Nxënësit e shkollës “Karl Gega” në Balldren mësojnë si të dallojnë ‘fake-news’

Nga Faktoje - 27 Tetor, 2021

Pas trajnimit teorik nga ekspertët e edukimit mediatik dhe artit vizual, të rinjtë e shkollës “Karl Gega” në Balldren ushtruan në praktikë njohuritë e marra në lidhje me identifikimin e lajmeve të rreme. Ekspertët Enkelejd Llanaj, Elira Çanga, Eno Milkani dhe ekipi i H.A.N.A, partneri në zbatim i projektit “Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perendimor dhe Turqi”, me zbatues kryesor organizatën mediatike Faktoje.al , udhëhoqën nxënësit, duke marrë shembuj konkretë e duke i konvertuar në lajme sipas mësimeve të marra se çfarë e përbën një lajm sipas standarteve të gazetarisë profesionale.

Takimi me të rinjtë e shkollës ‘Karl Gega’ në Balldren 

Ky projekt po i udhëheq të rinjtë drejt marrjes së iniciativës dhe këto ushtrime praktike po ndihmojnë të mprehin intuitën rreth mënyrës si konceptohet e përpunohet një lajm apo komunikatë informuese për audiencën jashtë grupit të tyre.

Ajo çka po synohet dhe po ballafaqohen shpesh, veçanërisht gjatë seancës në fjalë, është ngritja e një redaksie mediatike gjysëm-profesionale apo qytetare në mesin e tyre si një formë për të përcjellë komunikime rreth çështjeve me interes komunitar tek bashkëmoshatarët e tyre. Projekti, përmes ekspertizës në fushën respektive, po e bën të qartë mbështetjen mentoruese hap pas hapi ndaj të rinjve  për përmbushjen e këtij qëllimi.

Takimi me të rinjtë e shkollës ‘Karl Gega’ në Balldren 

U theksua vazhdimisht që, ndroja e komplekset e të mos eksploruarit më parë të kësaj mundësie duke shfrytëzuar talentet e tyre në komunikim, nuk duhet të jetë pengesë që ata ta provojnë e mbushin kohën e lirë me një hobi që mund të rezultojë shumë më tepër se kaq në të ardhmen e tyre.

Këtë herë, ata u fokusuan tek ngritja në praktikë e një lajmi përmes informacionit që disponojnë e i rrethon në përditshmërinë e tyre. Në takimin e radhës, ata do të mësojnë si shoqërohet praktikisht lajmi me ndihmën e elementeve audio-vizivë si foto ose/dhe video.

Organizata Fact Checking Faktoje dhe ekipi i H.A.N.A, po zbatojnë projektin “Edukimi mediatik në

komunitetet lokale në Shqipëri” në kuadër të PËRBALLJE: Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar
lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor
dhe Turqi.

Ky botim u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është
përgjegjësia e vetme e organizatës Faktojes dhe jo domosdoshmërisht pasqyron opinionin e Bashkimit
Europian.’