BallinaFaktometerE PavërtetëGazment Bardhi: Kryebashkiaku i Matit, Malaj, është i paligjshëm

Gazment Bardhi: Kryebashkiaku i Matit, Malaj, është i paligjshëm

Agron Malaj u rikonfirmua në detyrën e Kryebashkiakut të Matit me një vendim të KQZ-së, këtë të martë. Ky institucion u vu në lëvizje nga Partia Demokratike që konsideronte Malajn subjekt të dekriminalizimit dhe si i tillë, të jashtligjshëm si Kryetar Bashkie. “Faktoje” verifikoi këtë deklaratë të PD duke u konsultuar me ligjin përkatës dhe dy juristë. Ndryshe nga “precedentët” e mëparshëm me kandidatë dhe kryebashkiakë të PS, Malaj ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit dënimin nga Gjykata e Matit.


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, më 16 janar 2020, akuzoi kryetarin e Bashkisë Mat, Agron Malaj se në vitin 1999 ishte dënuar me vendim të formës së prerë për armëmbajtje pa leje dhe në bazë të Ligjit të Dekriminalizimit, duhej të dorëzonte mandatin.

Kërkesa e Partisë Demokratike drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme

Sipas vendimit të gjykatës, publikuar nga PD, Malaj rezulton i dënuar në vitin 1999. Më vonë ai ka qenë pjesë e Gardës së Republikës, madje ka qenë në detyrë në 21 janar 2011, ku gjatë protestës para Kryeministrisë humbën jetën 4 persona dhe disa të tjerë u plagosën.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Bardhi, deklaroi se kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj është subjekt i Ligjit për Dekriminalizimin ndaj duhej shkakrukar.

Ligji i dekriminalizimit e thotë qartë se një person nuk mund të ushtrojë funksione publike me një dënim të tillë, edhe kur vepra penale deklarohet nga i dënuari, siç është rasti i kryebashkiakut të paligjshëm të Edi Ramës në Mat – deklaroi Bardhi.

Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, më 8 qershor 2020, në një kthim përgjigje drejtuar PD, konfirmoi se kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj rezulton të jetë i dënuar me 10 vite burg më 7 tetor 1999, dënim të cilin e ka konfirmuar edhe në formularin e dekriminalizimit.


Vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar Partisë Demokratike

Po në 8 qershor, Prokuroria e Përgjithshme, pas kërkesës së Partisë Demokratike, referoi edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.


Shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme, drejtuar KQZ

Më 11 qershor, pas kthimit të përgjigjes nga Prokuroria e Përgjithshme, Partia Demokratike kërkoi nga Komisioni Qendron i Zgjedhjeve t’i heqë mandatin kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj.


Kërkesa e PD për heqjen e mandatit të Agron Malaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi të martën me 5 vota kërkesën e Partisë Demokratike për ndalimin e ushtrimit të detyrës për kryetarin e bashkisë së Matit, Agron Malaj. Sipas KQZ, Agron Malaj nuk është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës.

KQZ vendosi konstatimin se z. Agron Rufat Malaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mat, nuk përfshihet në kushtet e ndalimit të parashikuar nga ligji 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike, thuhet në njoftimin e komisionit.

Faktoje” e konsultoi vendimin e KQZ duke iu referuar fillimisht “Ligjit për Dekriminalizimin”. Neni 2 i këtij ligji  “Ndalimi për kandidim dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik” thotë: Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion  me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Por, neni 4 i “Ligjit të Dekriminalizimit”, “Periudha e ndalimit të kandidimit, zgjedhjes apo ushtrimit të një funksioni të zgjedhur ose të emëruar”, pika 4 referon se për gërmën “ç” (në postin e prefektit, i barazvlefshëm me atë të kryebashkiakut), duhet të merret në shqyrtim neni 69 i Kodit Penal.


Kodi Penal, neni 4

Neni 69 i Kodit Penal i konsideron “të rehabilituar” subjektet që janë dënuar me burgim për një kohë nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe që gjatë pesë vjetëve nga dita e përfundimit të vuajtjes së dënimit, nuk kanë kryer vepër tjetër penale (grupim ku bën pjesë edhe kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj).

Kodi Penal, neni 69 “Rehabilitimi”

“Faktoje” e konsultoi vendimin e KQZ edhe me juristët, Adriatik Lapaj dhe Sokol Hazizaj.  Avokati dhe pedagogu Lapaj, referuar të dhënave të raportuara nga Prokuroria e Përgjithshme, e konsideron korrekt vendimin e marrë nga KQZ.

Subjekti i marrë në shqyrtim rezulton të jetë kandiduar pas më shumë se 10 vitesh nga periudha e kryerjes së dënimit. Pra në baza ligjore, pasi subjekti ka vetëdeklaruar dënimin si dhe ka përfunduar “rehabilitimin”, mbajtja e funksionit publik, është vendim legjitim – argumentoi Lapaj.

Po ashtu edhe juristi Hazizaj, thotë se Agron Malaj nuk është subjekt i “Ligjit për Dekriminalizimin”, referuar hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Disa emra që kandiduan dhe fituan mandate deputeti apo kryebashkiaku nën siglën e Partisë Socialiste, më herët u laguan nga detyra si subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Valdrin Pjetri,  Agim Kajmaku, i Bashkisë Vorë, (aktulisht i shpallur në kërkim nga policia), Mark Babani i Bashkisë së Vaut të Dejës , Qerim Ismailaj, Bashkia Mallakastër apo Elvis Roshi, ish kryebashkiaku i Kavajës, u penalizuan nga ligji i dekriminalizimit, pasi kishin fshehur dënimet e mëparshme. Rasti i kryebashkiakut të Dibrës dallon pikërisht tek ky “detaj”, të cilin Malaj e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit para kanidimit për kryetar bashkie.

Nisur nga verifikimi dhe ballafaqimi i vlerësimit të juristëve vendosëm që deklaratën e ish deputetit të PD, Gazmend Bardhi ta kategorizojmë “Të pavërtetë”.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img