BallinaFaktometerE PavërtetëNikolla: “Brenda javës çadrat verore zëvendësohen me ato dimërore në Lezhë”

Nikolla: “Brenda javës çadrat verore zëvendësohen me ato dimërore në Lezhë”

FJORI SINORUKA & MARJO BRAKAJ

Në Lezhë, ndër zonat e prekura nga shkatërrimet e tërmetit të 26 nëntorit të pastrehët gdhihen e ngrysen në çadra, pranë vendeve ku mbajnë edhe gjënë e gjallë. Deputetja e kësaj zone kishte premtuar zëvendësimin e çadrave verore me ato dimërore brenda javës së kaluar, por “Faktoje” gjeti një tjetër realitet në terren.

…………………………………………………………………………………………………………………………………………………..

E ftuar në televizionin Report Tv më datë 8 janar 2020, deputetja socialiste e qarkut të Lezhës, Lindita Nikolla deklaroi se brenda javës së kaluar çadrat verore ku qëndronin të pastrehët e tërmetit do zëvendësoheshin me ato dimërore.

“Kjo është detyrë dhe unë mund të them që brenda kësaj jave kjo detyrë përmbushet”, tha ajo.

Qarku i Lezhës është një nga më të prekurit prej tërmetit të 26 nëntorit ku shumë familje humbën shtëpitë e tyre. Një pjesë e konsiderueshme e tyre, veçanërisht ato nëpër fshatra që kanë si mjet jetese bujqësinë e blegtorinë po qëndrojnë në çadra.

Nisur nga deklarata e deputetes Nikolla, “Faktoje” shkoi në terren më 14 janar për të verifikuar se në çfarë çadrash jetojnë të pastrehët.

Në fshatin Kallmet, familja Biba vazhdon të qëndrojë në një çadër verore, në temeratura që arrijnë nën zero. E pyetur nga “Faktoje” se kur do t’u zëvendësohen çadrat, Valdete Biba tha: “na kanë thënë që të presim”. Vajdetja na tha se në lagjen e saj janë dhe 5 deri në 7 familje të tjera që jetojnë në të njëjtat kushte.

“Faktoje”, gjithashtu komunikoi dhe me kryetarin e Njësisë Administrative Balldre, Sandër Marashi i cili konfirmoi se ka banorë të cilët ende po qëndrojnë në çadra verore.

“2 – 3 çadra nuk i kena zëvendësu”, tha Marashi duke theksuar se banorët preferojnë të qëndrojnë në çadra pasi duan që të jenë afër shtëpive dhe gjësë së gjallë që kanë.

Çadër verore në fshatin Kallmet në Lezhë

Po ashtu vëllezërit Ndue dhe Jak Prençi, jetojnë në një çadër verore pa asnjë mundësi për të pasur energji elektrike.

“As ka drita, as ka ngrohje brenda”, tha Jak Prençi për “Faktoje”.

Çadra verore e dy vëllezërve Prençi në fshatin Kallmet në Lezhë

Nisur nga situata e verifikuar në terren “Faktoje” iu drejtua Bashkisë Lezhë për informacion sesa familje jetojnë ende në çadra verore në këtë mot të acartë.

Sipas institucionit, për këtë bashki janë 238 banorë që jetojnë në 104 çadra nga të cilat 44 janë verore dhe 60 janë çadra dimërore.

“Faktoje” pyeti edhe deputeten Nikolla për të marrë një koment në lidhje me situatën, por deri në momentin e botimit të këtij artikulli, nuk ka marrë një përgjigje.

Nisur nga verifikimi, vendosëm që deklaratën e deputetes Lindia Nikolla ta kategorizojmë të pavërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img