BallinaFaktometerE PavërtetëKëshilli i Ministrave nuk e shkarkon dot Fredi Belerin

Këshilli i Ministrave nuk e shkarkon dot Fredi Belerin

GJKKO nisi gjykimin ndaj Fredi Belerit për krim zgjedhor, fiks 5 muaj pas arrestimit. Nisja e procesit u parapri nga një luftë argumentash dhe pretendimesh ligjore, si psh. deklarata e kryeministrit Rama se qeveria duhet të shkarkojë kryetarin e zgjedhur pasi nuk është paraqitur të bëjë betimin. Verifikimi tregoi se ligji aktual nuk gjen zbatim për Belerin dhe gjendemi në boshllëk ligjor për rastin e paprecedentë. Këtë e pranon edhe vetë Rama, por 2 muaj pas deklaratës ku pohoi se po konsultohet me një grup juristësh për zgjidhje ligjore të rastit, kryeministria dhe MIA refuzuan të përgjigjen se cili është rezultati i konsultimit.

Jona Plumbi

29 gusht , Kryeministri Rama duke folur për rastin Beleri, i zgjedhur si  kryebashkiak i Himarës, deklaroi se shkarkimi i tij, për shkak se nuk është betuar për të marrë mandatin, bëhet i mundur për qeverinë me mbarimin e një afati prej 90 ditësh. Ndërsa citoi ligjin, Rama nga ana tjetër pohoi se për këtë është ngritur një grup ligjor pune.  

Ne jemi duke e studiuar rastin, pasi kur përfundon afati i 90 ditëve normalisht sipas asaj që thuhet në ligj qeveria duhet ta shkarkojë kryetarin e zgjedhur që nuk është paraqitur të bëjë betimin dhe të caktojë një kujdestar deri në zgjedhejt e reja. Por ky është rast shumë specifik ndaj për këtë arsye i kam kërkuar departamentit ligjor në Kryeministri të japë një opinion se cfarë duhet të bëjmë ne dhe ne do zbatojmë atë që është më e drejta.  – Edi Rama në Top Channel

Nisur nga kjo deklaratë Faktoje bëri një verifikim duke u konsultuar me ligjin dhe me ekspertë të fushës për të kuptuar nëse ai gjen zbatim në rastin e Belerit.

Afati 90 ditor dhe pse nuk zbatohet për Belerin

Kryeministri Rama thotë për rastin “Beleri” se qeveria ka të drejtë ta shkarkojë kryetarin e zgjedhur nëse ai nuk betohet brenda 90 ditësh, duke vënë një kujdestar deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Ligji  që sqaron këtë pjesë të procedurës zgjedhore është ai për vetëqeverisjen vendore ku citohet se pasi gjykata vërteton mandatin e kryetarit të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të rezultateve zgjedhore, ai betohet në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak ku edhe shpallet vlefshmëria e mandatit.

Ish-ministri i drejtësisë Ylli Manjani shpjegon për Faktoje se 90-ditëshi është një kufi fundor i vendosur për të rregulluar rastet, kur edhe pas këtij afati bashkia nuk e ka një kryetar.

Nga dita e shpalljes si fitues në KQZ duhet që brenda 90 ditëve ti të kesh bërë betimin. 90 ditëshi është kufiri fundor që rregullon se çfarë bëhet me bashkinë nëse për 90 ditë nuk ka një kryetar. Por kjo varet nga vullneti i personit.- shpjegon ish ministri Manjani.

Neni i ligjit ku sanksionohet hapësira kohore prej 3 muajsh lidhur me paraqitjen në detyrë të kryetarit të bashkisë është neni 62, ku përcaktohen rastet kur mund të shkarkohet një kryetar bashkie. Pika c) thotë se shkarkimi i kryetarit mund të propozohet nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

Ledio Braho, anëtar i Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve në KQZ, thekson për Faktoje se ky nen është i pazbatueshëm për rastin, pasi Beleri nuk është kryetar bashkie sot për sot.

“Ai [Beleri] duhet të betohet njëherë që të marrë detyrën. Sot që flasim ai nuk është kryetar bashkie. Pra sot nëse mund të shkarkojë dikë Këshilli i Ministrave, ai është kryetari aktual Jorgo Goro. Nëse ai nuk shkon 90 ditë në punë, Këshilli Bashkiak i propozon kryeministrit shkarkimin e tij.” – shpjegon Braho për Faktoje.

Kjo shpjegohet qartë në ligj kur theksohet se “ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.”

* Neni 60, ligji për vetëqeverisjen vendore

I vetmi rast kur kryebashkiaku i zgjedhur mund të shkarkohet përpara kohe, pa e kryer betimin është kur ai “nuk pranon të bëjë betimin” sipas nenit 61 të ligjit për vetëqeverisjen vendore.

* Neni 61, ligji për vetëqeverisjen vendore

Për anëtarin e KAS, Ledio Braho rasti i Belerit nuk lidhet as me “mospranimin e kryerjes së betimit” dhe as me “shkarkimin për mosparaqitje në detyrë”.

Ligji e ka shprehur qartë kur thotë që shkarkimi mund të bëhet kur kryetari “nuk pranon të bëjë betimin”. – thekson Braho – pra ligji flet për rastet kur kryetari nuk ka vullnet të betohet ndërkohë që Beleri e ka shprehur në të gjitha mënyrat e mundshme që dëshiron të shkojë të bëjë betimin.

Këtë thotë edhe ish-ministri i drejtesisë Ylli Manjani kur shpjegon përse ky ligj nuk lidhet me rastin Beleri.

“Ligji ka parasysh rastin kur nuk paraqitesh, sepse nuk do të paraqitesh. Në këtë moment mund të ta heqin mandatin. Por që nuk paraqitesh, sepse nuk të lënë të paraqitesh kjo është një situatë e re. Ai ligj që kemi nuk e mbulon këtë situatë. Nuk ka asnjë ligj tjetër që ta parashikojë, jemi sui generis”. – shprehet Manjani për Faktoje.

Pas deklaratës së kryeministrit për përpilimin e një opinioni nga grupi ligjor i kryeministrisë, Faktoje u interesua pranë kryeministrisë dhe Agjencisë për Media dhe Informim për t’u njohur me grupin e punës dhe progresin e kryer për këtë opinion. *Kryeministria e la pa përgjigje pyetjen, ndërsa pas ankimimit te Komisioneri për të drejtën e Informimit na u argumentua:

“Në rastin konkret, kërkesa juaj qëndron në pyetje të cilat tejkalojnë qëllimin e njohjes me dokumentacion publik sipas parashikimeve në ligjin e sipërcituar dhe shprehja e autoritetit publik mbetet në diskrecion të tij, në kuadër të ushtrimit të detyrave funksionale, veprimtarisë dhe politikave të komunikimit të këtij të fundit.” – Komisioneri për të drejtën e informimit.

Ndërsa MIA u shpreh se nuk kishte asnjë koment për çështjen në fjalë.

Përfundim

Nisur nga këto të dhëna dhe informacione publike rezulton e pavërtetë deklarata e kryeministrit Rama se ligji lejon shkarkimin e Fredi Belerit nga Këshilli i Ministrave pas 90 ditësh nëse ai nuk është betuar.

Rasti i paprecedentë nuk parashikohet nga ligji dhe sipas ekspertëve mund të kërkojë rregullim ligjor. Derimë tani nuk kemi asnjë të dhënë nga kryeministria se cilët juristë po merren me opinionin ligjor dhe në çfarë faze është ky grup pune, që përmendi Rama më 29 gusht.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img