BallinaPertejKush janë hapat përpara për ligjin e dekriminalizimit?

Kush janë hapat përpara për ligjin e dekriminalizimit?

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe zbulimit të informacioneve për kandidatë dhe deputetë me rekorde kriminale në të shkuarën, pas protestës së opozitës dhe presionit ndërkombëtar, parlamenti i Shqipërisë në vitin 2015 miratoi ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji i dekriminalizimit.

Tetë vjet dhe katër procese zgjedhore më pas, ekspertët vlerësojnë se ligji i dekriminalizimit mund të konsiderohet jo i mjaftueshëm për qëllimin që synon të përmbushë.

Jona Plumbi

Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit

Qëllimi kryesor i ligjit të dekriminalizimit ishte pengimi i zgjedhjes apo emërimit të funksionarëve publikë dhe zyrtarëve me të kaluar kriminale. Nisur nga kjo pikëpamje, hulumtues të rezultateve që ka sjellë ligji i dekriminalizimit vlerësojnë se në tërësi ligji ka funksionuar.

“Së pari, ligji është bërë për të larguar zyrtarët e lartë që janë lidhur me krimin dhe nëse e marrim në mënyrë tekstuale ky qëllim është arritur. Asnjë nga deputetët e zgjedhur në parlament sot nuk ka rekorde kriminale”. – shpjegon Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike, organizatë që ka ndjekur nga afër efektet e ligjit.

Këtë mendim ndan edhe Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet në KQZ, Ilirjan Celibashi, kur vlerëson rezultatet e dala.

“Për atë qëllim që patën ata që e nisën këtë iniciativë dhe për çfarë ligji ka në qëllim mendoj që është përmbushur si interesi i atyre që e inicuan, opozita e kohës, ashtu edhe qëllimi i ligjit është i përmbushur pasi ata që janë sot funksionarë publikë, kanë ato cilësi që ligji i quan të denja për zyrën që mbajnë.”  – Ilirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet.

Dekriminalizimi gjithashtu shkurajoi individët me rekorde kriminale për t’u angazhuar në politikë apo administratë publike, argumenton Marash Logu, avokat i cili ka punuar për “Raportin e Monitorimit të Ligjit të Dekriminalizimit”, mundësuar nga WFD dhe zyra e avokatisë “Halimi and Tax”.

Në fakt, statistikat sasiore të rezultatit të ligjit për periudhën 2016 – 2023, flasin për qindra zyrtarë dhe funksionarë publikë të larguar posti.

KategoriaNumri
Deputetë9
Kryetarë bashkie8
Këshilltarë lokalë38
Nëpunës civilë (DAP)261
Nëpunës civilë të tjerë281
Totali597
*tabela me të dhënat e përpunuara nga ISP

Por pavarësisht rezultateve sasiore, ekspertët vlerësojnë se ka disa problematika që duhen adresuar.

Ligj i përkohshëm?

Krahas rezultateve që ishin mjaft të dukshme prej fillimit të zbatimit të ligjit, studiuesit kanë vënë re disa problematika të theksuara që duhen adresuar.

Një prej tyre, të cilin studiuesi Afrim Krasniqi e konsideron si aspekt të dështuar të ligjit, është fakti se ai u parashikua të ishte një ligj i përkohshëm dhe kjo nuk duket se po ndodh.

“Ligji ishte parashikuar që të ishte i përkohshëm dhe ndaj u konsiderua edhe mbi kushtetues. Palët ranë dakord mos e ankimojnë në gjykatë kushtetuese sepse rrëzohej. Por problemi është që edhe pas kaq vitesh, kemi ende titull kryesor dhe vijon të jetë temë e ditës, në aspektin për të qënë i përkohshëm ka dështuar dhe do ishte absurde të ishte i përhershëm.”  – argumenton Krasniqi për Faktoje.

Për Ilirjan Celibashin situata ka kaluar “nga dekriminalizimi i politikës në politizim të dekriminalizimit”.

“Ndoshta është pak herët për ta abroguar këtë ligj, jemi ende herët por ligji ka nevojë për përmirësime.” – vlerëson ai.

Për avokatin Marash Logu përvoja 8-vjeçare e zbatimit të dekriminalizimit ka treguar nevojën për vijueshmërinë e këtij procesi.

