BallinaFaktometerPa kategoriManastirliu: Brenda 14 muajve mbarojmë vaksinimin e popullatës

Manastirliu: Brenda 14 muajve mbarojmë vaksinimin e popullatës

Me 11 mars në emisionin Opinion, ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu duke iu përgjigjur gazetarëve se sa kohë do të marrë procesi i vaksinimi u shpreh:

“Plani ynë ambicioz është 14 muaj dhe i qëndrojmë, sepse ne kemi një element shumë të rëndësishëm që nuk duhet ta harrojmë që kemi një sistem kapilar në të gjithë Shqipërinë që na ka dhënë neve mundësinë të vaksinojmë në masë, pra në çdo zonë dhe ky është një sistem i trashëguar.”


Sipas planit kombëtar të vaksinimit ndaj Covid-19 procesi ndahet në 4 faza. Faza e parë përfshin vaksinimin e punonjësëve shëndetësorë në vijën e parë, punonjësit shëndetësorë të ndihmës së shpejtë si edhe personat që kanë mbivendosje të sëmundjeve, që janë të moshuar dhe jetojnë në institucione rezidenciale. Faza e dytë përfshin grupet prioritare të cilat nuk janë mbuluar gjatë fazës së parë. Po sipas planit të vaksinimit të Ministrisë së Shëndetësisë, në fazën e tretë do të jetë i mundur vaksinimi i grupeve te tjera që nuk janë mbuluar në fazën 1 dhe 2. Faza përmbyllëse do mundësojë vaksinimin në masë duke mundësuar vaksinimin rutinë të të gjithë grupeve specifike të popullatës.

Në cilën fazë të vaksinimit është Shqipëria?

Shqipëria ka administruar 280 mijë doza vaksine anticovid deri më tani sipas kryeministrit Rama. Duke llogaritur që çdo person ka nevojë për 2 doza, aktualisht në Shqipëri rezulton të jenë vaksinuar rreth 1.1% të popullsisë së vendit

Vaksinimin kundër Covid-19, Shqipëria e nisi  me bluzat e bardha në 11 janar pas ardhjes së 975 dozave,duke vazhduar me kategorinë + 80 vjeç,e më pas me kategorinë e mësuesve të cilët u vaksinuan në 13 mars me 38.400 doza të AstraZencas.

Faktoje iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë me anë të një kërkese për informacion se në cilën fazë të strategjisë së vaksinimit ndodhet Shqipëria.

Kërkesa dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Shqipëria ndodhet në fazën e dytë, që sipas  planit kombëtar të vaksinimit përfshin grupet prioritare që nuk janë mbuluar gjatë fazës së parë.

Përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë.

 A mund të arrihet vaksinimi i plotë i popullsisë së Shqipërisë brenda 14 muajve?

Faktoje pyeti epidemiologen Silva Bino, njëkohësisht anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, nëse është i arritshëm  zotimi i qeverisë për vaksinimin e popullsisë brenda 14 muajve, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

Screenshot nga biseda me doktoreshë Silva Binon

Faktoje komunikoi edhe me ekspertin Erion Dasho, i cili dha këtë përgjigje:

“Skenari i vaksinimit është i paqartë. Ministria ngul këmbë se ka një strategji, por deri tani nuk kemi parë një ide të saktë se cilat vaksina pritet të vijnë, në cilat sasi dhe në cilën kohë. Këto janë në çdo vend elementet bazë të një strategjie, përndryshe ajo që quhet strategji mbetet thjesht një koncept teorik. Fakti që ende ka mjekë, stomatologë, farmacistë dhe personel tjetër mjekësor të pavaksinuar flet për një strategji vaksinimi të pakoordinuar dhe të bazuar më tepër tek masat ad-hoc.”.

Epidemiologu thekson më tej:

“Shqipëria ka burime njerëzore dhe infrastrukture shëndetësore të përshtatshme për të vaksinuar deri 40 mijë persona në ditë. Në këto kushte 5 milionë dozat e vaksinës që nevojiten për të imunizuar gjithë popullaten adulte (rreth 2.5 milionë qytetare) mund të administrohen për 125 ditë ose për 6 muaj. Problemi është tek disponueshmëria e vaksinës.”

Në artikullin e publikuar nga Faktoje në 31 mars,blerja e vaksinave për thuajse gjithë popullatën do të realizohej në rast se i gjithë Fondi Rezervë prej 5 miliardë lekësh do të përdorej eksluzivisht për këtë qëllim.Por kjo nënkupton lënien ‘zbuluar’ të kostos së zgjedhjeve,pagesën e naftëtarëve dhe hartimin e studimeve për projekte strategjike.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img