BallinaFaktometerPa kategoriHapja e rezervuarëve ndikoi në përmbytjet e dhjetorit?

Hapja e rezervuarëve ndikoi në përmbytjet e dhjetorit?

MERXHAN DACI KLEVIS PALOKA 

Fill pas përmbytjeve të fillim-dhjetorit, u aludua se hapja e rezervuarëve të Kasharit dhe Bovillës ndihmuan në rritjen e nivelit të ujit në autostradën Tiranë-Durrës dhe në Fushë-Krujë.

Teksa përmbytjet ishin në kulmin e tyre, ish-kryeministri Berisha në Facebook me 1 dhjetor u shpreh se Lapraka ishte përmbytur nga hapja e rezervuarit të Bovillës.

“Në Laprakë pas hapjes së Bovillës përmbyten banesat, Lal Plehu thotë: Kujdes në zonat e thella se në Tiranë falë punës që kemi bërë nuk kemi asnjë problem”, shkroi Berisha.

Por Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës Kanalizime Tiranë në një deklaratë të përbashkët, thanë se pretendimi i ish-kryeminstrit Berisha dhe disa të zgjedhurve vendorë të PD-së nuk ishte i vërtetë.

“UKT dëshiron të bëjë me dije se niveli i ujit në Liqenin e Bovillës aktualisht është në kuotën 315.9 metra. Ndërkohë që, kuota para fillimit të reshjeve ishte 310 metra. Hapja e digës është një proçes normal që kryhet sa herë që niveli i liqenit kalon kuotën maksimale prej 318 metrash. Vendimin për hapjen e digës e merr administratori i shoqërisë, i cili paraprakisht ka detyrimin ligjor të njoftojë zyrtarisht Policinë e Shtetit, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, si dhe Kryetarin e Bashkisë së Kamzës. Deri në këto momente, deklarojmë se nuk ka qenë e nevojshme hapja e portës shkarkuese të digës, duke qenë se thatësira e muajve të kaluar kishte ulur ndjeshëm nivelin e liqenit. Për këtë arsye, rritja e kuotës me 6 metra brenda një kohe kaq të shkurtër është brenda nivelit normal të tij. Prandaj, deklarata e sotme e z. Berisha se prania e ujit në zonën e Laprakës është shkaktuar si pasojë e hapjes së digës së Bovillës është krejtësisht e pavërtetë dhe hidhet poshtë lehtësisht nga skica e thjeshtë që po i bashkëngjisim kësaj deklarate. Për më tepër, gjeografikisht Bovilla ndodhet në veri të Tiranës, pastaj në jug vjen Kamza e Paskuqani dhe ndahen nga Tirana me Lumin e Tiranës, i cili për herë të parë nuk u përmbyt. Si mundet një liqen të kapërcejë një lumë e të përmbysë një lagje matanë, në anën tjetër!?

Ndërkohë në seancën parlamentare të 14 dhjetorit, kryeministri Rama u shpreh se nuk kishte pasur hapje të asnjë rezervuari.

“Nuk ka hapje të anjë rezervuari sepse kjo ka një procedurë. Ka filluar një hetim për çështjen e përmbytjes tek zona e City Park. Nga të dhënat e para hetimore në atë zonë është ndërtuar mbi kolektor dhe lejet e ndërtimit mbi kolektor i keni dhënë ju. Hetimi do të sjellë si përfundim edhe çuarjen për ndjekje penale të atyre që kanë përgjegjësi për atë dëm të shkaktuar. Ne do të ndërhyjmë për ta rivendosur në vend infrastrukturën në atë zonë”, u shpreh Rama.

Ndërkaq një prej banorëve të fshatit Bilaj në Fushë-Krujë, Dajana, tha për “Faktoje” se situata e fundit me përmbytjet ishte e paprecedentë dhe se banorët dyshojnë se shkak për përmbytjet ishte hapja e rezervuarit të Bovillës.

“Në fshat flitet që është hapur rezervuari i Bovillës dhe prandaj ka ndodhur përmbytja. Këtu unë nuk e vërtetoj dot por jam e sigurt që ka ndodhur nga mënyra se si ka ardhur uji.  Ka rënë edhe më shumë shi herët e tjera, madje edhe më gjatë dhe s’ka patur përmbytje ndonjëherë”,tha ajo.

Gjoni, një 69-vjeçar nga Derveni i Fushë-Krujës gjithashtu tha për “Faktoje” se niveli i ujit ka qenë shumë i lartë dhe se asnjëherë më parë nuk ishin përmbytur në atë mënyrë.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që të përmbytemi aq shumë sa këtë vit dhe vitin e kaluar sepse uji ka ardhur gati në dy metra. Kjo përmbytje mendoj se mund të ketë ardhur nga hapja e Bovillës”u shpreh ai.

Ndërkaq Klodian Zaimi, hidrolog pranë Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit tha për “Faktoje” se nuk mund të dilet në konkluzion nëse janë hapur ose jo rezervuarët pasi vetë sasia dhe koha e reshjeve të rëna ishte e konsiderueshme.

“Ne kishim paralajmëruar për përmbytje të mëdha. Rezervuarët kanë një vetëshkarkues kur kalohet limiti i ujit dhe hapen sipas një rregulli të caktuar. Por ndonjëherë rreziku është më i madh nëse nuk hapen digat. Por ende nuk ka informacion nëse janë hapur. Megjithatë duhet folur edhe për disa projekte jo të lejueshme inxhinierike apo dëmtim i shtretërve të lumenjve që ndihmuan në përmbytje,” tha Zaimi.

Duke qenë se nuk ka një institucion kompetent që të konfirmojë zyrtarisht që përmbytjet erdhën nga hapja e rezervuarëve, “Faktoje” e klasifikon këtë deklaratë si PA KATEGORI.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img