Pasi u njoh me fitoren e tij në Bashkinë Himarë ndërsa ishte pas hekurave të qelisë së paraburgimit për shitblerje të votave, Fredi Beleri, kandidati i Bashkë Fitojmë tashmë mori edhe vulën e Gjykatës së Vlorës për mandatin e tij. Megjithatë ky mbetet një hap procedurial adminsitrativ që nuk lidhet me akuzat që rëndojnë mbi të. Ajo që pritet me kureshtje është mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak të Himarës, ku Beleri duhet të betohet sipas ligjit. Afati i fundit për organizimin e mbledhjes së Këshilli Bashkiak është data 24 Qershor.

Jona Plumbi

Gjykata e Vlorës vulosi mandatin e Fredi Belerit si kryetar i bashkisë Himarë pas zgjedhjeve të 14 majit. Vendimi u dha në seancën gjyqësore të kryesuar nga gjyqëtarja Herila Cela të martën e 13 qershorit 2023.

Vendimi i Gjykates i siguruar per Faktoje nga gazetarja Jerola Ziaj
Vendimi i Gjykates i siguruar per Faktoje nga gazetarja Jerola Ziaj

Ky vendim i Gjykatës, është pjesë e procesit administrativ për dhënien e mandatit të kryetarëve të bashkisë, parashikuar në Kodin Zgjedhor dhe ligjin për vetëqeverisjen vendore.

Vendimi-i-Gjykates-se-Vlores

“Mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata e rrethit gjyqësor, (dhoma civile) në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij”. – Ligji për vetëqeverisjen vendore, Neni 60, pika 1.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi tabelën e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve në Himarë në datën 25 Maj, çka tregon se Gjykata e Vlorës e shfrytëzoi të gjithë hapsirën kohore që i lejon ligji duke e shpallur vendimin e saj në datën 13 Qershor, nëntëmbëdhejtë ditë pas miratimit nga KQZ.

Çfarë vërteton gjykata?

Ligji për vetëqeverisjen vendore i jepë përgjigje kësaj pyetjeje në nenin 60, pika 2 të tij.

“Deklarimi i pavlefshmërisë së mandatit të kryetarit bëhet kur vërehet se nuk plotësohen kushtet, sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.” Ligji për vetëqeverisjen vendore, Neni 60, pika 2.

Në Kushtetutë, rastet kur një qytetari i ndalohet e drejta për t’u zgjedhur janë dënimi me burgim apo me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Ky nuk është rasti i Fredi Belerit, i cili u lejua të kandidojë për kryetar bashkie nga KQZ pas dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit (që ende nuk është bërë publik nga KQZ), në një kohë kur Kodi Zgjedhor parashikon se kushdo që përmbush kriteret kushtetuese, mund të regjistrohet si kandidat për kryetar bashkie apo deputet.

Çfarë ndodh tani?

Beleri, i cili u la në arrest me burg nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë dhe më pas nga ajo e Apelit për akuzën “korrupsion aktiv në zgjedhje” po hetohet nga SPAK prej datës 17 Maj. Kjo do të thotë se ai do të jetë pas hekurave për sa kohë do të zgjasë hetimi i prokurorisë speciale antikorrupsion. Ndërkohë apelimet e njëpasnjëshme kundër masës së arrestit dhe shpalljen e paligjshme të përgjimeve, u refuzuan nga gjykata, duke ia vështirësuar pozitat dhe mundësitë Belerit për të ushtruar detyrën e kryetarit të Bashkisë Himarë.

Sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë duhet bërë në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak, ku fituesi i zgjedhjeve bën betimin. Mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak duhet të mbahet 30 ditë nga shpallja e rezultatit të zgjedhejve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Për rrjedhojë, Këshilli Bashkiak i Himarës, ka kohë deri më 24 Qershor për të mbajtur mbledhjen e tij të parë.

Në rast se këshilli bashkiak nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prefekti organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë në mjedisin e bashkisë dhe në praninë e banorëve të njësisë përkatëse”. – Ligji për vetëqeverisjen vendore, Neni 60, pika 5.

Mbetet për t’u parë nëse avokati i Fredi Belerit do të kërkojë që policia ta shoqërojë Belerin në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për të marrë mandatin, apo do të zgjedhi një strategji tjetër.