BallinaPremtimeQeveria dhe opozita fushatë premtimesh për biznesin e vogël

Qeveria dhe opozita fushatë premtimesh për biznesin e vogël

Biznesi i vogël është nga më të prekurit nga pandemia COVID-19 në Shqipëri, ku Tirana shënon numrin më të lartë të subjekteve të mbyllura në të gjithë Shqipërinë. Qeveria tha se do të falë tatim fitimin për 9 vitet e ardhshme për bizneset e vogla, por ndërkohë kreu i opozitës Basha ka premtuar se kur të vijë në pushtet do t’i heqë çdo taksë dhe tarifë vendore biznesit të vogël, përveç taksës 0,5% të xhiros vjetore. A është kjo retorikë për fushatë?

Qeveria për biznesin e vogël

Për 9 vite biznesi i vogël me qarkullim deri në 14 milionë lekë, nuk do të paguajë tatim mbi fitimin. Ky është propozimi i ditëve të fundit i qeverisë.

Eksperti i Ekonomisë Klodian Muço, vlerëson se heqja e këtij detyrimi do të lehtësojë kushtet e të bërit biznes.

Bizneset e vogla do të kenë një përfitim. Biznesi i vogël do të jetë më i lirë për të dhënë kuponin tatimor. Problemi më i madh i ekonomisë tonë është lëshimi i kuponit tatimor, dhe gjatë pandemisë u vu re se rreth 40% e ekonomisë ishte informale. Tani këto biznese nuk kanë më asnjë arsye që të bëjnë evazion fiskal pasi nuk do të paguajnë tatim mbi fitimin, dhe do të kenë tendencën t’i kërkojnë biznesit të madh që të marrë mall me faturë, kjo sjell formalizim të ekonomisë”- tha Muço.

Eksperti Arben Malaj, përmes një postimi në rrjetet sociale shpreh opinionin se kjo amnisti lidhet më shumë me zgjedhjet që janë në prag dhe nëse ndodh do të sjellë rënie të të ardhurave në buxhet më shumë sesa përfitime.

Debati për amnistinë duhet fokusuar në efektet jo pozitive që krijon në raport me takspaguesit që i paguajnë rregullisht detyrimet tatimore, në raport me nxitjen e mospagimit të taksave në pritje të amnistisë së radhës dhe në faktin që amnistitë në prag të zgjedhjeve kanë më shumë objektiva elektorale. Analiza e historive të amnistive në vendet e tjera dhe shumat modeste të përfituara në raport me pritshmëritë kur prezantohen amnistitë vërtetojnë shqetësimin e ekspertëve se kosto në rënie të të ardhurave në buxhet është më e madhe se përfitimet afatshkurtra të amnistive. Kjo e bën të detyrueshme që reformat për politikat dhe administrimin tatimor të kenë prioritet, tha ai.

Basha për biznesin e vogël

Kreu i opozitës jashtëparlamentare Lulzim Basha, duke takuar pronarë të bizneseve të  vogla premtoi se do t’u hiqtë atyre çdo taksë dhe tarifë vendore, duke u lënë si taksë vetëm 0,5% të xhiros vjetore.

Vetëm 0.5% do të jetë taksa vjetore. S’do të keni tarifa dhe taksa lokale, do të keni pullën këtu tek dera dhe nuk do të lejohet prani inspektori në biznes “, – tha Basha.

Artur Papajani, ekspert i ekonomisë tha për Faktoje se nisur nga fakti që qeveria do të zerojë tatimin mbi të ardhurat, që sipas tij mund të nxjerrë nga binarët sistemin e taksimit në vend, propozimi i kreut të opozitës është logjik në një prag fushate dhe i pranueshëm nga pikëpamja fiskale.

“Pra jo zero tatim, por lehtësimin nga tatimi. Plus më duket e arsyeshme që kjo përqindje përmbledh edhe taksat vendore. Pra ka një ide për të lehtësuar edhe pagesat e taksave në përgjithësi. Këto të fundit, ndryshojnë veç në rritje dhe në kushtet e mungesës së plotë të transparencës”-tha ai.

Agron Haxhimali, kryetar i Shoqatës së Bashkive tha për  Faktoje se nga pikëpamja finaciare dhe impakti; propozimi i Bashës është ndihmues për biznesin.

Kjo do ketë ndikim pozitiv pasi të gjithë do paguajnë diçka dhe jo si sot që paguan ai që paguan gjithmonë. Në këtë mënyrë ka më shumë shanse që të kemi më shumë të ardhura në buxhetet vendore. Përpos këtyre anëve pozitive, kjo qasje e propozuar do ndikojë pozitivisht edhe te një faktor tjetër, ai kulturor. Pra biznesi dhe institucionet do ndryshojnë sjelljen e tyre. Do respektojnë detyrimet reciproke, dhe do të ndërtojnë një kulturë marrëdheniesh mes tyre, jo me gjuhën e forcës por me gjuhën e respektimit të ligjit”- tha Haxhimali.

Megjithatë sipas Haxhimalit kjo qasje do të pasurohej më mirë nëse do kishte edhe qartësime të tjera.

Sotiraq Dhamo, ekspert kontabël mendon se “lufta” pozitë-opozitë me ulje taksash është e gabuar.

Duhet të shikohet për politika të tjera ekonomike që mbështetin biznesin e vogël por jo vetëm. Psh mbështetja me grante apo edhe me politika të tjera të atyre sektorëve që konsiderohen prioritare e me rëndësi si psh turizmi, agro biznesi, etj. Po ashtu në fushën tatimore të thjeshtohet sistemi, të mos ndryshojë disa herë gjatë vitit dhe cdo vit, të përmirësohet administrimi tatimor. Por vendosja e një tatimi mbi xhiron për biznesin e vogël është një mënyrë e mirë e tatimit të tij. Pastaj përqindjet sa duhet të jetë është tjetër diskutim”, -tha Dhamo për Faktoje.

Qeveria dhe opozita duket se janë në të njëjtin front, të dyja me premtime për të ndihmuar biznesin e vogël i cili është rënduar së tepërmi gjatë pandemisë. A është kjo një nisje e fushatës së zgjedhjeve të vitit 2021?

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img