BallinaTë pambajturaIronia me shërbimin shëndetësor, bashkia Pukë fond 1 mijë lekë në dy vite për qendrën shëndetësore

Ironia me shërbimin shëndetësor, bashkia Pukë fond 1 mijë lekë në dy vite për qendrën shëndetësore

Njësia administrative Luf Qerret, me rreth 2200 banorë, ka marrë të paktën dy herë premtimin për rikonstruksionin e qendrës shëndetësore. Gjatë verifikimit, Faktoje mësoi se në 2018-n kur u bë premtimi i parë, bashkia nuk kishte parashikuar asnjë lek për këtë qëllim. Por situata bëhet qesharake gjatë dy viteve në vijim kur bashkia ka parashikuar 1 000 lekë investime për riparimin e godinave të ambulancave për gjithë fshatrat e Pukës.

…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….

 

Në vitin 2018, gjatë një takimi që kryetari I bashkisë së Pukës Gjona Gjonaj zhvilloi në kuadrin e turit të llogaridhnënies bëri këtë premtim: “Do të bëjmë realitet Ujësjellësin e ri për Lufin, Qendrën Shëndetësore dhe elementet e tjerë të infrastrukturës”.

Sipas Gjonajt, para mbarimit të këtij mandati, do të bëhej realitet çdo premtim i dhënë për atë zone e cila ka rreth 2200 banorë.

Një vit pas këtij takimi, Bashkia Pukë ka premtuar  përsëri se brenda pranverës të vitit 2020 do të rikonstruktohet qendra shëndetësore e Luf Qerretit.

Por çfarë është bërë pas më shumë se dy vitesh nga premtimet e kryebashkiakut të Pukës për këtë qendër shëndetësore?

“Faktoje” u përpoq të komunikonte fillimisht me bashkinë Pukë përmes një kërkese për informacion. Ne e pyetëm bashkinë nëse qendra shëndetësore ishte rikonstruktuar, por ky institucion nuk na ktheu përgjigje, ndaj kërkuam në faqen zyrtare buxhetin për investimet e bashkisë nga viti 2018 deri në vitin 2020. Në 2018-n buxheti i alokuar për kujdesin shëndetësor ka qenë zero.

Në listën e projekt-investimeve që është publikuar në faqen e  bashkisë, për vitet 2019-2020-2021 vlera e parashikuar për rikonstruktimin e ambulancave në fshatra është 500 lekë të reja për 2019 dhe 500 lekë të reja për 2020.

“Faktoje” vendosi të verifikojë në terren se në gjendje është qendra shëndetësore e Luf-Qerretit. Ajo që gjetëm ishte një ngrehinë thuajse e prishur.

Godina e qendrës shëndetësore Luf-Qerret.

Banorët e zonës na treguan se personeli i qendrës shëndetësore ishte zhvendosur në mjediset e njësisë administrative Luf-Qerret.

Përpara kësaj godine qëndronte e parkuar një ambulancë e cila sipas një prej punëtoreve të qendrës kishte më shumë se një vit që nuk përdorej për shkak të një problemi.

 

Ne hymë brenda këtyre mjediseve ku njëra dhomë ishte përshatur për vizitat e pacientëve. Edhe aty gjendja ishte dëshpëruese, mure me lagështirë, myk dhe pa kushte për ofrimin e një shërbimi normal shëndetësor.

Disa nga infermieret e qendrës na treguan për vështirësitë e punës në kushte të tilla, por thanë se nuk kishin zgjidhje tjetër. Personeli përbëht nga tetë inferimere dhe dy mjekë të cilët e jepnin shërbimin në 24 orë. Të gjitha tipologjitë e vizitave të zakonshme kryheshin në këto ambiente ndërsa për sa i përket trajtimit të rasteve të komplikuara ato dërgoheshin në Pukë. Personeli mjekësor i qendrës punonte prej 10 vitesh në mjediset e njësisë administrative, qëkur u zhvendos nga ndërtesa e shkatërruar e qendrës shëndetësore.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img