BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitRimbursimi i recetës Covid? “Bëhet fjalë vetëm për 1400 lekë dhe shumë peripeci për ta përfituar”

Rimbursimi i recetës Covid? “Bëhet fjalë vetëm për 1400 lekë dhe shumë peripeci për ta përfituar”

ESMERALDA KETA

Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se do të rimbursojë kostot e trajtimit të pacientëve me Covid në kushte shtëpie, por mjekët e familjes janë skeptikë. Për protokollet e trajtimit që u ka dërguar Ministria e Shëndetësisë, ata shpjegojnë se gjithë kjo “zhurmë” bëhet vetëm për një recetë 1400 lekë të reja. Kjo shumë është qesharake, pasi kostoja reale që po paguajnë aktualisht mijëra qytetarë me Covid-19, që ndiqen në kushte shtëpie, është disa herë më e madhe.


Xhulja është një 24-vjeçare e shëndetshme, pa sëmundje të tjera, por po përballet prej ditësh me Covid-in në kushte shtëpie. Nuk e ka të thjeshtë të bëjë një llogari se sa i kanë kushtuar kurat e deritanishme.

“Nuk kisha një fazë të rëndë, por ama çfarë nuk kam pirë. Mund të kem shpenzuar një 300 mijë lekësh (të vjetra) deri më tani. Pjesa më e madhe kanë qenë vitamina apo medikamente për dhimbjen e kokës dhe të trupit.” – na thotë 24-vjeçarja.

“Pa llogaritur se sa kam shpenzuar për dietën ushqimore, e cila normalisht në këtë situatë ka një rëndësi të veçantë” – shton ajo.

“Përgjigjen e tamponit e mora pas 8 ditësh, ndërkohë që aktualisht jam në ditën e 12-të të sëmundjes”- thotë Xhulja.

Ajo jeton së bashku me të motrën në Tiranë, ndërkohë që prindërit kanë emigruar në Itali. Ndonëse bën dy punë për të siguruar jetesën, në këto ditë të vështira, të gjitha faturat ia kanë marrë përsipër prindërit.

Por si Xhulja janë me mijëra qytetarë që po shpenzojnë qindra mijëra lekë për t’u trajtuar në kushte shtëpie. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se do të nisë menjëherë rimbursimin e medikamenteve të të sëmurëve me Covid në dy fazat fillestare të tij. Se çfarë do të shënojnë mjekët e famijes në recetën e një pacienti Covid, është detajuar në një udhëzim të veçantë.

Më 17 nëntor, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi nga qendra shëndetësore nr. 4 në Tiranë, se do të rimbursohet trajtimi ambulator në banesë, përmes paketës bazë të trajtimit për simptomat e COVID-19, sipas udhëzimit të rifreskuar të mjekëve të familjes, të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

“Janë dy skema mjekimi që do të rimbursohen 100% falas, me një financim prej 1.2 miliard lekë nga qeveria shqiptare. Ky është një investim për shëndetin dhe një mbështetje më shumë për familjet, në mënyrë që të kemi mundësi, e para që të lehtësojmë familjet duke i rimbursuar nga buxheti i shtetit, por edhe për të disiplinuar protokollet e trajtimeve, që është edhe kjo është shumë e rëndësishme.” – tha Manastirliu.

Xhulja, nuk mund të përfitojë nga kjo skemë, pasi kushti për ta përfituar është përgjigja e tamponit, të cilin jo vetëm e ka marrë me vonesë, por ka rezultuar edhe negative.

“Si mund të prisja derisa të dilte përgjigjja e tamponit. Vetë mjeku, i cili punon në strukturat ku trajtohet Covid-19 më rekomandoi që në fillim të nisja trajtimin, pa më bërë ende tamponin. Kur më dhanë përgjigjen më thanë që virusi mund të ketë zbritur në rrugët e frymëmarrjes, por kjo nuk do të thotë që nuk je me Covid, ndaj u trajtova si pacientë Covid”- na tregon Xhulja.

Me rreth 15 mijë raste aktive, vetëm 412 prej tyre po marrin ndihmë të specializuar nëpër spitale. Një pjesë tjetër kanë zgjedhur të prenotojnë charter-at mijëra euro e të trajtohen në spitalet e Italisë, Turqisë apo Austrisë, ndërsa pjesa dërrmuese e të prekurve, po trajtohen në kushte shtëpie.

Ndonëse nuk ka një statistikë zyrtare sesa është numri i pacientëve shqiptarë me Covid që po trajtohen jashtë, jozyrtarisht bluzat e bardha flasin për rreth 200 persona që aktualisht po marrin ndihmë shëndetësore në Itali dhe Turqi.

Ndonëse mjeku i familjes është vënë në ballë të këtij procesi, asnjë recetë e lëshuar deri më tani për trajtimin e Covid nuk është rimbursuar, pavarësisht se në të janë të shënuara shpeshherë edhe medikamente që përfshihen në listën e rimbursimit.

Por cilët janë protokollet e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë për të cilat do të zbatohet skema e rimbursimit?

