BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëKQZ nuk publikon formularët e dekriminalizimit të kandidatëve për zgjedhjet e 14 Majit

KQZ nuk publikon formularët e dekriminalizimit të kandidatëve për zgjedhjet e 14 Majit

Në 14 Maj, shqiptarët do të vendosin se cilët do të jene kryetarët e tyre te bashkive por edhe te këshillave bashkiake. Nje element i rëndësishëm ne informimin e votuesve është edhe publikimi i formularëve të dekriminalizimit për kandidatët në zgjedhjet e 14 Majit, detyrim ligjor i Komisionit Qendror Zgjedhor që prej vitit 2016. Studiuesi Afrim Krasniqi, i cili ka monitoruar procesin e dekriminalizimit prej nisjes së tij, vlerëson se KQZ ka dështuar në përgjegjësinë e saj për të bërë publik këtë informacion tepër të vlefshëm për votuesit. Ai kujton se prej 7 vitesh, më shumë se 21 kryebashkiakë, kandidatë për poste zyrtare dhe deputetë kanë humbur mandatet për shkak të mosdeklarimit të saktë në formularin e dekriminalizimit.

Jona Plumbi

Në vitin 2016 Kuvendi miratoi ligjin që detyron zyrtarët publikë dhe kandidatët për poste shtetërore të vetëdeklarojnë të dhënat e tyre për të verifikuar nëse kanë qënë më herët të dënuar nga gjykata, apo në hetim, në Shqipëri apo jashtë vendit. Për mbledhjen e dokumentacionit për kandidatët që do të bëheshin pjesë e garës së 14 majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi afatin për dorëzimin e të dhënave për regjistrim në zgjedhje.

Në datën 18 janar 2023, KQZ urdhëroi se partitë politike apo koalicionet e regjistruara në KQZ për zgjedhjet e qeverisjes vendore, duhet të dorëzojnë dokumentat për regjistrimin e kandidatit për kryetar bashkie jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Pjesë e këtij dokumentacioni është edhe formulari i dekriminalizimit.

VENDIM-Nr.-17-2016

Sipas këtij udhëzimi, data 25 mars ka qënë afati i fundit për partitë politike dhe koalicionet për të dorëzuar në KQZ formularët e vetëdeklarimit të kandidatëve për kryetar bashkie.

Verifikimi i formularit të dekriminalizimit nga KQZ

Vendimi i Kuvendit që përcakton procedurën e verifikimit të këtyre formularëve, dhe ngarkon KQZ-në me detyrën për të verifikuar të dhënat e deklaruara nga personi, përpara zgjedhjes së tij për kryetar bashkie.

“Procesi i verifikimit, kur është e mundur duhet të kryhet në një kohë të mjaftueshme përpara kandidimit, votimit ose emërimit në funksionin publik, me qëllim administrimin e rregullt, transparencën dhe publikimin në kohë, kur kjo kërkohet, si dhe verifikimin e plotë e të gjithanshëm të të dhënave dhe nxjerrjen në kohë të përfundimeve të verifikimit, në funksion të pengimit të zgjedhjes apo emërimit, si dhe largimit nga funksioni publik.” – 2016, Kuvendi i Shqipërisë”

Kjo ka ndodhur në vitet e kaluara, kur KQZ ka kryer verifikimin paraprak të formularëve të dekriminalizimit, proces i ndjekur me shumë vëmendje nga media dhe shoqëria civile.

Rezultati i ardhur nga procesi i dekriminalizimit është i dallueshëm për ekspertin Afrim Krasniqi.

