BallinaDeklarataEdi Rama: Nga zero mësues ndihmës në 2013, sot ka 310

Edi Rama: Nga zero mësues ndihmës në 2013, sot ka 310

ANDI BORA

Një tjetër nga deklaratat e shumta të publikuara nga kryeministri Rama vitin që lamë pas, do të na shërbente si ngasje për të verifikuar vërtetësinë e saj.

“Nga zero mësues ndihmës në 2013, sot ka 310’’. Është kjo një pjesë e deklaratës së kreut të qeverisë të cilën mund ta lexoni të plotë në foton e mëposhtme.

Ky është postimi i Kryeministrit, Edi Rama, në rrjetin e tij social Facebook, i cili mban datën 27 Nëntor 2017.

Faktoje, nëpërmjet kërkesave zyrtare, kontaktoi të gjitha Drejtoritë Arsimore Rajonale, për të siguruar numrin e mësuesve ndihmës që operojnë në këto qarqe.

Sipas të dhënave që na u vunë në dispozicion, aktualisht për vitin shkollor 2017-2018, operojnë 510 mësues ndihmës, të cilët janë të shpërndarë në të gjitha Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore si edhe në shkollat e arsimit parauniversitar.

Por, sipas një përgjigjeje zyrtare, të marrë nga Ministria e Arsimit, numri i mësuesve ndihmës është 570, përgjigje e cila ka një mospërputhje në shifra.

Mësuesit ndihmës, sipas komunikimeve që patëm me Drejtoritë Arsimore, punojnë me kohë të plotë, por ka edhe një numër të madh që punon më kohë të pjesshme, ndërsa në Qarkun e Dibres, na u komunikua që 3 mësues, përveç mësimdhënies në shkollë, punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta edhe në shtëpitë e tyre.

Në vijim ju paraqesim edhe grafikun i cili tregon edhe numrin e mësuesve ndihmës në shkolla, sipas qarqeve.

Duke iu referuar postimit të kryeministrit, rezulton që lajmi të jetë i vërtetë, duke qenë se kemi të bëjmë me një numër më të lartë mësuesish ndihmës, nga sa ai ka deklaruar në postimin e tij.

Mësuesit ndihmës, janë vendosur posaçërisht për nxënësit me nevoja të veçanta. Kjo bëhet sipas vlerësimit të Komisioneve Multidisiplinare në çdo Drejtori Arsimore Rajonale, ku përcaktohet se sa është nevoja për mësuesit ndihmës, duke marrë parasysh numrin e nxënësve me nevoja të veçanta.

Kryeministri specifikoi gjithashtu që këtë vit, numri i mësuesve ndihmës do të shkojë në 610, por duke iu referuar numrit të lartë të fëmijëve me nevoja të veçanta (sipas përgjigjeve të dhëna nga disa drejtori arsimore rajonale), ky numër nuk është i mjaftueshëm.

Sipas Drejtorisë Arsimore Lezhë, kërkohet që ky numër mësuesish të jetë më i madh: “Prindërit sot kërkojnë Mësuesin Ndihmës si një e drejtë për zhvillimin e fëmijëve të tyre. Kjo është shumë pozitive, por kërkon një numër më të madh të këtyre mësuesve në shërbim të kësaj kategorie fëmijësh”.

Ndërkaq sipas përgjigjes së Ministrisë së Arsimit, nga Drejtoritë Arsimore dhe nga Zyrat Arsimore është raportuar se nevojiten rreth 710 mësues ndihmës për këtë vit shkollor. Gjithashtu vijon caktimi i mësuesve ndihmës sipas nevojave të përcaktuara nga vlerësimet e Komisioneve Multidisiplinare të DAR/ZA.

Në bazë të shpjegimit të mësipërm por edhe të përgjigjeve të dhëna nga institucionet përkatëse, rezulton se deklarata e kreut të qeverisë është e vërtetë.  

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img