Mjekët e konsiderojnë atë skemë shumë të varfër dhe që nuk u përgjigjet kërkesave të vërteta që kanë pacientët.

“Është një protokoll që nuk u përgjigjet fare nevojave të pacientëve që po trajtojmë aktualisht në kushte shtëpie. Bazohet në vitamino-terapinë, përjashtohet në mënyrë kategorike terapia e oksigjenit në kushte shtëpie, ndërkohë që vetëm unë aktualisht po ndjek 28 pacientë që po marrin oksigjen në shtëpi. Ministria thotë që pacientët që marrin oksigjen në kushte shtëpie dërgojini në spital, e imagjinoni dot se çfarë do të ndodhte nëse të gjithë shkojnë në spital?” – na thotë një mjeke e shërbimit parësor në Tiranë.

Protokollet e mjekimit, të cilat “Faktoje” i disponon, sipas mjekëve janë shumë larg skemës që përdoret për trajtimin e një pacienti covid, ndërsa vlera e rimbursimit sipas tyre është qesharake.

Alketa Ibranji, e cila është vënë në shërbim të pacientëve Covid në poliklinkën nr. 9, nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” zbërthen kostot e skemës së protokolleve për trajtimin e Covid që u ka dërguar Ministria e Shëndetësisë.

“Stadi I: Vitaminë C 1gr/ ditë – 30 tab – 100 lekë;  Paracetamol 4 tab/ ditë ose 20 tab për 10 dite = 200 lekë;  Shurup kolle kur ka kollë – 1fl për 10 ditë = 200 lekë; Trisol kur ka diarre –  nuk hyn ne kategorine medikament. Kosto rimbursimi 500 lekë/ 10 ditë trajtim.

Stadi II: Azitromicine 500mg – 3 tab = 400 lekë; Levofloxacinë 500mg – 7 tab = 600 lekë; Medrol 4mg – 8mg / ditë duke filluar nga dita 6-7 me temperature. 20 tab = 200 lekë; Aspirinë 100mg – 1 tab – 10 tab = 100 lekë.  Në 90% të rasteve, mjafton terapia e parë për të asistuar pacientin në këtë lloj viroze. Pra 90% e pacienteve do ndihmohen nga shteti me 500 lekë medikamente.

Sipas këtij udhëzuesi të Ministrisë së Shëndetësisë, pacienti që përdor medikamentet më të shtrenjta i kushton taksapaguesve:

Stadi I – 500 lekë + Levofloxacinë – 600 lekë + Medrol – 200 lekë+ Aspirine – 100 lekë= Totali1400 lekë të rinj.”- shkruan doktoresha në statusin e saj.

Ajo e konsideron qesharake këtë skemë që nuk ndihmon aspak në trajtimin e vërtetë të pacientëve.

“Të ndiqej kjo skemë, do ulej morbiditeti dhe mortaliteti? Për 1400 lekë / person subvencion kemi vuajtur? Të ndiqej kjo skemë, spitali do ishte një zgjedhje për pacientin dhe nuk do ishte e nevojshme hapja e spitaleve Covid 3 dhe 4?

Për 1400 lekë / personi rimbursim kemi shpenzuar kaq shumë si taksapagues? Të ndiqej kjo skemë, Turqia nuk do i merrte konsumatorit/ pacientit shqiptar 40,000 euro/personi?” – shtron me të drejtë disa pyetje ajo.

Mirëpo vendimi i qeverisë, i miratuar më datë 18 nëntor, ka një tjetër faturë rimbursimi që varion nga 1600 lekë të reja deri në 11 mijë lekë të reja maksimumi.

“Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1.650 lekë; ndërsa vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10.900 lekë” – thuhet në vendimin e qeverisë të botuar në Fletoren Zyrtare dhe që hyn në fuqi menjëherë.

Por jo të gjithë mund të jenë me fat e të përfitojnë nga skema. Vendimi i qeverisë ka vendosur si kriter për përfitimin e rimbursimit, rezultatin pozitiv të tamponit, ndërkohë që në vendin tonë po zhvillohet një debat i madh për vonesën e tejzgjatur të përgjigjes së tij.

“Mjeku i familjes, për personat e testuar pozitivë për Sars-Cov-2 (të konfirmuar nga institucionet shëndetësore publike përgjegjëse), në përputhje me formën e sëmundjes dhe indikacionet e përcaktuara në udhëzuesin e miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, lëshon recetën me rimbursim, sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.” – thuhet në këtë vendim, duke i ulur edhe më shumë pritshmëritë për përfitimin e rimbursimit të pacientëve Covid.

Dritan Ulqinaku, nëndrejtor i Instituit të Shëndetit Publik, i pyetur për “Faktoje”, nëse do të njihet tamponi kryer në privat dhe çfarë do të ndodhë në rastet kur përgjigja e tamponit vonon, shpjegon se kjo është një sfidë edhe për ta.

