Studimi britanik nuk provoi se vaksinat mRNA janë toksike për trupin tonë

Keqinterpretimi i shkencës

551

Vaksinat mRNA të Covid-19 nuk shfaqin rrezik toksiciteti, siç pretendohet në artikuj të shpërndarë në portale. Një studim, të cilit i referohen disa portale, është nxjerrë nga konteksti shkencor. 

Artikuj të publikuar nga mediat në Shqipëri pretendojnë se është provuar edhe shkencërisht se vaksinat mRNA të Covid sjellin rrezik toksiciteti. 

Më 10 dhjetor, portali Patriotik Media ka publikuar artikullin me titull ‘Vaksinat, Studimi nxjerr telashe të reja për Pfizer: ‘Terapitë me mARN në rrezik toksiciteti’.

Artikulli citon një studim të bërë nga Njësia e Toksikologjisë e Këshillit të Kërkimeve Mjekësore në Universitetin e Kembrixhit. “Falë kërkimeve të reja të publikuara në Nature, studiuesit kanë zbuluar se serumi Pfizer ka një ‘problem Teknik”, shkruhet në artikull.

Studimi, të cilit i referohet artikulli, është i vërtetë, por interpretimi që i është bërë është nxjerrë nga konteksti. Shkencëtarët britanikë që kanë punuar për studimin lidhur me vaksinat Covid-19 nuk thonë se mRNA rrit toksicitetin. 

Sipas studiuesve, në studimet në disa kavie laboratory dhe 21 njerëz që kanë pranuar të bëhen pjesë e studimit, është konstatuar se ka patur lexime gabim të kodit mRNA nga trupat njerëzore dhe është e nevojshme që të përmirësohet procesi i përgatitjes së vaksinave në mënyrë që ato të jenë më efikase. Shkencëtarët janë treguar të kujdesshëm për të shpjeguar se në asnjë moment nuk flitet për toksicitet apo dëmtime ndaj njeriut.

Udhëzimet gjenetike që përmban vaksina mund të modifikohen për të shmangur një “rrëshqitje” të vogël të padëmshme që ndonjëherë shihet ndërsa trupi lexon kodin, sugjeron ekipi i Këshillit të Kërkimeve Mjekësore. 

Përkthimi i kodit është paksa si të lexosh një fjali me fjalë me tre shkronja, të tilla si: “The cat ate the fat rat” (Macja hëngri miun e trashë)”. Ribozomi herë pas here kalon përpara me një shkronjë ose një pozicion në zinxhir, proces i quajtur zhvendosje në kornizë, për të lexuar: “The cat a tet hef atr“. 

Studiuesit zbuluan se një rregullim i thjeshtë në procesin e mRNA në vaksinat e reja mund të zhdukë këto gabime, pa ndikuar në produktin përfundimtar të dëshiruar – mbrojtjen kundër një sëmundjeje të rrezikshme.

Vaksinat ekzistuese të mRNA janë efektive dhe të sigurta, thonë ata. Në të ardhmen mund të luftojnë më shumë sëmundje me një teknologji të tillë të përmirësuar.