BallinaPremtimeKonvikte të reja me “Paktin për universitetin”, Shahini shkel premtimin

Konvikte të reja me “Paktin për universitetin”, Shahini shkel premtimin

ANXHELA RUÇI

Në “Paktin për Universitetin”, që pasoi protestën e studentëve në vitin 2018, ndër të tjera u premtua edhe përmirësimi i kushteve në konvikte. Ministrja e Arsimit Besa Shahini kishte premtuar rikonstruksionin e godinave të konvikteve në Shkodër, Korçë e Vlorë dhe akomodimin e më shumë se 500 studentëve brenda dhjetorit të 2019-s. Çfarë konstatoi “Faktoje” gjatë verifikimit të këtij premtimi?

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Brenda dhjetorit të 2019-s, në konviktet në Shkodër, Korçë dhe Vlorë duhet të përfundonte rikonstruksioni dhe studentët do të akomodoheshin po në atë muaj, sipas premtimit të ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini në kuadër të “Paktit për Universitenin”.

Postimet në rrjetin social Twitter të ministres Besa Shahini gjatë muajit tetor

“Faktoje” vendosi të verifikojë këtë premtim të ministres dhe gjatë muajit dhjetor dhe janar, pa në terren ecurinë e punimeve në godinën nr.1 në konviktin e Korçës, godinën e vajzave në konviktin e Vlorës, konviktin nr.2 në Shkodër dhe konstatoi se rikonstruksioni ishte drejt përfundimit. Por edhe pse afati i përfundimit dhe akomodimit ishte muaji dhjetor, edhe tani që kanë kaluar dy javët e para të janarit, studentët ende nuk janë sistemuar në konviktet e premtuara se do ishin gati.

Godina nr.1 e konviktit në Korçë

Ne pyetëm ministren e Arsimit Shahini përse nuk e ka mbajtur premtimin për përfundimin e investimit në konvikte dhe sistemimin e studentëve brenda afatit.

“Punimet në strukturë janë mbyllur dhe ka ngelur çështja e mobilimit, shkak është bërë puna e madhe që kemi pasur me tërmetin ndaj ka mbetur pakëz me vonesë çështja e mobilimit,”-u përgjigj Shahini për “Faktoje”.

Afati i ri që ministrja përcaktoi për t’i bërë konviktet të banueshme është fundi i muajit janar – fillimi i muajt shkurt.

Godina e vajzave në konviktin e Vlorës

Akomodimi për studentet në ambjentet e konvikteve është një lehtësim për nga ana financiare. Ema, e cila prej dy vitesh jetonte në konviktin e Shkodrës tha për “Faktoje” se pagesa vjetore e konviktit ishte 38 mijë lekë për rreth 10 muaj që zgjaste shkolla. Ndërsa nëse ajo do të merrte një shtëpi me qera në Shkodër, do t’i duhej të paguante 5-6 mijë lekë për vetëm një muaj, pa përfshirë shpenzimet për ujin dhe dritat apo transportin nëse apartamenti do ishte larg universitetit.

Konvikti nr.2 në Shkodër

Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili është investitori për godinat e konvikteve në Vlorë, Shkodër dhe Korçë, vlera totale e rikonstruksionit pa TVSH është 172 milionë lekë. Në dispozicion të studentëve do të jenë 265 dhoma standarde dhe 5 dhoma për persona me aftësi të kufizuar.

Pavarësisht premtimit për rikonstruktimin e konvikteve brenda muajit dhjetor të 2019, në kuadër të “Paktit për Universitetin”, sot, në mesin e muajit janar investimet nuk janë përfunduar. “Faktoje” do të mbajë nën vëzhgim premtimin e ri që dha ministrja e Arsimit Besa Shahini për sistemimin e studentëve pas mobilimit të ambienteve të brendshme të godinave, në fillim të muajit shkurt.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img