BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookMjekë të rremë për shitjen e preparateve çudibërës online

Mjekë të rremë për shitjen e preparateve çudibërës online

Vazhdojnë skemat mashtruese nëpërmjet mediave online, me qëllim shitjen e preparateve të ndryshme. “Faktoje” verifikoi se si portalet përdorin emrin e një mjeku të rremë për të shitur një produkt që sipas tyre “bën mrekullinë” kundër parazitëve.

Në portale po qarkullon një artikull ku pretendohet se një preparat bën mrekullinë kundër parazitëve në trup.

Rrëfimi tronditës i patologut: 9 nga 10 persona që kanë ndërruar jetë, janë plot me parazitë. Parazitët janë shkaku i vdekjes në 78% të rasteve! Ka shpëtim, por të gjithë heshtin për të! Kush përfiton nga kjo?”, raportohet në artikuj të shpërndarë në portale.

Artikulli i shpërndarë në portale

Faqja e portalit është ndërtuar duke kopjuar një prej mediave online në vendin tonë, në mënyrë që ta bëjë më të besueshme për lexuesit.

Publikimi shoqërohet edhe me një intervistë me një mjek, me atë që në portal e cilësojnë si kryepatologun, të quajtur Gazmend Aliu. Mjeku i përmedur në shkrim thuhet se ka 40 vite eksperiencë në këtë fushë.

Nisur nga interesi i lartë publik për çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të artikullit. Fillimisht ne kërkuam në listën e mjekëve shqiptarë, nëse kemi një doktor patolog me emrin Gazmend Aliu. Nga një kërkim i thjeshtë që bëmë në këtë listë, nuk rezulton të ketë një profesionist shëndeti me këtë emër në vendin tonë.

Shkrimi shoqërohet edhe me një foto ilustruese, e cila supozohet se i përket mjekut në fjalë. Nga një kërkim i bërë nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove rezulton se kemi të bëjmë me një imazh stok. Foto e këtij mjeku të rremë shfaqet në faqe të ndryshme në gjuhën ruse. Veç kësaj, intervista të ngjashme të rreme, të sajuara me qëllim shitjen e preparateve të ndryshme i gjejmë edhe në faqe në gjuhë të huaj, ku është përdorur foto e të njëtit person, por me emër tjetër.

Faktoje ka raportuar edhe më herët mbi këto skema mashtrimi, ku përdoren mjekë “fantazmë” për të shitur produktet.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img