BallinaFaktometerPa kategori(Pa)Barazia gjinore, gruaja e penalizuar në tregun e punës

(Pa)Barazia gjinore, gruaja e penalizuar në tregun e punës

Çështjet e barazisë gjinore janë gjithmonë të pranishme në shoqërinë shqiptare si dhe ne atë globale për shkak të sfidës së përhershme që paraqet fuqizimi i rolit të gruas. Një vit më parë kryeministri Rama, i ftuar si folës për barazinë gjinore, shprehej se Shqipëria çmohej botërisht si shembull pozitiv për hapat para në drejtim të barazisë gjinore. Si është situata sot në vendin tonë? UNFPA prezantoi javën e kaluar një raport që hedh dritë mbi këtë problem i cili vijon të jetë i pranishëm në vendin tonë.


Në shtator të vitit 2019, pak më shumë se një vit më parë, kryeministri Rama ishte i ftuar në Global Business Forum si folës për barazinë gjinore. Kryeministri u shpreh se Shqipëria vlerësohej në nivel botëror për hapat para drejt barazisë gjinore.

Gjatë javës së kaluar, më 16 dhjetor, UNFPA prezantoi një raport mbi çështjen e barazisë gjinore, “Analizën së Politikave të Përgjegjshme Gjinore për Familjen në Shqipëri”, të përgatitur nga IDRA Research and Consulting. Raporti shfaq disa aspekte në të cilat pabarazia ndërmjet të dy gjinive vijon të jetë e pranishme dhe të paraqesë problem veçanërisht mbi pozicionin ekonomik të gruas. Ky fakt u theksua nga zonja Eglantina Gjermeni, kryetare e Nënkomisionit për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas, si dhe pjesë e panelit gjatë këtij prezantimi:

“Sfida e radhës mbetet fuqizimi ekonomik i grave “.

Por cilat janë disa nga aspektet kryesore që ky raport nxorri në pah?

Lindshmëria 

Analiza e prezantuar nga UNFPA vë në dukje që kemi një rënie të lindshmërisa, si asaj të dëshiruar, ashtu edhe asaj aktuale. Nga viti 2008 deri në viti 2018, lindshmëria ka rënë me 0.2. Lindshmëria ideale e vitit 2018 është 2.4, ndërsa numri aktual i lindjeve në vendin ton është vetëm 1.4, ku hendeku është me 1 fëmijë. Si numri i dëshiruar, ashtu edhe numri aktual i lindjeve ka rënë përgjatë periudhës kohore 2008-2018. Një tjetër fakt shqetësues është pozicionimi nën mesataren europiane për sa i përket lindshmërisë. Gjatë vitit 2018, në Shqipëri ka qenë 1.37 fëmijë për grua, ndërkohë që në vendet e Europës 1.55 fëmijë për grua.

Marrë nga raporti i UNFPA

Arsimimi dhe lidhja e saj me lindshmërinë

Në raport vihet re se më shumë vajza të gjeneratës së re, përkatësisht të grupmoshave nga 25 deri në 39 vjeç ndjekin arsimin e lartë në krahasim me grupmoshat 40-64 vjeç si dhe 65 vjeç e sipër.

Marrë nga raporti i UNFPA

Ky është një faktor pozitiv pasi niveli arsimor ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në ekuilibrin mes numrit ideal të dëshiruar dhe numrit aktual të lindjeve. Sa më i lartë të jetë niveli arsimor i vajzave, aq më i afërt është numri i lindjeve që ato përjetojnë me numrin e lindjeve të dëshiruara.

Marrë nga raporti i UNFPA

Aspekt negativ është fakti se numri i vajzave që mbarojnë vetëm arsimin e detyrueshëm (shkollën 9v-eçare) vijon të mbetet i lartë, me rreth 42% të tyre.

Punët e papaguara 

Gratë bëjnë më shumë punë të papaguara gjatë jetës, me diferencë të konsiderueshme ndërmjet dy gjinive. Përqindja e grave që bëjnë punë të papaguar është më shumë se dyfishimi i meshkujve për të njëjtën grupmoshë, për pjesën më të madhe të jetës së tyre. Ky fakt vjen në rritje me kalimin e moshës dhe njeh ulje vetëm pasi mbi moshën 65 vjeç.

Marrë nga raporti i UNFPA

Ky fakt është i vërtetë si kur gratë dhe burrat janë pa fëmijë, ashtu edhe kur bëhen prindër. Në momentin që janë me fëmijë, hendeku ndërmjet burrave dhe grave zgjerohet edhe më tej, duke e rritur në mënyrë të konsiderueshme diferencën mes punës së paguar dhe punës së papaguar.

Marrë nga raporti i UNFPA

Kjo ndarje pabarabartë e punëve të shtëpisë dhe përkujdesjes ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në tregun e punës. Shpërndarja e pabarabartë i mban gratë jashtë tregut të punës dhe kufizon mundësitë për përparim në karrierë.

Marrë nga raporti i UNFPA

“Punësimi i gruas është i domosdoshëm për zhvillimin e vendit, dhe asnjë vend nuk ka luksin për të humbur forcën e gruas nga sektori i punësimit. Për këtë arsye kërkohet një angazhim edhe më i mirë, qoftë nga sektori i shtetit, i qeverisë, por edhe nga sektori privat të punësimit që përbën pjesën më të madhe të punësimit të forcës në punë.” – u shpreh zonja Elsona Agolli, analiste e Programit për Çështje Gjinore dhe të Popullsise në UNFPA, gjatë fjalës së saj si pjesë e panelit më 16 dhjetor.

Marrë nga raporti i UNFPA

Hendeku gjinor në paga dhe pensione

Raporti i UNFPA vë gjithashtu në dukje se mes burrave dhe grave ka gjithashtu një diferencë si për sa iu përket pagave, ashtu edhe për pensionet. Gratë marrin përkatësisht:

-paga 7% më të ulëta se burrat

-pensione 20% më të ulëta se burrat

Kjo është vetëm një mesatare dhe sipas këtij raporti, hendeku gjinor në paga ka gjasë të jetë edhe më i madh për punët që kanë pagesë më të ulët.

Marrë nga raporti i UNFPA

Çfarë impakti kanë politikat për sa iu përket çështjeve të barazisë gjinore?

Gjatë fjalës së saj si pjesë e panelit, zonja Gjermeni shprehet:

“Politikat që janë më miqësore, më të përgjegjshme nga ana gjinore për sa i përket familjes për çdo shtet garantojnë jo vetëm pjesëmarrje më të ekuilibruar të të dy gjiinive në tregun e punës dhe në jetën publike, sigurojnë zhvillim më të qëndrueshëm, rrisin në fakt dhe motivojnë pjesëmarrjen e të dy gjinive, dhe kënaqësia dhe satisfaksioni i këtij zhvillimi është i barabartë, si për gratë edhe për burrat”.

Pavarësisht përmirësimit të legjislacionit dhe implementimin e strategjive në favor të përmirësimit të çështjes së barazisë gjinore, zonja Gjermeni është ndalur edhe në çfarë ndodh në realitet në shoqërinë shqiptare:

“Kemi vështirësi, edhe për hir të mentalitetit, edhe për hir të kohës së kufizuar që kanë gratë për tu angazhuar në jetën publike dhe në jetën profesionale, edhe n.q.s. janë të angazhuar në këtë jetë publike, ky emancipim dhe kjo pjesëmarrje jo gjithmonë është shoqëruar me faktin që brenda familjes këto ekuilibra janë rikrijuar”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img