BallinaFaktometerPa kategoriNdryshimet në Kodin Penal, a po abuzohet me “gjendjen e fatkeqësisë”?

Ndryshimet në Kodin Penal, a po abuzohet me “gjendjen e fatkeqësisë”?

Parlamenti votoi të enjten me 88 vota “pro” ndryshimet në Kodin Penal, duke rritur ndërshkimet për qytetarët që thyejnë rregullat e karantinimit. Amendamentet e miratuara nuk përfshinë ndëshkimet e rënda që sugjeroi Komisioni i Ligjeve. Ato ishin kundërshtuar nga Presidenti i Republikës, Avokati i Popullit dhe organizata për të drejtat e njeriut. Edhe pse ndryshimet në Kodin Penal u miratuan “të harmonizuara” me të drejtat e njeriut, Komisioni i Venecias i konsideron ato si “të panevojshme”.


Të martën më 14 prill, Komisioni Parlamentar i Ligjeve, me shumicë të theksuar nga Partia Socialiste diskutoi propozimet e deputetes Edlira Bode, përmes të cilave, shkelja e rregullave të distancimit social të vendosura nga qeveria duke shkaktuar përhapjen e sëmundjeve infektive, dënohet me gjobë, ose me burg dhe, nëse ka shkaktuar viktima nga sëmundja infektive, dënohet me deri 15 vjet burg.

Propozimi u kundërshtua nga institucioni i Avokatit të Popullit i cili kërkoi të mos miratoheshin ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.

Nëpërmjet një analize të përmbajtjes së dispozitave, të akteve normative të miratuara gjatë kësaj periudhe, por edhe të situatës aktuale në sistemin penitenciar, si edhe të gjendjes ekonomike e sociale të vendit tonë, kemi argumentuar përse vlerësojmë se këto dispozita nuk duhen shtuar në Kodin Penal,” – thuhej në reagimin e Avokatit të Popullit.

Tridhjetë organizata për të Drejtat e Njeriut, në një reagim të përbashkët më 11 prill i konsideruan propozimet për ndryshimin e Kodit Penal, në kundërshtim me Kushtetutën.

“Dënimet e propozuara në Kodin Penal për parandalimin e pandemisë “Covid-19” cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve,”- thuhej në reagimin e përbashkët të 30 organizatave.

Presidenti Ilir Meta, gjithashtu kërkoi që ndryshimet mos të cenonin liritë dhe të drejtat e njeriut.

Dispozitat e reja duhet të jenë të qarta, për të mos cenuar parimin e sigurisë juridike, me qëllim që e gjithë popullata të mos mendojë se mund të bëhet subjekt i procedimit penal në mënyrë të padrejtë, ashtu siç është krijuar tashmë ky shqetësim në mbarë opinionin publik”– thuhej në reagimin e presidentit Meta.

Shumica socialiste miratoi të enjten në 16 prill ndryshimet në Kodin Penal, në lidhje me shkeljen e masave për përhapjen e koronavirusit, duke marrë në konsideratë rekomandimet e presidentit Meta dhe organizatave të të drejtave të njeriut.

Varianti i miratuar nga Kuvendi parashikon 2 deri në 5 vite burg për përhapjen me dashje të sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin dhe deri në dy vjet kur vepra kryhet nga pakujdesia. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose është rrezikshme për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet burg.

“Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë

Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj.

Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 (dy) vjet.

Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose izolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose të izolimit, nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar  ky detyrim nga autoritetet shtetërore përkatëse, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 3 (tre) vjet.

Neni 89/b, Përhapja e sëmundjeve infektive

Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës I sëmundjes apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) vjet.

Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 (dy) vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose është rrezikshme për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 3 (tre) deri në 8 (tetë) vjet”.

Edhe pse u miratua një variant “i zbutur” i ndryshimeve në Kodin Penal, analisti dhe politologu, Afrim Krasniqi, në një intervistë për A2CNN të enjten deklaroi se ndryshimet në Kodin Penal mund të kthehen në precedent duke shkelur Kushtetutën

Ne nuk jemi në gjendje lufte. Ndryshimi i Kodit është një precedent që mund të përsëritet, do të mbahet shënim si tejkalim i Kushtetutës, edhe nga organizatat ndërkombëtare”- u shpreh ai.

Kushtetuta parashikon një procedurë të gjatë kur ndryshohet Kodi Penal, nuk ndryshohet në një javë siç po ndodh. Do të shkojë gjithsesi në Presidencë, nuk e ka të thjeshtë të kalojë, dhe rrezikon të hyjë në fuqi kur situata të jetë qetësuar, duke e bërë të panevojshëm”- theksoi Krasniqi.

Komisioni i Venecias në një opinion të përgjithshëm, duke cituar ligjet mbi “gjendjen e jashtëzakonshme”  mbi masat që po marrin vende të ndryshme lidhur me pandeminë “Covid-19”, thekson nevojën për transparencë dhe zbatim të Kushtetutës.

Devijimet nga të drejtat themelore të njeriut janë një problem veçanërisht thelbësor pasi përvoja ka treguar që shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut kanë tendencë të ndodhin në kontekst të gjendjeve të jashtëzakonshme,” – thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Teksa thekson se gjithçka që ndodh gjatë gjendjeve të jashtë zakonshme apo të fatkeqësisë natyrore në nenin 170 të Kushtetutës së Shqipërisë “Masat e jashtëzakonshme” duhet të jenë konform ligjit, Komisioni i Venecias rendit disa nga elementët kryesorë, që kanë rëndësi dhe që duhet të ruhen në mënyrë integrale.

Kompetencat e “gjendjes së emergjencës” janë abuzuar nga qeveritë autoritare për të qëndruar në pushtet, për të heshtur opozitën dhe për të kufizuar të drejtat e njeriut në përgjithësi,” thuhej në opinionin e Komisionit të Venecias, referuar ligjeve mbi “gjendjen e jashtëzakonshme”.

“Venecia” sqaron edhe rolin që duhet të ketë sistemi gjyqësor në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke thënë se vendime të tilla të qeverive duhen shqyrtuar nga gjykatat e pavarura.

Sundimi i ligjit nënkupton një sistem ku agjencitë qeveritare duhet të veprojnë brenda kornizës së ligjit, dhe veprimet e tyre janë subjekt për t’u shqyrtuar nga gjykatat e pavarura. Me fjalë të tjera, siguria juridike e individëve duhet të jetë e garantuar” – thekson “Venecia”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img