BallinaAktualitetKrujë/ Dyshimet për helmim nga uji dhe investimet në ujësjellësin e ri

Krujë/ Dyshimet për helmim nga uji dhe investimet në ujësjellësin e ri

Qindra qytetarë prej dy ditësh i janë drejtuar spitalit të Krujës, me shqetësime, të cilat përkojnë me shenja helmimi. Qytetarët kanë ngritur dyshime se helmimi ka ardhur nga uji i rrjetit. Lidhur me problematikën e ujit të pijshëm, investime në Ujësjelllësin e ri të Krujës dhe Fushë-Krujës, ka qenë dhe ndër premtimet e fushatës elektorale në vitin 2019, nga kreu i kësaj bashkie Artur Bushi. Edhe pse ujësjellësi i ri u inagurua në vitin 2021, burime nga bashkia thonë për Faktoje, se ujësjellësi i ri aktualisht është jashtë funksionit. Përsa i përket orareve të furnizimit sipas bashkisë, edhe banorët e  Fushë Krujës nuk furnizohen 24 orë.

——————————————-

370 qytetarë prej dy ditësh i është drejtuar spitalit të Krujës, me shqetësime, të cilat përkojnë me shenja helmimi. Të sëmurët janë të moshave të ndryshme, nga fëmijë e deri te të moshuar dhe nga zona të ndryshme të Krujës. Qytetarët kanë ngritur dyshime se helmimi ka ardhur nga uji i rrjetit, ndërkohë që policia e shtetit ka shkuar në spitalin e Krujës për sqarimin e rrethanave dhe zbardhje e ngjarjes.

Diten e sotme, drejtoresha e spitalit të Krujës znj. Yllka Cukalaj është shprehur se situata është nën kontroll.

“Situata është nën kontroll… Nuk kanë munguar as shtretër, as mjekë, as medikamente”

Edhe ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastriliu ka qenë sot në Krujë, ku ka deklaruar janë rreth 370 pacientë që kanë marrë shërbim, po kryhet një hetim epidemioligjik dhe se rezultati i analizave pritet të dalë pas 24-72 orësh.

“Të gjitha rastet që janë paraqitur janë paraqitur me gastroenterid. Janë marrë të gjitha mostrat dhe analizat laboratorike, janë marrë ato të ujit, janë marrë gjithashtu edhe të ushqimeve”.

Premtimi për investime në Ujësjellësin e Ri

Furnizimi me ujë dhe investimi në ujësjellësin e Krujës ka qenë një ndër premtimet kryesore të kryebashkiakut Artur Bushi në zgjedhet elektorale të vititi 2019., si një ndër projekte për të cilat duhet të punonte menjëherë pas zgjedhjeve.

Një vit pas këtij premtimi kryebashkiaku pohoi se këto projekte ishin lënë pas dore.

Ujësjellësi në Krujë dhe Fushë Krujë ishin dy projektet madhore të cilat kurrsesi nuk duhej ti linim pas dore. Në këtë moment ujësjellësi i Krujës ka përfunduar dhe është në fazën e testimit dhe kolaudimit, ndërkohë në Fushë Krujë është punuar me ritëm të lartë pune dhe është mbyllur 30% e projektit. Dy ujësjellës në një vit, janë dëshmi e punës tonë për të zgjidhur një problem jetik dhe vazhdimisht shqetësues për banorët në 2 zonat urbane të bashkisë së Krujës”, – tha Bushi.

Sipas kryebashkiakut, për herë të parë 17.500 banorë të qytetit të Krujës do të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë me burime nga 1630 m lartësi. “Ky ujësjellës është një vepër inxhinierike e shtrirë në një terren të thyer malor në vargmalet e Krujës me kilometra të tëra linjë e re dërgimi”, – shtoi Bushi

Ujësjellësi gati në 2021?

Më 27 Mars 2021, kryeministri Rama inauguroi ujësjellësin e ri të Krujës dhe deklaroi se pas këtij investimi do të furnizoheshin rregullisht me ujë të pijshëm të gjitha familjet e qytetit. Teksa afrohej pranë Ujësjellësit, Rama kërkoi një shishe apo gotë për ta mbushur dhe për ta pirë duke treguar kështu se, jo vetëm ujësjellësi i ri ishte funksional, por edhe cilësia e ujit ishte e pijshme.

*Kryeministri gjatë inagurimit të ujësjellësit

Gjashtë muaj pas këtij inagurimi të kësaj vepre madhore, qytetarët e Krujës dolën në protestë për shkak të mungesës së furnizimit me ujë.

*Banorët në protest, pamjet ABC NEWS

Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion bashkisë Krujë për të mësuar nëse aktualisht banorët e këtij qyteti furnizohen apo jo, me ujë 24 orë por ende nuk kemi një përgjigje zyrtare.

Megjithatë burime brenda këtij institucioni na informuan se gjatë verës qyteti është furnizuar vetëm me një orë ujë në ditë, ndërsa zonat dhe fshatrat përreth me një orë në dy ose tre ditë. Aktualisht qyteti furnizohet nga ujësjellësi i vjetër, për të cilin kanë nisur punimet për rehabilitimin, pasi ujësjellësi i ri është jashtë funksionit.

“Në muajin prill pavarësisht se ujësjellësi i ri u vendos në funksion për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme në këtë rrjet, uji filloi të ndërpritje dhe në shumicën e rasteve mbërrinte me ngjyrë të kuqe në tubacionet e qytetarëve. Ky ishte dhe shkaku i ndërprerjes së furnizimit nga ky rrjet”- thonë burime nga bashkia për Faktoje.

Gjatë verifikimit në terren nga bisedat me banorët, ata shprehen për Faktoje se nuk furnizohen 24 orë me ujë dhe se vijojnë të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Një ndër lagjet më problematike është ajo “Vrana Konti”.

“Gjatë verës pothuajse nuk kemi pasur ujë fare, një orë ujë në ditë. Ndodhte që edhe për dy ose më shumë ditë nuk kemi pasur ujë fare. Jemi furnizuar nga depozitat. Ujin për të pirë e kemi blerë pasi ai që vjen në tubacione është i papijshëm”-shprehet për Faktojen T.L 52 vjeç I cili përveçse jeton në këtë lagje ka edhe një biznes të vogël në këtë zonë.

Edhe në faqen zyrtare të bashkisë Krujë nuk ka asnjë informacion për sa i përket orareve të furnizimit me ujë.

*Faqja zyrtare e Ujësjellës Kanalizime Krujë

Edhe në Fushë-Krujë përsëritet e njëjta situatë për sa i përket orareve të furnizimit me ujë. Faktoje komunikoi me bashkinë e Krujës, e cila pohoi se banorët e kësaj njësie nuk furnizohen me ujë 24 orë.

 

*Pjesë nga përgjigjja e bashkisë Krujë për Faktoje.al 

Lidhur nga të dhënat e grumbulluara dhe nga deklaratat e vetë banorëve, premtimet për investimin në ujësjellës në Krujë dhe Fushë -Krujës, i kategorizojmë si gjysmë të mbajtura, pasi ujësjellësi i ri u ndërtua, por nuk sjell ujë në çezmat e qytetarëve.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna  nga kryebashkiakët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img