BallinaFaktometerPa kategoriDashamir Shehi: Pas ndërtimit të sheshit të ri në Tiranë, ajri është dy herë më i ndotur

Dashamir Shehi: Pas ndërtimit të sheshit të ri në Tiranë, ajri është dy herë më i ndotur

INVA HASANALIAJ

Tirana vazhdon të mbetet një nga qytetet më të zhurmshme të Shqipërisë, por gjithashtu edhe një nga qytetet me ajrin më të ndotur të vendit. Përqindja më e madhe e njerëzve jeton në zonat ku përqëndrimet e grimcave të imëta të ambientit tejkalojnë normat sipas Udhëzimit të Cilësisë së Ajrit, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Gjatë një interviste për emisionin “Real Story” në datën 31/05/2018 kryetari i LZHK-së Dashamir Shehi deklaroi: Sipas OBSH-së ajri në sheshin e Tiranës është dy herë më i ndotur pas ndërtimit të sheshit të ri’’.

Pas kësaj deklarate “Faktoje” kontaktoi me OBSH-në për të mësuar nëse ka një studim specifik për sheshin”Skënderbej”.

Konkretisht kemi kërkuar raportin për nivelin e ndotjes së ajrit në qendrën e sheshit “Skënderbej” në qytetin e Tiranës nga viti 2013-të deri në vitin 2017-të.

Përgjigjja që morëm pas kësaj kërkese ishte ky link https://gateway.euro.who.int/en/ i cili të drejtonte në faqen e OBSH-së por që nuk paraqiste asnjë studim apo statistikë për të cilat ishim të interesuar. Nuk dimë të themi nëse kjo përgjigje ishte një shenjë përtese apo neglizhence apo nëse ka të bëjë me mungesën e informacionit specifik që kërkuam. Megjithatë, edhe pse nuk morëm asnjë përgjigje konkrete, vazhduam kërkimet mes statistikave dhe raporteve e mbërritëm në përfundimin se matja e cilësisë së ajrit nuk bëhet për zona specifike të kryeqytetit.

Nisur nga fakti i sipërpërmendur vendosëm të kontaktojmë me institucione të tjera për të mësuar nëse ka një studim specifik për këtë tematikë. Kërkesa vazhdoi të ishte e njëjta.

Fillimisht kontaktuam me Ministrinë e Shëndetësisë por pa marrë asnjë përgjigje. Pritëm edhe pas afatit të tejkaluar sipas ligjit, por ky institucion nuk reagoi në anjë lloj forme.

Institucioni i dytë ishte Instituti i Shëndetit Publik i cili po ashtu nuk na ktheu asnjë përgjigje, as për të thënë nëse kanë apo jo të dhëna për këtë çështje. Agjensia Kombëtare e Mjedisit ishte i vetmi institucion i cili ktheu përgjigje. Përmes një e-maili zyrtar ata dërguan zyrtarisht këtë link  http://www.akm.gov.al/cil%C3%ABsia-e-mjedisit.html#raporte_publikime i cili përmbante Programet Kombëtare të Monitorimit të Mjedisit nga viti 2015-të deri në 2018-të.

Megjithatë asnjë prej Programeve nuk përmbante të dhëna për cilësinë e ajrit specifikisht për qendrën e Tiranës.

Nga kërkimet tona rezulton se është e vështirë të gjenden të dhëna për cilësinë e ajrit në qendër të Tiranës për të verifikuar nëse deklarata e Dashamir Shehit është apo jo e vërtetë. Nisur nga ky fakt “Faktoje” vendosi ta kategorizojë deklaratën e dhënë prej kreut të LZHK Dashamir Shehi “PA KATEGORI”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img