Video e disa avionëve që po transportohen mbi kamionë po qarkullon në rrjete sociale me pretendimin se ajo tregon evakuimin e bazave ajrore në Izrael pas sulmit të Hamas në 7 tetor 2023. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video është më e vjetër se 7 tetori, e si rrjedhim nuk ka lidhje me sulmin.

———————————————-

Pas sulmit të grupit militant Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor, në rrjete sociale po qarkullon një video që pretendohet se tregon evakuimin e një baze ajrore izraelite si pasojë e këtyre sulmeve.

Video tregon një rrugë ku kalojnë një numër makinash. Në të shihen dy kamionë që mbajnë avionë luftarakë, dhe në dy tabela rrugore shkruhen emrat e vendeve: Ar’ara Banegev dhe Arad.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme është postuar në Youtube më 19 shtator 2023, të paktën dy javë përpara sulmit të Hamas në 7 tetor.

Në Shtator, Forcat Ajrore të Izraelit mbajtën në Greqi një stërvitje të përbashkët me Forcat Ajrore Helene.

Si rrjedhim, video e mësipërme nuk ka lidhje me zhvillimet pas sulmit të Hamas më 7 tetor 2023, dhe është nxjerrë nga konteksti.