BallinaPremtimeKryeministri Rama dhe rritja ekonomike 5% për vitin 2019

Kryeministri Rama dhe rritja ekonomike 5% për vitin 2019

MERXHAN DACI

Rritja ekonomike është sfidë e qeverive si një tregues për mirëqenien e popullit. Kryeministri Rama, sidomos pas marrjes së mandatit të dytë qeverisës garantoi se do ta çojë në 5% rritjen ekonomike, por thuajse 3 vjet pas këtij premtimi, “Faktoje” konstaton dështimin në përmbushjen e këtij zotimi.

—————————————————————————————————————————

Para dy vitesh, kryeministri Edi Rama premtoi se në vitin 2019, rritja ekonomike e Shqipërisë do të ishte mbi 5%.

29 maj, 2017, Edi Rama: Që ne të bëjmë një ekonomi që rritet me impakt më të madh dhe që prek të gjitha familjet duhet të kalojë 5%-shin, unë ju siguroj që ne do ta kalojmë 5%-shin brenda mandatit të ardhshëm.

7 shtator të 2017, Rama bëri një postim në rrjetet sociale ku përforcoi këtë premtim:

Edhe ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ka folur për rritje ekonomike mbi 5%, madje duke e çuar shifrën edhe më optimiste, deri në 6%.

13 shtator 2017, Arben Ahmetaj: Ne synojmë një rritje ekonomike mesatare rreth 4.5 përqind për të arritur në rreth 5.5 – 6 përqind të PBB-së në fund të mandatit. Jam gati te debatoj me secilin prej jush nga pozita dhe opozita burimet e rritjes, kalkulimin, dhe pse jo, ejani ta përmirësojmë, ndoshta ka shumë vend për të përmirësuar.

Masa e rritjes ekonomike që përmendi Ahmetaj, shkruhet edhe në programin qeverisës 2017-2021.

Sa ka qenë rritja reale ekonomike në 2019-n?

Të dhënat e Institut të Statistikave (INSTAT) flasin për një rritje ekonomike jo më shumë se 2.77% për periudhën 9-mujore të 2019, ndërsa ende nuk janë publikuar të dhënat për 3 mujorin e fundit të tij.

Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e parë të vitit 2019 vlerësohet me rritje prej 2,21 %, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2018. Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët:  Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor etj. Negativisht kontribuoi aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Uji.

PBB në tremujorin e dytë të vitit 2019 vlerësohet me rritje prej 2,31%, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2018. Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët: Tregti, Transport, Akomodim.

tremujorin e tretë të vitit 2019, PBB vlerësohet me rritje prej 3,81%, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2018. Edhe për këtë tremujor, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët: Tregti, Transport, Akomodim.

Nisur nga këto të dhëna të INSTAT, rritja mesatare për 9-mujorin e 2019 është 2,77%.

Edhe qeveria ka raportuar se ky ngadalësim i rritjes ekonomike ishte rrjedhojë e disa faktorëve siç është prodhimi i energjisë elektrike me një kontribut negativ në gjysmën e parë, apo faktorë të përkohshëm, siç ishte mbyllja e aktiviteteve të “lojrave të fatit” dhe përfundimi i projektit TAP.

Në fund të vitit 2018, teksa po përgatitej ProjektBuxheti i vitit 2019, sipas relacionit, rritja ekonomike parashikohej të arrinte nivelin 4.3% në vitin 2019.

Megjithatë, qeveria e uli parashikimin një vit më vonë duke raportuar se për këtë vit parashikohet një rritje reale nga 3% deri në 3.5%.

Shqipëria ndër vite dhe krahasimi me rajonin

Nga viti 2013 deri në vitin 2018 rritja ekonomike ka qenë progresive, megjithëse në vlera të ulëta. Në 2013-n rritja ekonomike nuk ishte më shumë se 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që në vitin 2018 rritja shkoi në 4,1%.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, për vitin 2018, Shqipëria renditej e treta në Ballkanin Perëndimor për rritjen më të lartë ekonomike.

Rritjen më të lartë siç shihet edhe nga kjo e dhënë e Bankës Botërore e ka patur Mali i Zi që ka kaluar 5%-shin, ndjekur nga Serbia e më pas Shqipëria.

Duke qenë se premtimi i kryministrit Rama ishte për rritje ekonomike 5% në vitin 2019, “Faktoje” e konsideron këtë premtim si TË PAMBAJTUR.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img