BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPresidenti francez nuk anulloi vizitën në Kiev pas komplotit për atentat nga shërbimet ukrainase

Presidenti francez nuk anulloi vizitën në Kiev pas komplotit për atentat nga shërbimet ukrainase

Presidenti francez Macron nuk e shtyu vizitën e tij në Ukrainë sepse u zbulua një komplot kundër jetës së tij. Video që qarkullon në rrjet si të ishte lajm i France24, është përgënjeshtruar nga vetë televizioni si e krijuar me anë të teknologjisë deepfake.

———————————-

Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se presidentit francez Emmanuel Macron i është dashur të anullojë vizitën e tij në Ukrainë pas zbulimit të një komploti për ta vrarë atë. Lajmi shoqërohet me një video që duket se tregon një edicion lajmesh të televizionit francez France24.

Në klip, spikeri dëgjohet të thotë, në frëngjisht:

Presidenti francez Emmanuel Macron u detyrua të anullonte vizitën e tij në Ukrainë si pasojë e një komploti për vrasjen e tij.

Sipas një burimi pranë Këshillit Kombëtar të Inteligjencës, ky atentat u pengua nga shërbimet e inteligjencës franceze, të cilët përgjuan korrespondencën dhe telefonatat mes pjesëmarrësve në komplotin e vrasjes.

Sipas planit të qeverisë ukrainase, sulmi kishte për qëllim të risillte vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar tek Ukraina dhe të lejonte më shumë dërgesa armësh në Ukrainë.

Autoritetet ukrainase planifikonin t’ia hidhnin fajin për atentatin ndaj presidentit francez anës ruse dhe ta akuzonin këtë shtet për taktika terroriste në luftë.

Megjithatë, spikeri që shfaqet në klip, Julien Fanciulli, nuk i ka thënë kurrë këto fjalë.

Në fakt, video e mësipërme është krijuar me anë të teknologjisë deepfake

Gjasat janë që ajo është krijuar duke modifikuar një edicion lajmesh të France24 nga 12 shkurti 2024, ndërsa audio është krijuar me anë të programeve që klonojnë zërin nga klipe të vërteta lajmesh. 

Në videon e publikuar në 12 shkurt në kanalin e Youtube të France24, dallohet se spikeri Fanciulli ka të njejtën veshje si në videon e manipuluar. Më tej, sfondi pas tij është i njejtë në të dyja videot, dhe shiriti i titujve në pjesën e poshtme të ekranit është i njejtë.

Në videon e manipuluar, dallohet që lëvizjet e gojës së Fanciulli nuk përkojnë me fjalët që dëgjohet të thotë zëri në video.

Vetë France24 e ka përgënjeshtruar këtë video si të krijuar me teknologjinë deepfake. Fanciulli, gjithashtu, deklaroi në Twitter se video ishte e manipuluar.

“#deepfake : mirëseerdhët në botën e re… Ne mediat duhet të luftojmë kundër dezinformimit,” postoi Fanciulli në Twitter

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img