Në kulmin e fushatës elektorale për mandatin e tij të tretë në krye të bashkisë së Fierit, kandidati socialist Armando Subashi u premtoi banorëve të Libofshës se rregullimi i qendrës së fshatit do të përfundonte shumë shpejt. Por, prej 8 muajsh banorët jetojnë mes baltës dhe errësirës, pasi puna e nisur gjatë fushatës u la në mes. Bashkia e Fierit pranon për Faktojen, se për qendrën e Libofshës ende nuk ka një financim.

Jona Plumbi

Njazi Muharremi dhe zonja Muharremi janë të dy pensionistë. Prej një jete qëndrojnë në Libofshë. Aty rritën fëmijët përpara se ata të niseshin për në emigracion për të punuar. Tani jetojnë të dy, në shtëpinë dy-katëshe pranë qendrës së Libofshës.

16 Nëntor 2023 – Libofshë

Pak kohë përpara zgjedhjeve në Libofshë erdhën fadromat dhe gërrmuan rrugën ku jeton edhe ai me të shoqen. Banorëve i’u thanë se janë punimet për pedonalen e Libofshës, pjesë e punimeve për Rilindjen Rurale.

Fillimin e punimeve në Libofshë e njoftoi kryetari i bashkisë, njëkohësisht asokohe edhe kandidati socialist për mandatin e tretë në Fier, Armando Subashi së bashku me deputeten e zonës, Ermonela Felaj.

Në video dëgjohen dy politikanët të diskutojnë se pas nisjes së punimeve, përfundimi pritet shumë shpejt.

Për të parë se si kanë shkuar punimet, gjashtë muaj pasi Armando Subashi mori 2060 vota në Libofshë, Faktoje vajti për një verifikim në terren.

Qendra e Libofshës është ende e paprekur. Tabela e punimeve është hequr dhe ka mbetur vetëm skeleti i hekurt i ndryshkur.

Qendra e Libofshës, 16 Nëntor 2023

Aty pranë takuam Njaziun që na tregoi se puna ka nisur në rrugën pranë shtëpisë së tij, por pasi u gërrmua punëtorët ikën dhe nuk u kthyen më.

Natën rrëzohesh,

nuk sheh se s’ka drita.

Njaziu na tregon se në ditët me shi, e gjithë balta dhe uji i rrugës i hyjnë në oborrin e shtëpisë. Kjo gjendje zgjat prej tetë muajsh.

Banorët e kësaj rruge në Libofshë janë lënë pa ndriçim dhe pa kanalizime. Ata na tregojnë se më parë kishte dy panele diellore për ndriçimin e rrugës, por Bashkia i hoqi dhe ende nuk i ka zëvendësuar.

Libofshë, 16 Nëntor 2023

Situata përsëritet në të gjitha rrugët rreth qendrës së Libofshës.

Për të marrë më shumë informacion nga Bashkia Fier, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion për të pyetur lidhur me projektin e reklamuar prej kryetarit të Bashkisë si punë që përfundon “brenda vitit të parë”.

Fillimisht Bashkia Fier na tha se informacioni i kërkuar nga ne është shumë voluminoz, ndaj na kërkoi të udhëtonim drejt Fierit për të tërhequr dokumentat e kërkuara. Por në vazhdim bashkia refuzoi të na njoftonte për tarifën që duhej paguar dhe kohën kur mund të tërhiqnim “materialin voluminoz” të kërkuar.

Thuajse një muaj pas njoftimit se dokumentacioni duhej tërhequr fizikisht në Bashkinë Fier, kjo e fundit na ktheu përgjigje elektonike për pyetjet e kërkuara.

Sipas Bashkisë Fier “Projekti i “Rehabilitimi i Qendrës së Libofshës” është ende në procedurë leje dhe për aq kohë sa projekti nuk ka marrë financime pra nuk është në fazën e realizimit/zbatimi, autorët në mbrojtje të së drejtës së krijimit, nuk mund ta afrojnë për publikun”.

Pra, jo vetëm qendra e Libofshës nuk ishte afër përfundimit në muajin maj kur Subashi dhe Felaj bënin video elektorale, por, sipas Bashkisë Fier, ky projekt ende nuk ka marrë financim dhe aq më pak të ketë filluar puna për zbatimin e tij.

Nisur nga këto informacione zyrtare dhe verifikimi në terren, premtimi elektoral të kryebashkiakut të Fierit për përfundimin e punës në qendrën e Libofshës e kategorizojmë një premtim të pambajtur.

*“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.