Ne kemi pasur një numër të lartë të deputetëve, kryetar bashkish, këshilltarë dhe zyrtarë të tjerë që janë subjekt i ligjit dhe konsiderohet si efekt direkt i ligjit. Gjithashtu dekriminalizimi ka parandaluar deri diku ambiciet e shfrenuara të individëve me rekorde kriminale për të marrë poste publike dhe ndaj kemi gjithmonë e më pak kandidatë me këto probleme. Por kemi përpjekje të individëve të fortë dhe atyre me rekorde kriminale që të delegojnë antarë të familjeve të tyre apo gjejnë mekanizma indirekte të ndikimit në vendimmarrje.” – tha Krasniqi për Faktoje.

Si rregull, në çdo rast, organi përgjegjës për administrimin, që në rastin e zgjedhjeve vendore është KQZ, merr masa për publikimin e vetëdeklarimeve në faqen zyrtare të tij në internet.

Për kandidatët e zgjedhjeve të 14 Majit, kjo nuk ka ndodhur ende.

Në faqen zyrtare të KQZ, janë publikuar vetëm 20 formularë dekriminalizimi të plotësuar në vitin 2023.

Lidhur me këtë Faktoje dërgoi një kërkesë zyrtare për informacion pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të kuptuar arsyet e mos-publikimit të formularëve të dekriminalizimit. Deri në publikimin e këtij artikulli jemi ende në pritje të një përgjigjeje nga KQZ.

Drejtuesi ekzektuiv i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi tregoi për Faktoje argumentin e ofruar nga KQZ, kur është pyetur për mos publikimin e formularëve të dekriminalizimit.

Ne kemi pasur disa komunikime me KQZ-në për këtë, së fundi përpara pak ditësh, ku kemi kërkuar publikimin e tyre. Përgjigjja zyrtare e KQZ-së ka qenë se për shkak të numrit të lartë të formularëve dhe për shkak të faqes së re të internetit ata kanë pasur probleme në publikimin e tyre. Ne jemi ofruar si organizatë që monitorojmë çështjet e dekriminalizimit që t’i përpunojmë ne deklarata dhe formularët dhe t’i publikojmë ne por KQZ në fakt për këtë propozim ka heshtur.” – shpjegon Krasniqi.

Një nga gabimet dhe përgjegjësitë kryesore të papërmbushura të KQZ-së në vlerësimin e tij është mohimi i publikimit të formularëve të dekriminalizimit.

Në fakt është detyrim i tyre. Ka një strukturë administrative KQZ-ja për dekriminalizimin dhe nuk është strukturë e vogël që paguhet për këtë gjë nga taksat tona. Ndaj nuk mendoj që ekziston një arsye objective pse KQZ nuk e ka kryer këtë funksion. Kjo ka pamundësuar verifikimin realisht të të dhënave dhe ato deklarata që KQZ ka vendosur t’i dërgojë për hetim të thelluar në prokurori lidhen vetëm me raste specifike të individëve që KQZ ka gjykuar, por jo publiku, aktorë të shoqërisë civile dhe media. Çfarë do të thotë se është cënuar standardi i verifikimit dhe i hetimit të thelluar që do duhej të ndodhte në këtë rast.” – tha Afrim Krasniqi për Faktoje.

Krasniqi thekson se qëllimi i ligjit nuk ishte krijimi i një sistemi burokratik verifikimi deklaratash, por që Shqipëria të kishte zyrtarë të pastër, minimuni që i kërkohet një vendi që po kandidon për antarësim në BE. Kur u miratua ligji për dekriminalizimin, synimi ishte që ai të zgjaste vetëm pak vjet dhe jo të qëndronte përjetësisht në fuqi. Por Krasniqi vlerëson se fakti që ky proces vijon edhe sot të krijojë debate për kandidatët, tregon sa thellë është ndërhyrja e botës së krimit në politikë dhe sa interesa informale luhen në përfaqësimin politik dhe vendimmarrje dhe cfarë sistemi emërimesh kemi, shuë larg nga ajo që quhet meritokracia, cilësia e përfaqësimit dhe zgjedhjes së më të mirëve.

Ky shkrim u publikua në kuadër të projektit “Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë” mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) dhe zbatuar nga Faktoje.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img