Kuvendi i Shqipërisë do të duhet që të ngrejë një komision të ri ad-hoc në mënyrë që të kryhet një analizë e plotë e zbatimit të deritanishëm të dekriminalizimit, duke evidentuar problematikat dhe mangësitë, si dhe duke propozuar masat legjislative që duhet të ndërmerren për përmirësimin e mëtejshëm të këtij ligji.” – sugjeron ai.

Partitë Politike nuk zbatuan ligjin për strukturat e tyre

Mangësitë ligjit apo zbatimit të tij janë argumentuar edhe në “Raportin e Monitorimit të Ligjit të Dekriminalizimit”, të punuar nga WFD dhe Halimi and Tax.

Një nga problemet kryesore të pasqyruara në raport, është fakti se partitë politike nuk i adoptuan parimet e dekriminalizimit tek funksionarët e tyre partiakë.

Ish-funksionarët e larguar nga dekriminalizimi vazhduan të mbeten figura të rëndësishme në forcat e tyre politike.” – thekson Raporti i Monitorimit të Dekriminalizimit.

Është pikërisht mungesa e vullnetit politik të partive, arsyeja që e ka penguar ligjin të jetë i përkohshëm, në vlerësimin e studiuesit Krasniqi, i cili argumenton se asnjë parti nuk i dërgon kandidatët për verifikim.

Fakti që ligji mbeti i vetëm, por nuk u reformua sistemi i kontrollit të institucioneve që bëjnë emërtesën ose zgjedhin, mendoj që është difekti kryesor. Vetingu në politikë dështoi, që do të thotë se dekriminalizimi mbeti pa fushë veprimi brenda partive politike.” – vlerëson Krasniqi.

Marash Logu, në përputhje me Raportin e Monitorimit të Dekriminalizimit, rekomandon detyrimin e partive politike për t’ju përmbajtur rregullave të dekriminalizimit edhe brenda “shtëpisë” së tyre.

Ne kemi rekomanduar që në ligjin për dekriminalizimin apo ligjin për partitë politike, të sanksionohet detyrimi i partive politike për t’i përshtatur statutet a aktet e tyre të brendshme me standardet e dekriminalizimit, duke përjashtuar nga funksionet drejtuese cdo individ që rezulton me një të shkuar kriminale.” – tha Logu për Faktoje.

Edhe pse ligji për dekriminalizimin ia ofron mundësinë partive politike që të kryejnë verifikimin e kandidatëve të tyre në periudhën jashtë zgjedhore, kjo nuk ka ndodhur në asnjë rast. Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Celibashi e ka ngritur disa herë shqetësimin për pamundësinë e KQZ për të verifikuar numrin ekstremisht të lartë të formularëve të vetëdeklarimit, sidomos në rastet e zgjedhjeve vendore ku kandidatët janë me mijëra.

Do ishte me dobi që vetë partitë politike të angazhoheshin në një proces të verifikimit siç e bëjnë institucionet publike të cilësive të kandidatëve që ata do të propozojnë. Ata mund ta nisin këtë proces 4-5 muaj përpara ditës që do aplikojnë për t’i regjistruar këto kandidatë.” – argumenton Celibashi.

Fakti është se në zgjedhjet e 14 Majit 2023, zgjedhësit hodhën votën në kuti përpara se KQZ të publikonte formularët e vetëdeklarimit për kandidatët për kryetar bashkie dhe këshilltarë.

“Delegimi” i mandatit

Një tjetër problem i identifikuar në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit është ai i “delegimit” të mandatit tek një familjar i afërt, pa angazhim të mëparshëm politik.

Raporti i Monitorimit të ligjit të Dekriminalizimit nga WFD dhe Halimi & Tax vlerëson se “individë me të kaluar kriminale janë përcaktues sot për të vendosur një familjar, të afërm, mik apo të njohur në listat fituese të partive politike. Madje, në zgjedhjet e fundit ata janë shfaqur publikisht përkrah kandidatëve apo në shtabet e tyre elektorale, duke kërkuar të maksimalizojnë rezultatin me çdo mjet”.

Rasti i Orlando Rakipit, djalit të Aqif Rakipit që humbi mandatin e deputetit për shkak të ligjit të derkiminalizimit tregoi sesi një kandidat për herë të parë, mori thuajse 16 mijë vota në Tiranë, duke lënë pas socialistë të vjetër në karrierë.

Këtë, Marash Logu e konsideron si transformim të “kontratës së politikës me krimin” dhe jo shkëputje të saj. Për të arritur këtë shkëputje, Logu sjell rekomandimin e Raportit të Monitorimit të ligjit të Dekriminalizimit.

