BallinaInvestigimeKush qëndron pas inceneratorit të Tiranës?

Kush qëndron pas inceneratorit të Tiranës?

Çështja e inceneratorëve është në vëmendjen e opinionit publik prej disa vitesh, që nga nisja e denoncimeve të para lidhur me mënyrën e dhënies së koncesionit për të tre impiantet e djegies së mbetjeve, atë të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Partitë opozitare si Partia Demokratike, Partia e Lirisë, por edhe shoqëria civile, denoncuan dhe paditën në prokurori këto kontrata koncesionare si afera korruptive. Prokuroria Speciale Antikorrupsion, SPAK ka nisur një hetim për të tre inceneratorët.

Në të njëjtën ditë kur shteti shqiptar u ul në tryezë për të firmosur kontratën me përfaqësuesit e kompanisë që fitoi të drejtën për të ndërtuar inceneratorin e Tiranës, 2 000 kilometra më larg, në Holandë, po regjistroheshin aksionerë të rinj, në shkelje të ligjit shqiptar dhe, si pretendon ministria e financave, pa dijeninë e saj. Faktoje vërtetoi se kompania Integrated Energy BV SPV, që fitoi koncesionin me vlerë 140 milionë euro, ndryshoi 100% të aksionerëve në ditën e firmosjes së kontratës.

Jona Plumbi

Si e fitoi Integrated Energy BV tenderin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës?

Për të fituar një tender, kompanitë duhet të plotësojnë disa kushte që vërtetojnë aftësinë e fituesit për të zbatuar me sukses kontratën. Për ndërtimin e Inceneratorit të Tiranës, ndër të tjera, kushtet kërkonin që kompania që aplikon, gjatë viteve 2014 deri në 2016-ën, të ketë të paktën 256.5 milionë euro xhiro (sa dyfishi i investimit për inceneratorin) dhe njëkohësisht që ofertuesi të ketë përfunduar me sukses një punë të së njëjtës natyrë, me vlerë të paktën 51 milionë euro (sa 40% e investimit).

Por kompania fituese në tender, “Integrated Energy BV” nuk plotësonte asnjë prej tyre. Ajo u regjistrua si biznes në Holandë në datë 19 Gusht 2016, vetëm një vit përpara shpalljes si fituese të kontratës, e për rrjedhojë nuk plotësonte asnjë nga dy kriteret e sipërpërmendura.

Pavarësisht kësaj, Ministria e Mjedisit parashikoi një mënyrë tjetër për plotësimin e kritereve nga kompanitë. Për të mjaftoi që kushtet të plotësohen nga një prej aksionerëve të kompanisë, edhe pse ajo nuk konkurroi në tender si “bashkim i kompanive” aksionere. Kjo u përcaktua tek kriteret e veçanta të kualifikimit ku thuhet se “kur operatori ekonomik është anëtar i një holldingu (bashkim kompanish[1]), ai mund te përdorë kapacitetin financiar dhe teknik te këtij te fundit ose te ndonjë prej anëtarëve te tjerë ne këtë hollding”.[2]

Dokumentacioni i dorëzuar nga kompania fituese, Integrated Energy BV njofton si nismëtarë të propozimit për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, tre kompani:

  • Paul Wurth SPA
  • Energy Recuperator SPA
  • Integrated Technology Services SH.P.K. (30% të aksioneve)

Faktoje.al shqyrtoi dokumentin e vlerësimit të ofertës nga Komisioni i Dhënies së Koncesionit, i siguruar nga Komisioni Hetimor Parlamentar, i ngritur për këtë çëshjte dhe vërtetoi se kriteret për tenderin janë plotësuar nga aksionerët e kompanisë “Integrated energy BV”. Vetë Komisioni për Dhënien e Vlerësimit i ka njohur aksionerët si “tre operatorë”.

Sipas të dhënave të këtij Komisioni, pas vlerësimit të aftësive të aksionerëve të “Integrated Energy BV” për plotësimin e kritereve të tenderit, rezulton se ato plotësohen vetëm nga njëri prej ortakëve, specifikisht Paul Wurth SPA. [shih tabelën më poshtë]

Kush e fitoi kontratën?

Kontrata me shtetin shqiptar detyron kompaninë fituese në tender, Integrated Energy BV – që është e regjistruar në Holandë si Subjekt për Qëllime të Veçanta (SPV) – të krijojë një kompani SPV “bijë” në Shqipëri, për të zbatuar investimin. Kjo ndodhi në momentin e nënshkrimit të kontratës (dt.31 gusht 2017) kur në Shqipëri u regjistrua Integrated Energy BV SPV.

Pra, sipas procedurave të ndjekura në këtë rast, skema e kompanisë fituese është kjo:

A ndryshuan pronarët e Integrated Energy BV SPV?

Pas lidhjes së së kontratës koncesionare rezulton se pronarët e kompanisë hollandeze “Integrated Energy BV” kanë ndryshuar plotësisht. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare nga regjistri i pronarëve përfitues vërtetohet se pronarët fundorë të Inceneratorit të Tiranës janë si më poshtë.

Ajo që bie në sy është fakti se të tre aksionerët “e rinj” janë regjistruar si të tillë pikërisht në ditën kur është firmosur kontrata për inceneratorin e Tiranës, në datë 31 Gusht 2017.

