Përse emigrojnë shqiptarët?

Migena Qokaj

Antoni, është një burrë rreth të pesëdhjetave, me një pamje të qetë e thuajse të pashqetësuar e shikim të përhumbur disi. Pyetja që i bëj sikur e rikthen në realitet.

  • Je i kënaqur me jetesën në Shqipëri?
  • Jo!
  • A dëshiron të ikësh apo të qëndrosh këtu?
  • Jo, nuk mendoj se kam të ardhme në këtë vend.
  • Pse? Cilat jane arsyet?
  • Ka shumë, por ekonomia është një prej tyre.

Ai duket i bindur se emigracioni do ta ndihmojë të ketë një jetesë më të mirë.

Në fillim të viteve ’90 shqiptarët donin të jetonin në Europë, tani në fillim të viteve 2020 ata duan të jetojnë si evropianë. Eksodi i shqiptarëve gjatë viteve të para të tranzicionit kishte në qendër të tij personat me arsim të ulët dhe të papunë, por nxitësit e emigracionit vitet e fundit kanë ndryshuar.

Shëndetësia, shkollimi, shërbimet shoqërore dhe në përgjithësi përmirësimi i cilësisë së jetës janë bërë kërkesa kryesore që motivojnë edhe emigrimin. Të rinj që dëshirojnë të largohen, të sapodiplomuar që kërkojnë punë jashtë vendit janë tashmë kategoritë kryesore të emigracionit.

Një valë të re emigrimi paralajmërojnë të dhënat e Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilantëve (EASO), teksa raportojnë se rreth 12.000 shqiptarë kanë aplikuar për herë të parë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, vetëm për periudhën janar-korrik 2019. Veç tyre, 2000 shqiptarë të tjerë kanë tentuar rishtazi për ta fituar këtë status.

Përse emigrojnë shqiptarët?

Një situatë e tillë i ka nxitur sociologët, psikologët dhe ekpertët e ekonomisë të hulumtojnë mbi arsyet e këtij largimi masiv. Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, bën përgjegjës standartin e ulët të jetesës, nivelin e lartë të papunësisë, si dhe nivelin e ulët të pagave, sipas tij më e ulta në rajon. Duke iu referuar Institutit te Statistikave ai shton se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2019, ishte 51.531 lekë.

“Ky largim tregon pasigurinë e tyre për të ardhmen”, vlerëson psikologia Arjana Muçaj, e specializuar në psikologjinë sociale. “Kjo është edhe pasqyrë se si funksionon demokracia në vendin tonë, pasi respektimi i të drejtave të njeriut pothuajse nuk ekziston ose nuk vlerësohet sa duhet”.

Sipas rezultateve të anketës, 46 për qind e të anketuarve në Shqipëri po konsiderojnë të largohen nga vendi. Kjo ishte përqindja më e lartë në rajon.

Pas shqiptarëve, malazezët shfaqën dëshirën më të lartë për të emigruar me 45 për qind të të anketuarve, boshnjakët me 39 për qind, Kosova me 32 për qind, Serbia me 25 dhe Maqedonia e Veriut me 27 për qind.
Nga totali i të anketuarve nga Shqipëria, që dëshirojnë të emigrojnë, 68 për qind synojnë vende të Bashkimit Europian dhe 25 për qind Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas statistikave të fundit, Shqipëria edhe pse me një popullsi të vogël prej rreth 2.8 milion banorë është ne rang global ndër dhjetë vendet me më shumë azilkërkues. 

Organizata Fact Checking Faktoje dhe ekipi i H.A.N.A, po zbatojnë projektin “Edukimi mediatik në komunitetet lokale në Shqipëri” në kuadër të PËRBALLJE: Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.

‘Ky botim u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e organizatës Faktojes  dhe jo domosdoshmërisht pasqyron opinionin e Bashkimit Europian.’

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img