Ne kemi rekomanduar detyrimin e funksionarëve politikë dhe publikë që të plotësojmë deklaratën e kontrollit të figurës, në të cilën ata duhet të evidentojë të gjitha lidhjet, kontaktet, njohjet që mund të kenë me elementë të botës së krimit, përfshirë natyrën, kohëzgjatjen dhe arsyen e këtyre kontakteve.” – shpjegon Logu duke hequr paraele me standardin që aplikon sot vettingu i prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Lidhur me këtë Komisioneri Shtetëror për Zgjedjet, Ilirjan Celibashi vlerëson se ligji i dekriminalizimit ka parasysh vetëm personin konkret, veprimet e tij dhe mënyrën e jetesës në raport me ligjin penal të vendit tonë dhe shteteve të tjera.

“Këta individë që e kishin problematik këtë raport me drejtësinë, sot nuk janë më. Këta që janë sot, nëse nuk e kanë këtë problem, atëherë në raport me ligjin janë në rregull.” – vlerëson Celibashi.

Perceptimi i qytetarëve

Një tjetër element që shfaqet problematik lidhur me dekriminalizimin lidhet me pritshmërinë publike. Afrim Krasniqi na tregon se puna e kryer nga ISP ka treguar se pritshmëria publike ka qënë që të largohen kriminelët nga jeta politike dhe publike.

Kjo pati efekt 6-9 muaj sa ishte përkrahja publike. Në vazhdim, publiku kuptoi se këta individë që u larguan vazhduan të qëndrojnë në jetën publike në parti apo në mekanizma të tjerë. Njerëzit kuptuan se u larguan kriminelët, por jo të korruptuarit dhe këta të fundit janë më shumë problem në parlament.” – argumenton Krasniqi.

Pikërisht kjo dilemë e ka dobësuar përkrahjen publike të ligjit.

Kur i kemi pyetur qytetarët në sondazhet që ne bëjmë a e përkrahin ligjin e dekriminalizimit, ata thonë po. Nëse pyeten a ka funksionuar, ata pranojnë se “janë larguar disa djem, por kryesorët i ka lënë këtu”.

Fakt që mbështet këtë perceptim publik janë edhe skandalet publike si ai i abuzimit me fondet e IPARD, ku u zbulua se subjekte të dekriminalizimit janë “shndërruar” në biznesmenë dhe kanë përfituar fonde nga qeveria.

Praktikisht ne i larguam disa nga vija politike, por i financojmë në mënyrë të tjera për ti dhënë status publik dhe kushte të privilegjuara në konkurencë dhe kjo është absurde.” – shpjegon Krasniqi.

Probleme teknike

Problemet teknike dhe administrative të zbatimit të ligjit janë të shumta dhe në tërësinë e tyre i kanë bërë të pavlefshme disa procese për shkak të pamundësisë për t’i zbatuar si parashikohen në ligj apo mos-zbatimit të tyre nga institucionet përgjegjëse shtetërore.

Ne kemi krijuar një strukturë që e kemi bazuar gjithçka tek reagimi pasiv i institucioneve. Koncepti duhet të kishte qënë që verifikohen kandidatët përpara se të zgjidhen, ndërsa ne e kemi pasi zgjidhen. Madje pasi zgjidhen dhe pa afat. Ndaj ndodh në mënyrë të vazhdueshme, po të shihni deklarimet e KQZ-së, ku thuhet “mbyllen dosjet e verifikimit për kandidatë sepse nuk janë zgjedhur ose kanë konsumuar mandatin”.” – evidenton Krasniqi.

Njëkohësisht, mungesa e një strukture monitoruese që e ka për detyrë ndjekjen dhe përmbushjen e procesit e bën edhe më të vështirë situatën.

“Parlamenti që duhet ta bënte këtë rol, vetë parlamenti ka shkelur ligjin. Prej ditës që është miratuar ligji, Parlamenti nuk ka publikuar listën e shteteve ku vepron ky ligj edhe pse e ka detyrim ligjor.”

Paradokset e ligjit

Mes mangësive kuptimore dhe problemeve teknike që kanë dalë gjatë zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, ka edhe disa paradokse. Një prej tyre është fakti se deputetë të larguar nga parlamenti për shkak të ligjit të dekriminalizimit, nuk i kanë humbur përfitimet e tyre të marra për shkak të postit si pasaporta diplomatike apo pensioni.

Nonsens e quajti kryekomisioneri Celibashi këtë fakt.

