BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë76 milionë lekë investime në prag të zgjedhjeve lokale

76 milionë lekë investime në prag të zgjedhjeve lokale

Gjatë fushatës elektorale për mandatin e tij të dytë në krye të Bashkisë Lezhë, kandidati socialist Pjerin Ndreu u premtoi banorëve të Tales përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës së zonës. Pak ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit, fshati turistik i Tales në Lezhë u kthye në kantier punimesh. Bashkia nisi punën për ‘Ndërtimin e infrastrukturës rrugore në Plazhin e Tales’ me vlerë 76 milionë lekë.

Esmeralda Topi 

Në fillim të nëntorit të vitit 2022, Bashkia e Lezhës çeli tenderin për ‘Ndërtimin e infrastrukturës Rrugore në Plazhin e Tales’. Fondi limit për këtë projekt ishte 76 milionë lekë dhe në garë morën pjesë tetë kompani. Por në fund, përveç fituesit, të gjithë operatorët pjesëmarrës u skualifikuan dhe tenderi u shënjua nga Open Procurement me flamur të kuq.

“Një shënim me RedFlag është, ngjarje, ose grup i rrethanave ose informacione të tjera që mund të tregojnë një shqetësim apo ekspozim dhe rrezik potencial të pajtueshmerisë ligjore për sjellje të paligjshme ose jo etike të biznesit, veçanërisht në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektim të ligjeve anti-korrupsion.’, sqaron Open Procurement, krah të flamurit të kuq.

Tenderi për ‘Ndërtimin e infrastrukturës rrugore në plazhin e Tales’ pjesë e njësisë administrative Shënkoll u fitua nga bashkimi i kompanive “ARKONSTUDIO” SHPK – “ALKO-IMPEX General Construcion”. Kontrata mes palëve u lidh më 12 dhjetor dhe kohëzgjatja e saj parashikohej katër muaj. 

Kjo nënkuptonte se investimi i Bashkisë Lezhë në Tale do të ishte gati në muajin prill, në kulmin e fushatës zgjedhore të 14 majit. Por verifikimet tregojnë se puna në terren nisi pikërisht në prag të zgjedhjeve. 

Fushata për 14 majin

Gjatë fushatës elektorale për mandatin e tij të dytë në krye të Bashkisë Lezhë, kandidati socialist Pjerin Ndreu u premtoi banorëve të Tales përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës së zonës. 

“Në Tale 1, njësia Shënkollë, Bashkia Lezhë po ndërhyn në 4 akse rruge, duke përmiresuar ndjeshëm infrastrukturën e zonës!”, premtonte Ndreu gjatë një takimi elektoral me banorët e Tales në muajin mars. 

Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, fshati turistik i Tales i ngjante një kantieri, ku bashkia e Lezhës kishte nisur punimet për ‘Ndërtimin e infrastrukturës rrugore në Plazhin e Tales’ me vlerë 76 milionë lekë. 

Rivalët politikë të Ndreut në garën elektorale, por edhe disa banorë të zonës e quajtën asfalt elektoral investimin në fjalë.

Pas zgjedhjeve

Dy muaj pasi kishte siguruar mandatin e dytë në krye të Bashkisë Lezhë me 18,299 vota Pjerin Ndreu u rikthye në Tale. 

“Sot në Tale ku vazhdojmë punën! Hyrja në plazh po shtrohet me asfalt, trotuar, dhe me ndriçim’, shprehej Ndreu më 17 korrik, teksa ironizonte akuzat e kundërshtarëve për asfalt elektoral. 

“Ajo që ishte asfalt elektoral apo që ne nuk do bënim me punë, zhbëhet sot kur po punohet për të mbyll projektet që do përmirësojnë hyrjen në një nga plazhet më të mira në veri, Talja!’

Për të mësuar më shumë mbi ecurinë e këtij investimi, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Lezhë. Në përgjigjen me shkrim, në fillim të muajit tetor, Bashkia bën të ditur se projekti ishte në fazën përfundimtare.

“Projekti përfshin ndërhyrje për ndërtimin e një trotuari në të gjithë gjatësinë e rrugës së plazhit me një gjatësi prej 2.7.km si dhe ndërtimin e një rruge asfalti që lidh rrugën kryesore me plazhin, me një gjatësi prej 550 m.”, sqaron Bashkia e Lezhës.

Verifikimi në terren 

Më 21 nëntor, Faktoje udhëtoi drejt fshatit turistik të Tales për të verifikuar ecurinë e punimeve. Duke përshkuar rrugën kryesore të fshatit takuam disa banorë.

“Kanë bërë këtë trotuarin dhe vunë ndriçim, pastaj më poshtë është bërë e re rruga që lidhet me plazhin. Rrugët sjellin zhvillim, pse të mos e vlerësojmë ne?!”, na sqaron një banor, teksa një tjetër si me shaka ia pret : “E nisën për zgjedhje po hajt se po bëjmë sikur s’e kuptojmë! Rëndësi ka të bëhen këto punë.”

Rruga kryesore ekzistuese e Tales është rikonstruktuar në vitin 2010. Me investimin e fundit, 2.7 kilometrave të kësaj rruge i ishte shtuar në njërën anë një trotuar dhe ndriçues. 

Ndërsa, rruga lidhëse me plazhin e Tales me gjatësi 550 metra ishte bërë nga e para. 

Përfundim 

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që premtimin për projektin e ‘Ndërtimit të infrastrukturës rrugore në plazhin e Tales’ ta kategorizojmë të mbajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img