuj konkretë se si kjo mund të realizohej.

Fëmijë me aftësi të kufizuara duke mësuar

Vetë qendrat u detyruan të zgjidhin shumë pikpyetje me ndihmën e prindërve. Kështu rregulli i vendosjes së maskës, dezinfektimi, heqja e këpucëve, larja e duarve ishin kushte për fëmijët e kësaj katgorie që të pranoheshin në terapi, pas përfundimit të muajve të krantinës.

Miranda ka një fëmijë të spektrit autik. Ajo udhëton nga fshati çdo ditë për ta sjellë fëmijën e saj në shkollën speciale “Zëra Jete”.

“Gjatë kufizimeve të pandemisë kemi pasur shumë vështirësi. Ne duhet të punonim ndërkohë që fëmija nuk mund të dilte dot përtej oborrit të shtëpisë. Duhet t’i lija të gjitha dhe të qëndroja me të për ta ndihmuar të kryente nevojat personale, për të luajtur, për të gjetur mënyra argëtuese që të mësonte disi mësimet ose të mos harronte ato gjëra që kishte mësuar. Ishte një lodhje e shumëfishtë dhe në shtëpi mungonte baza materiale, që zakonisht i vjen në ndihmë në ambjentet e shkollës. Po kështu mungesa e parave ishte një problem i madh, kërkesat e fëmijës ishin të mëdha për ta mbajtur të angazhuar.  Duhej blerë bazë materiale që kushton. Ato muaj i konsideroj si periudhën më të vështirë e shpresoj të mos përsëritet pasi ndihma online për stadin e fëmijëve tanë, është një gjë e pamundur.” – thotë Miranda për “Faktoje”.

Vështirësitë për personat me aftësi të kufizuar u shtuan ndjeshëm gjatë pandemisë dhe nisnin nga mungesa e kujdestarëve, kufizimi i lëvizjes, rritja e shpenzimeve, mungesa e një pakete qoftë edhe informuese për këtë kategori.

Elida Çela drejton Shoqatën e të Verbërve në qarkun e Elbasanit. Ajo ka kufizime në shikim dhe gjatë karantinimit është ndihmuar dhe mbështetur nga familjarët e saj, por këtë mundësi nuk e kanë të gjithë personat e verbër.

“Problem ka qenë situata ekonomike që u përkeqësua gjatë vetizolimit, pasi familjarët jo vetëm që nuk patën mundësi të punonin, por as nuk u paguan më shumë edhe pse shërbimi ndaj meje apo edhe të gjithë atyre në situatën time, ishte më i zgjatur dhe asistenca nuk ishte vetëm fizike, por edhe psikologjike e morale”-thotë Elida.

Elida Çela, drejtuese e Shoqatës së të Verbërve në Elbasan

Ajo thekson se për personat me aftësi të kufizuara nuk pati ndonjë paketë të veçantë mbështetjeje, program të veçantë informimi, vëmendje të veçantë shëndetësore dhe as një angazhim për punësim, nisur nga problemet ekonomike që u bënë edhe më shqetësuese pas karantinës.

“Shteti duhet të paguajë punonjës, që në periudha të tilla të vështira t’u shërbejë  individëve me aftësi të kufizuar me bërjen e pazareve, për të përmbushur nevojat personale si: të bërit dush, të ushqyerit, të gatuarit etj, pasi shumë kujdestarë u “zhdukën” ose nuk pranonin t’i shërbenin këtyre personave nga frika e infektimit”-thotë Elida për “Faktoje”.

Mimoza Buzo me aftësi të kufizuara në shikim edhe pse ka një profesion, e ka shumë të vështirë të gjejë punë veçanërisht në kohën e pandemisë. Ajo thotë se ka mbaruar një kurs dyvjeçar si edukatore fëmijësh të moshës 0-3 vjeç dhe punësimi do të ishte zgjidhje e problemeve ekonomike. Edhe pse 43 vjeç dhe kryefamiljare, Mimoza nuk ka shumë shpresë për punësim, ndërkohë që shpenzimet këto kohë u shtuan.

“Përgjithësisht për shkak të vështirësive në shikim, pjesën më të madhe të kohës e kaloj në shtëpi, kështu që kufizimet nuk është se kanë ndikuar shumë psikologjikisht. Fatmirësisht kam familjen që ka bërë blerjet për mua, por njoh shumë persona me aftësi të kufizuar që e kanë pasur të nevojshme asistencën, pasi kujdestarët janë tërhequr në shumicë për shkak të frikës së infektimit”.

Nga të dhënat e siguruara nëpërmjet shoqatës MEDPAK, Elbasani numëron 12,954 persona me aftësi të kufizuar. Ndër to me përfitim kujdestarie janë 2484. Të verbër gjithsej janë 1651 ndërkohë me përfitim kujdestarie janë 347. Numrin më të madh e zënë personat me paaftësi mendore dhe fizike gjithsej 10,544 nga të cilët me përfitim kujdestari janë 1435.

Ndërkohë kategoria e invalidëve të punës numëron 11,206 persona. Numri total i regjistruar, përfshirë dhe invalidët e punës është 26, 644 persona.

Vetëm bashkia Elbasan ka 11 mijë persona me aftësi të kufizuara ku përfshihen të verbër, para/tetraplegjikë, me aftësi të kufizuara mendore, autizëm dhe invalidë pune.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img