Kjo është pa kuptim sepse për sa kohë një individ nuk është i denjë për të marrë një post, ai nuk mund të jetë i denjë për të marrë privilegjet që vijnë me postin. Ky është nonsens dhe ligji mund ta rregullojë këtë gjë.”

Një tjetër paradoks i krijuar për shkak të zbatimit të ligjit është edhe fakti se disa deputetë janë shkarkuar nga detyra sepse nuk deklaruan në formularin e dekriminalizimit krime që gjithsesi nuk do i përjashtonin ata nga gara për deputet. Në anën tjetër, postin e deputetit mund ta mbajnë njerëz që janë dënuar më shumë se një herë për vepra të rënda, por e kanë deklaruar dënimin në formular.

“Pra ne, një individ që nuk e ka deklaruar në formular e largojmë, por  ata që i deklarojnë dënimet i lëmë.” – thekson Krasniqi.

Çfarë zgjidhjesh ka?

Mbi nevojën për të rregulluar situatën bien dakord të gjitha palët e interesuara.

Për kryekomisionerin Celibashi, është ende herët për shfuqizimin e ligjit pavarësisht se ai ishte menduar si i përkohshëm kur u miratua. Ajo që mund të bëhet është përcaktimi më i qartë në ligj i rasteve kur funksionari e humbet mandatin.

“Duhen bërë përcaktime më të sakta për disa kategori që nuk mund të kandidojnë apo të marrin një zyrë publike. Edhe çështja e raportit me autoritetet juridiksionale të huaja do duhet sqaruar se në cilat rrethana apo në cilën situatë duhen penalizuar personat që kanë pasur një raport problematik me ligjin e një vendi tjetër”. – argumenton Celibashi.

Në këtë linjë janë edhe ekspertët e “Halimi & Tax” të cilët në Raportin për Monitorimin e ligjit të Dekriminalizimit, vlerësojnë se disa rregullime në ligjin e dekriminalizimit dhe atij për partitë politike mund të sjellin përmirësime të problemeve të sipërpërmendura.

Raporti i punuar nga ana jonë ka pasur për qëllim që të japë një kontribut profesional në këtë drejtim, nëpërmjet gjetjeve, konkluzioneve dhe rekomandimeve konkrete.” – shpjegon Marash Logu për Faktoje.

Ndryshe e mendon studiuesi Afrim Krasniqi, sipas të cilit zgjidhja më e mirë do ishte reformimi i legjislacioneve rregullatorë që lidhen me organet zgjedhore, pra, organet që zgjedhin apo emërojnë individë.

“Nëse reformon DAP për administratën publike dhe bën verifikime më të mëdha të kandidatëve, nëse reformon strukturën përkatëse në KQZ që t’i hyjë me themel verifikimeve dhe sidomos denoncimeve që vijnë nga qytetarët dhe nëse struktura e emërtesave në të gjithë institucionet forcohet dhe bëhet më transparentë, ligji i dekriminalizimit do të bëhej i parëndësishëm.” – Afrim Krasniqi.

Kjo mund të arrihet duke ndryshuar tre ligje, sipas Krasniqit.

“Duhet ndryshuar Kodi Zgjedhor, duhet forcuar ligji i financimit të fushatave elektorale, si dhe ligji i partive politike që të kontrollohen paratë e fushatës por edhe produktin e saj. Ne sot nuk e kemi legjislacionin për këtë. Ndaj duhen 3 ligje.”

Përfundim

Ligji i dekriminalizimit u miratua në një moment të vështirë të politikës shqiptare, duke i imponuar politikës rregulla të cilat shkojnë kundër të drejtave të njeriut. Pavarësisht kësaj ligjvënësi e miratoi ligjin si zgjidhje për të larguar persona me rekorde kriminale nga Kuvendi i Shqipërisë.

Sot, pasi ligji është zbatuar në katër procese zgjedhore janë shfaqur probleme që pengojnë përmbushjen e plotë të qëllimit që ligji kishte, parandalimin e zgjedhjes së personave me të kaluar kriminale.

Në mënyrë që kjo të arrihet ligjvënësit do duhet të mblidhen përsëri dhe të përshtasin kuadrin ligjor. Studiues, eskpertë dhe grupe të interesit e njohin nevojën për ndryshime ligjore, e cila në mungesë të një institucioni përgjegjës për çuarjen përpara të dekriminalizimit, mbetet në vullnetin politik të partive, të cilat nuk kanë asnjë nismë në plan lidhur me këtë ligj.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img