“Do të përfitojnë nga skema të gjithë ata që kanë tampon pozitiv, qoftë në sistemin publik, qoftë në atë privat. Sa i përket vonesës së përgjigjes së tamponit, kjo është një sfidë për të gjithë ne, por që të përfitojë nga skema duhet të ketë një kriter. Në këtë rast kriteri është përgjigja pozitive e tamponit, në të kundërt mund të ketë abuzime e çdokush të përpiqet të përfitojë.”- sqaron Ulqinaku.

Sa i përket skemave të mjekimit, ndryshe nga mjekët e familjes që kanë kundërshtime, ai thotë:

“Nuk mund të ketë debate për këto skema, që janë miratuar nga një komitet ekspertësh dhe normalisht ata kanë bërë më të mirën. Përtej kësaj skeme, çdo pacient duhet t’i drejtohet spitalit, ashtu siç përcakton udhëzimi.” – përfundon Ulqinaku.

Gazmend Koduzi, kreu i departamentit të shëndetësisë në Partinë Demokratike, duke komentuar skemën e rimbursimit të shpallur nga qeveria për pacientet Covid, thotë:

“Ai nuk është protokoll, është thjesht një udhëzues. Që do të thotë se i udhëzon mjekët i familjes se mund të përdorin këtë apo atë medikament. Çdo gjë është amulli. Ky është një udhëzues me vitamino-terapi që vlen për të rinjtë, por nuk ka një protokoll si do të trajtohet ai që ka diabet, si do të trajtohet ai që ka tension. Ky është protokolli që duhet!” – thotë për “Faktoje” mjeku Koduzi.

“Edhe receta, edhe vlera e rimbursimit janë qesharake. Janë thjesht demagogji. Shkoni e shikoni se çfarë ndodh tek mjeku i familjes. Aty po luhet drama e vërtetë e Covid”, – shton ai.

 

Por edhe nëse gjithçka ecën sipas parashikimeve, jashtë skemës do të mbeten me qindra pacientë të cilët kanë shenja, mjekët i trajtojnë për Covid, por tamponi iu del negativ.

“Sa të dalë përgjigjja e tamponit pozitiv deri në plotësimin e kritereve të përfitimit të rimbursimit, ka marrë Covid-i dhénë. Mos o Zot të dalë tamponi negativ cfarë do bëhet”, – thotë mjekja Ibranji, e cila gjithsesi mendon se do të jenë vetë pacientët që sërish do të paguajnë nga xhepi kostot e kësaj sëmundjeje.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një konferencë për shtyp shpjegoi se si do të funksionojë skema e recetës me rimbursim.

“Do të mund ta përfitojnë të gjithë, si pacientët e siguruar si ata që nuk janë të siguruar. Mjeku i familjes, në bazë të përgjigjes së tamponit, vendos cilin stad të mjekimit do t’i fillojë dhe me këtë recetë mund të shkojë në farmaci, e cila është plotësisht e rimbursueshme. Vlera e rimbursimit e paketës së barnave për të dy skemat e mjekimit është 125 dollarë.” – tha Manastirliu.

Ajo shpjegoi se pacienti nuk ka nevojë të shkojë fizikisht në qendër shëndetësore për përfitimin e paketës, por duke u lidhur me mjekun e familjes, nëpërmjet sistemeve të shëndetësisë elektronike, i gjithë procesi është online dhe një familjar mund të tërheqë barnat në farmaci me kodin e recetës.

Po sa kushton një recetë Covid aktualisht?

Alba, farmaciste në Tiranë na vë në dispozicion me dhjetra receta që i vijnë çdo ditë nga pacientë të ndryshëm me Covid.

“Sipas një llogarie që bëjmë bazuar mbi recetat që na vijnë, një stad fillestar i sëmundjes shkon diku tek 30 mijë lekë të reja për një javë, ku përfshihen antibiotikët, vitaminat C dhe D, paracetamol, mbrojtës stomaku, oksimetër, ndërkohë që nëse sëmundja rëndohet, atëherë doza e medikamenteve rritet”, – thotë Alba për “Faktoje”.

Në këtë faturë sigurisht nuk është përfshirë as seti i analizave (5600 lekë të reja), grafi (3 mijë lekë të reja) apo skaner (12 mijë lekë të reja), që në shumicën e rasteve këta pacientë i kanë të nevojshme dhe për të gjitha i drejtohen shërbimit privat. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, një pacient Covid qëndron në skemë mesatarisht 14-20 ditë dhe shpenzimet variojnë nga 50-120 mijë lekë të reja për një stad fillestar të sëmundjes. Shifër kjo shumë larg recetës me rimbursim që ka miratuar Ministria e Shëndetësisë.

Ndonëse është ende herët për të folur për shifrën e rimbursuar deri më sot, pasi ka kaluar vetëm një ditë nga nisja e këtij procesi, në farmacitë ku u interesua “Faktoje” ende nuk kishte mbërritur një recetë e tillë.

“Jo, është ende shumë shpejt. Të shohim gjatë ditëve që do të vijnë”- na thonë farmacistët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img