Pretendimi se mbi 20% e personave të vaksinuar vdiqën pas vaksinimit në Zelandën e Re është i pavërtetë. Verifikimi i Faktoje shpjegon përse ky pretendim i një ish-punonjësi shëndetësor, që po shpërndahet në rrjet si zbulim statistikor, është i pasaktë.  

——————————————–

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se, sipas një “ish punonjësi të Ministrisë së Shëndetësisë së Zelandës së Re”, përqindja e vdekshmërisë së vaksinave anti-Covdi arrin mbi 20%, “pra në 100 të vaksinuar vdesin 22 persona për shkak të vaksinës.” Postimi shoqërohet me një video ku ish-zyrtari Barry Young, prezanton statistikat e siguruara prej tij në prezencën e Liz Gunn, një ish-gazetareje zelandeze, të kthyer në politikane dhe mbështetësen kryesore të grupeve konservatore në këtë vend. 

Sipas agjencisë së shëndetit publik, Te Whatu Ora, në Zelandën e Re ka patur 3361 vdekje nga Covid-19, por vetëm 4 vdekje që mund të kenë lidhje me vaksinimin anti-Covid.

Nëse bëjmë disa llogari të thjeshta matematikore, zbulojmë se pretendimi se vaksinimi ka patur një shkallë vdekshmërie 20% është qesharak.

Sipas po të njejtës agjenci, rreth 4 milionë persona në Zelandën e Re kanë marrë të paktën dy doza të një vaksine anti-Covid. Nëse pretendimi konspiracionist do të ishte i vërtetë, mbi 20% e tyre, pra të paktën 800 mijë persona do të kishin vdekur.

Megjithatë, sipas agjencisë statistikore të Zelandës së Re, që nga fillimi i vitit 2020 në vend ka patur rreth 125 mijë vdekje në total. 

Nëse 20% e të vaksinuarve në Zelandën e Re kanë vdekur, shifra e vdekjeve në vend duhet të ishte 6 herë më e madhe se ç’është në të vërtetë.

Ish-punonjësi i Te Whatu Ora, Barry Young, akuzohet për vjedhje të dhënash nga agjencia dhe shpërndarje keqinformimi rreth vaksinimit.