BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëBashkia Fier nuk nisi punën për rrugën që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit

Bashkia Fier nuk nisi punën për rrugën që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit

Premtimi elektoral për nisjen e rikonstruksionit në rrugën lidhëse të Manastirit të Ardenicës me Kishën e Shëngjergjit dhe Manastirin e Shën Kozmait, është shkelur. Faktoje verifikoi se ky premtim i kandidatit fitues për të tretin mandat në bashkinë Fier, Armando Subashi lidhet me një tjetër premtim të pambajtur. Sipas konfirmimit të Bashkisë Fier, hartimi i planit për rikonstruksionin e rrugës kushtëzohet nga “Rehabilitimi i qendrës së Libofshës”, projekt që nuk ka nisur.

Jona Plumbi

Në datën 5 Maj, pak ditë para zgjedhjeve vendore të 14 Majit, qendra e Libofshës kumboi nga kënga që socialistët zgjodhën për fushatën elektorale. Nën tingujt e refrenit “vetëm përpara, ta honksha zemrën”, kandidati socialist Armando Subashi takoi banorët e Libofshës për t’i prezantuar atyre planin e Partisë Socialiste në katër vitet e ardhshme.

Në mesin e premtimeve elektorale, Subashi njoftoi se brenda vitit 2023 do niste puna për një segment rrugor pranë Libofshës.

“Brenda këtij viti të nisim ndërtimin e rrugës nga Manastiri i Ardenicës deri në Kishën e Shëngjergjit në Libofshë dhe drejt Manastirit të Shën Kozmait.” – i tha Subashi banorëve.

Nisur nga ky premtim, gjashtë muaj pas takimit elektoral dhe vetëm një muaj përpara përfundimit të vitit, Faktoje udhëtoi drejt Fierit për të verifikuar nëse kishin nisur punimet.

Manastiri i Ardenicës ndodhet 17 kilometra në verilindje të qytetit të Fierit. Për të arritur atje ndoqëm rrugën kombëtare që lidh Lushnjen me Fierin ku në majë të kodrës, në lartësinë 237 metra mbi nivelin e detit shfaqet Manastiri i Ardenicës.

*Manastiri i Ardenicës, 17 Nëntor 2023

Manastiri dukej i mbyllur, por pasi trokitëm në portën e rëndë të hyrjes, një zotëri na priu udhën për të na treguar ndërtimin e kohës së mesjetës, që mban emrin e Marisë Hyjlindisë, që njihet si mbrojtëse e bujqësisë.

*Manastiri i Ardenicës, 17 Nëntor 2023

Ndërtimi i tipit biznatnino-ortodoks vizitohet nga turistët gjatë periudhës së verës, por jo gjatë dimrit kur Manastiri qëndron kryesisht i mbyllur.

Në hartë kërkojmë për rrugën që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shëngjergjit. Harta na tregon drejtimin që duhet të marrim për të hyrë në rrugën që zgjatet 2.6 kilometra deri tek Kisha.

Aty pranë takojmë Silvesterin që na tregon me dorë drejtimin e rrugës.

*Silvester, banor i Libofshës na tregon rrugën që lidh manastirin e Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit

Rruga, në fakt, është vetëm shteg.

*Shtegu që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit, 17 Nëntor 2023

Silvester na tregon se rruga nuk mund të përshkohet me autoveturë, pasi vetëm mjetet që janë enkas për shtigje të vështira mund të kalojnë pa mbetur në baltë.

Rrugën e bëj çdo ditë. Si unë edhe të tjerë që kanë tokat ktej. Kur është moti i mirë rrugën e bëj me motorr për 5 minuta. Por nëse bie shi duhet ta bëj në këmbë, sepse bëhet shumë keq. Gjysmë ore më merr rruga në këmbë” – tregon Silvester.

Edhe pse kohë me diell në 17 nëntor, kur kryem verifikimin në terren, një ditë më parë kishte pasur reshje, ndaj makina e kishte të pamundur të kalonte përmes shtegut.

*shtegu që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit, 17 Nëntor 2023

Për të gjetur fundin e kësaj rruge, u detyruam të kthehemi përsëri në rrugën kombëtare deri në Mbrostar dhe pas 23 minutash mbërritëm në Kishën e Shën Gjergjit në Libofshë.

*Kisha e Shën Gjergjit, Libofshë

Rruga në fjalë, ajo që lidh Kishën me Manastirin duket e mbuluar nga balta e tharë.

*Shtegu që lidh Kishën e Shën Gjergjit me Manastirin e Ardenicës, 17 Nëntor 2023

Në Kishë nuk gjejmë askënd që të na tregojë lidhur me planin e njoftuar nga Bashkia. Ndaj nisemi edhe njëherë për të verifikuar nëse rregullimi i rrugës ka nisur nga Manastiri i Shën Kozmait.

Për të mbërritur tek porta e Manastirit, përshkojmë një rrugë të asfaltuar së fundmi. Në Manastir takojmë priftin, i cili na shpjegon se rruga e shtruar që pamë nuk është investim i Bashkisë Fier, por i një familjeje besimtare që ka investuar vullnetarisht në respekt të Manastirit.

*Manastiri i Shën Kozmait, 17 Nëntor 2023

Për të mësuar më shumë, ne kërkuam informacion zyrtar nga Bashkia Fier lidhur me planin për nisjen e rregullimit të kësaj rruge.

Në përgjigjen e saj Bashkia e Fierit tregon një tjetër version, nga ai që njoftoi Subashi përpara zgjedhjeve.

“Hartimi i projekt-planit për ndërtimin e rrugës që do të lidhë Manastirin e Ardenicës me kishën e Shën Gjergjit në Libofshë është i kushtëzuar nga miratimi dhe realizimi i projektit të “Rehabilitimit të Qendrës së Libofshës sqaron bashkia Fier.

Rehabilitimi i Qendrës së Libofshës është një tjetër premtim elektoral i Armando Subashit për zgjedhjet e vitit 2023. Edhe ky premtim është verifikuar nga Faktoje si i pambajtur, për shkak të nisjes së punimeve në Maj dhe ndërprerejs së menjëhershme të tyre, duke i lënë banorët prej 8 muajsh në mes të baltës dhe territ.

Nisur nga këto të dhëna dhe nga verifikimi në terren, premtimin elektoral të kryetabshkiakut të Fierit, Armando Subashi për nisjen e punës brenda vitit për rrugën që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit dhe Manastirin e Shën Kozmait, e vlerësojmë si të pambajtur.

*“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img