Në Fier u prezantuan rezultatet e raportit të monitorimit mbi transparencën dhe llogaridhënien e Bashkisë, në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, që Faktoje zhvillon për të katërtin vit radhazi në bashkëpunim me organizatën amerikane National Endowment for Democracy (NED).

Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje prezantoi këtë të hënë, 26 shkurt, përpara përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe gazetarëve lokalë gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer mbi punën e kësaj bashkie gjatë vitit 2023.

Raporti u bazua në verifkimin e dy komponentëve, atij të transparencës dhe mbajtjes së premtimeve. Transparenca e bashkisë u mat përmes 16 indikatorëve që rrjedhin nga detyrimet ligjore për funksionimin e pushtetit vendor dhe ai për të drejtën e informimit. Sa i përket premtimeve, Faktoje përzgjodhi dhe verifikoi 4 premtime elektorale të fushatës së Majit 2023.

Bashkitë e monitoruara gjatë kësaj periudhe janë ajo e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Korçës, Dibrës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Kavajës dhe Himarës.

Analiza tregoi se nga 40 premtime elektorale të fushatës së Majit 2023 në të dhjetë bashkitë, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht dhe 11 pjesërisht. Ndërkohë, 24 premtime ose rreth 70% e premtimeve të bëra nga bashkitë apo kryebashkiakët e tyre nuk janë mbajtur. Nisur nga ky monitorim, niveli i transparencës për Bashkinë Fier arrin në 68.7%.

*rezultatet e Bashkisë Fier sipas indikatorëve të transparencës

Ky nivel transparence ka shënuar rritje krahasuar me dy vite të mëparshme, përkatësisht viti 2020 me 40% dhe viti 2021 me 60% nivel transparence të Bashkisë.

*Ecuria e nivelit të transparencës së Bashkisë Fier gjatë viteve të monitorimit nga Faktoje

Sa i takon mbajtjes së premtimeve, Bashkia e Fierit ka rezultuar me 3 premtime të pambajtura dhe një premtim pjesërisht të mbajtur.

  1. Ndërtimi i një tregu bashkëkohor për tregëtimin me shumicë të produkteve bujqësore. – Premtim i pambajtur
  2. Përfundimi i rehabilitimit të qendrës së Libofshës – Premtim i pambajtur
  3. Ndërtimi i rrugës nga Manastiri i Ardenicës deri në kishën e Shëngjergjit në Libofshë – Premtim i pambajtur
  4. Përfundimi për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore në njësinë Levan & përfundimi i punës për rehabilitimin e sistemit kullues – Premtim pjesërisht i mbajtur

Monitorimi i kryer nga gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile synon të masë nivelin e transparencës në institucionet e pushtetit vendor në Shqipëri si dhe të nxisë ndarjen e informacionit për publikun si dhe llogaridhënien publike lidhur me vendimmarrjen, por edhe menaxhimin e punës së këtyre institucioneve. Premtimet u monitoruan në bazë të një metodologjie që përfshin analizën buxhetore, monitorimin e prokurimit publik si dhe vëzhgimet në terren. Ndër indikatorët e transprancës ishin programi e transparencës, konsultimi publik si dhe zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit.

Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).