Furnizimi me ujë të pijshëm mbetet një ndër problematikat të cilave nuk u është dhënë zgjidhje edhe pse premtohet prej 3 dekadash. Në Tiranë, sipas një deklarate të kryetarit të bashkisë Tiranë, investimi i fundit në Bovillë ka sjellë mbulimin e 62 % të territorit të kryeqytetit me 24 orë ujë pa ndërprerje. Por nga një vëzhgim i Faktoje dhe një pyetësor me ndjekësit e saj rezulton se situata nuk është aq optimiste.
—
Investimi për zgjerimin e impiantit të Bovillës u promovua se do të rriste furnizimin me ujë në kryeqytet.
Faktoje pyeti Ujësjellës Kanalizimet Tiranë për zonat ku është shtuar furnizimi me ujë pas investimit të fundit në Bovillë.
Përgjigja e UKT:
Me futjen në punë të shtesës së re të Impiantit Bovillë, si dhe linjës së transmetimit që vjen nga Ujëmbledhësi Bovillë deri në Impiantin e trajtimit të ujit, prurjet e ujit që trajtohen nga ky impiant janë shtuar me 700litra/sec më shumë.
Shumë zona përfitojnë furnizim 24 orë në 24, përgjithësisht bëhet fjalë për zonën qëndrore të kryeqytetit, e përllogaritur për nga dendësia si më shumë se gjysma e popullsisë së Tiranës.
Bëhet fjalë për zona si: rr. “Karl Gega”, Bulevardi i ri, rr. “Jordan Misja”, “Don Bosko”, “Lapraka”, Qendra e Tiranës, rr. e “Dibrës”, rr. “Mine Peza”, rr. e “Durrësit”, Rr. e “Kavajës”, rr. “Myslym Shyri” etj.
Ndërkohë që vërehet rritje e ndjeshme e orareve të furnizimit edhe në zona të tjera që furnizohen përmes Impiantit.
Sasia e shtuar e ujit të trajtuar, siguron furnizim pa ndërprerje përmes Impiantit, duke eliminuar ndërprerjet e furnizimit për një pjesë të mirë të kryeqytetit. Në godina të larta, apo pika fundore të rrjetit mund të jetë e nevojshme që pompat elektrike që godinat kanë në dispozicion të vihen në punë për të ndihmuar ujin të mbërrijë deri në katet e sipërme, ndërkohë që përmes rrjetit në këto zona sigurohet furnizim 24 orë në 7 ditë të javës.
Çfarë thonë banorët e Tiranës
Faktoje pyeti audiencën e saj nëse kishin vënë re një shtim të orareve të furnizimit me ujë në kryeqytet me anë të një sondazhi në rrjetet sociale.
Mbi 80% e ndjekësve në Facebook dhe mbi 70% e ndjekësve në Instagram thanë se ende nuk kanë vërejtur një rritje.
Një nga ndjekësit e Faktoi komentoi cilësinë e ujit që sjell Bovilla.
“Nuk ka ujë 24 orë, ne mbushim depozitat deri në momentin që vjen uji ditën tjetër”- u shpreh për Faktoje V.GJ, banore e Laprakës.
Edhe J.B, student që jeton tek Rruga e Elbasanit po ashtu i tha Faktoje se nuk ka ujë 24 orë dhe se përdor depozitën sipër pallatit.
Nga ana tjetër, A.C, banore e Kinostudios thotë se ka ujë 24 orë me rrjedhje të lirë dhe se nuk ka nevojë të ketë depozitë.
Depozitat ende mbi taracë
Faktoje prej kohësh ndjek problematikën e depozitave të ujit në Tiranë. Pas tërmetit të 26 nëntorit, Bashkia Tiranë vendosi që depozitat mbi pallatet e dëmtuara do të hiqeshin, duke u vendosur madje edhe një afat.
Disa prej tyre u hoqën, ndërsa shumë pallate ende i kanë depozitat në taracë.
Shumë zona të Tiranës ende kanë mbi taracat e pallateve depozitat famëkeqe që dëshmojnë për mungesën e ujit 24 orë. Pra në disa zona nuk ka ujë 24 orë të rrjedhshëm, por banorët e sigurojnë (sic dëshmuan disa prej tyre për Faktoje) me depozita që ruajnë ujin.