Siç tregohet edhe në tabelën ilustruese, kompania Paul Wurth Italia, që përmbushi kriteret ekonomike, financiare dhe teknike në mënyrë që Integrated Energy BV të fitonte tenderin për inceneratorin e Tiranës, nuk ishte më aksionere në momentin e lidhjes së kontratës me shtetin shqiptar. Po kështu nuk janë më pronarë as Energy Recuperator SPA dhe as Integrated Technology Services SH.P.K., dy operatorët e tjerë ekonomikë themelues të referuar në dokumentat e tenderit.

Pavarësisht se pronarët e kompanisë Integrated Energy BV në Hollandë rezultojnë tashmë të ndryshuar, administrator nga viti 2016 deri në 2018-n rezulton të ketë qenë Klodian Zoto, person në kërkim nga Prokuroria Speciale Antikorrupsion (SPAK) për korrupsion me kompaninë “Integrated Technology Services SH.P.K”, krijuar për zbatimin e një tjetër kontrate koncesionare, atë të inceneratorit të Elbasanit, si dhe një nga themelueset dhe pronarët e parë të Inceneratorit të Tiranës.

Çfarë thotë ligji?

Sipas ligjit për kontratat koncesionare (Neni 32), kur kompania që zbaton kontratën është krijuar enkas për këtë qëllim nga disa kompani të tjera, atëherë shitja e aksioneve të saj kërkon miratimin paraprak të Autoriterit Kontraktues (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjise) dhe të Ministrisë së Financave.

Edhe pse ligji për kontratat koncesionare detyron subjektet të marrin miratim paraprak nga Ministria e Financave në rast të ndryshimit të pronësisë, duket se kjo nuk ka ndodhur në rastin në fjalë. Në pamje të parë pronari i Integrated Energy BV SPV (kompanisë së regjistruar në Shqipëri) nuk ka ndryshuar, sepse mbetet po Integrated Energy BV (kompania e regjistruar në Hollandë). Por tre pronarët e parë dhe themeluesit e saj, të cilët qenë “operatorët ekonomikë” që plotësuan edhe kriteret për fitimin e kontratës koncesionare, janë zëvendësuar tashmë nga pronarë të rinj.

Çfarë thonë Institucionet?

Faktoje iu drejtua Ministrisë së Financave për ta pyetur mbi procedurën e ndjekur në ndryshimin e aksioneve të kompanisë që menaxhon Integrated Energy BV SPV. Në përgjigjen e saj Ministria e Financave u përgjigj se “Në zbatim të legjislacionit në fuqi për koncesionet dhe PPP (neni 32), në MFE nuk është administruar ndonjë informacion, kërkesë apo dokumentacion për vlerësim në lidhje me transferimin e kësaj kontrate.”

Në datën 14 Tetor, Faktoje kërkoi informacion edhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, për të kuptuar si ndryshoi pronësia e kompanisë që plotësoi kushtet e tenderit për inceneratorin e Tiranës. Deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje, çka përbën shkelje të ligjit për të drejtën e informimit.

Gjeni këtu listën e pyetjeve drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të cilat kanë mbetur pa përgjigje.

Çfarë thonte kryeministri?

Në vitin 2018, Rama ofronte si garanci të projektit të inceneratorit të Tiranës, investitorin dhe aksionerin e kompanisë, Paul Wurth.

Prodhimi i biogazit, i kombinuar me asgjësimin e të gjithë pjesës së hirëzuar është me standarde optimale, sipas normave të Bashkimit Europian, duke pasur parasysh që në këtë investim është një nga liderët globalë të kësaj fushe, që është Paul Wurthshprehej Kryeministri Edi Rama në 2018-ën.

Ndërkohë, sipas të dhënave të pronësisë, në 31 Gusht 2017, ditën kur shteti shqiptar firmoste kontratën me Integrated Energy BV, Paul Wurth-i, kompania që plotësoi kriteret dhe ajo që ofronte garanci për projektin sipas kryeministrisë, nuk figuronte më si aksioner.

Kronologji:

Faktoje përmblodhi në një linjë kohore kronologjike të gjithë procedurën, nga oferta e pakërkuar për ndërtimin e inceneratorit, deri tek firmosja dhe zbatimi i kontratës koncesionare.

Bazuar në këto informacione rezuton se kompania Integrated Energy BV SPV, u regjistrua në Tiranë në 30 Gusht 2017 për të zbatuar kontratën koncesionare. Por, ndërkohë që në një anë, në Shqipëri kompania firmoste kontratën me shtetin shqiptar, po në të njëjtën ditë – në 31 gusht 2017 – në Holandë ajo po deklaronte ndërrimin e aksionerëve. Ky veprim shkel ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat, si dhe kushtet specifike të tenderit për inceneratorin e Tiranës.

Ministria e Financës, përgjegjëse për dhënien e lejes në rastin e ndërrimit të aksionerëve, deklaroi për Faktoje se nuk ka dhënë një leje të tillë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në shkelje të ligjit “Për të drejtën e informimit” prej dy muajsh refuzon të japë informacion nëse ka pasur dijeni mbi aksionerët e kompanisë që fitoi tenderin për inceneratorin e Tiranës. Deri në publikimin e këtij artikulli, Faktoje nuk e ka marrë informacionin e kërkuar edhe pas urdhërimit të tij nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit për përgjigje brenda afateve ligjore.

[1] Shënim i autorit
[2] Pika 2.1 – Kapaciteti Ligjor i operatorëve ekonomikë

 

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img