BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëLevan - Ndërhyrje gjysmake për infrastrukturën dhe kanalet kulluese

Levan – Ndërhyrje gjysmake për infrastrukturën dhe kanalet kulluese

Në takimet me banorët e njësisë Levan, përpara zgjedhjeve të 14 Majit 2023, kandidati socialist Armando Subashi premtoi përfundimin e punimeve për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore dhe pastrimit të kanaleve kulluese. Gjashtë muaj pas zgjedhjeve, një verifikim i Faktoje tregon për ndërhyrje gjysmake, që për pasojë nuk e kanë zgjidhur problemin e përmbytjeve të banesave sa herë bie shi.

Jona Plumbi

Përpara zgjedheve vendore të Majit 2023, qytetarët në zona të ndryshme të Shqipërisë u njohën me premtimet elektorale të kandidatëve për kryebashkiakë. Mes zotimeve për shtrim rrugësh dhe pastrim të kanaleve kulluese e gjetën veten edhe banorët e Levanit në Fier.

Më 10 Maj 2023, katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, Armando Subashi i premtoi banorëve  “përfundimin e rehabilitimit të infrastrukturës rrugore në njësinë Levan” si dhe “përfundimin e punës për rehabilitimin e sistemit kullues” të kësaj zone.

Njësia Levan i përket Bashkisë Fier dhe përfshin fshatrat Ferras, Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Shtyllas, Bishan, Bashkim, Boçovë, Martinë, Pishë Poro dhe Qarr.

Faktoje u interesua pranë Bashkisë Fier për afatin e përfundimit të punimeve për infrastrukturën rrugore të njësisë Levan dhe rehabilitimin e sistemit kullues, para se të shkonte për verifikim në terren.

15 vjet për rehabilitimin e rrugëve rurale

përgjigjen për Faktoje, Bashkia Fier rrëzon premtimin e kandidatit fitues Armando Subashi për përfundim të punimeve dhe konfirmon se përfundimi i tyre tejkalon edhe vetë mandatin 4 vjeçar që Subashi mori pas 14 Majit.

Rehabilitimi i infrastrukturës rrugore në Njësinë Administrative Levan ka filluar që në vitin 2015 dhe do të vazhdojë deri në vitin 2030”.

– Bashkia Fier, 7 Nëntor 2023

Bashkia vijon duke njoftuar se aktualisht, të gjitha qendrat e fshatrave të kësaj njësie janë të lidhura me rrjet rrugor të shtruar dhe të asfaltuar. Gjatë verifikimit në terren në Njësinë Levan, në fshatrat Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Qarr dhe Bishan, rrjeti infrastrukturor ekzistues i fshatrave ishte i asfaltuar, por rrugëve u mungon ndriçimi, sinjalistika dhe sistemimi.

*Fshati Bishan, Njësia Administrative Levan, 16 Nëntor

Por situata nuk është njësoj për fshatrat Peshtan i Vogël dhe Peshtan i Madh, që ndodhen në zonën kodrinore të njësisë Levan.

*harta e njësisë Levan, shënuar me pika të kuqe fshatrat që janë pjesë e kësaj njësie administrative

Aty takuam Izet Saliajn, i cili sapo kishte përfunduar së rregulluari pragun e portës së shtëpisë ku jeton me gruan dhe dy nipërit e tij.E ngrita këtë që të mos përmbytemi. – na thotë Izeti duke treguar me gisht punën e përfunduar.

*banori i fshatit Peshtan i Vogël në Njësinë Administrative Levan, 16 nëntor 2023

Kur bie shi, i gjithë uji vjen nga lart dhe më hyn në shtëpi. Kanalin e kam hapur vetë se këtu nuk vjen njeri.” – na shpjegon Izet Saliaj duke treguar rrugën e rrënuar dhe pjerrësinë që sipas tij “krijon një lumë uji që të merr përpara”.

*rruga e pashtruar dhe kanalet e bllokuara në Peshtan të Vogël, Levan, 16 nëntor 2023
*kanali i hapur nga vetë banorët në Peshtan të Vogël, Levan 16 nëntor 2023

Bashkia “pason topin” tek banorët

Për pastrimin e sistemit kullues, për të cilin Subashi njoftonte përfundimin e shpejtë të punës, Bashkia na konfirmon se këtë punë ia ka ‘deleguar’ banorëve të zonës për një pjesë të kanaleve.

“Sot, ne kemi pastruar kanalet e para dhe të dyta, janë sistemuar argjinaturat e tyre, ndërsa kanalet e treta po kërkohet bashkëpunimi nga banorët e fshatrave për pastrimin të tyre nga vetë ata.” – Bashkia Fier, 7 Nëntor 2023.

Izeti me gruan e tij na tregojnë se nuk kanë mundësi ta mirëmbajnë vetë kanalin kullues, se edhe mundësitë financiare nuk i kanë. “Jemi të dy pensionistë. Këtu nuk ka as kopësht, as shkollë. Djalin e madh e çojmë në shkollë në Fier. Paguajmë 1000 lekë transportin çdo javë. Djalin e vogël e mbajmë në shtëpi se nuk kemi para për të paguar rrugën çdo javë deri tek kopshti në Fier.

Edhe pse situata në fshatrat Qarr dhe Bishan është pak më e mirë se ajo në Peshtanin e Madh dhe atë të Vogël, pastrimi i kanaleve kulluese në njësinë Levan është shumë larg të qenit i përfunduar, siç premtoi Armando Subashi përpara zgjedhjeve vendore.

*kanal kullues në fshatin Peshtan i Madh ku duket pastrami i pjesshëm i tij, 16 nëntor 2023

Në zona të ndryshme të kësaj njësie vihen re kanale të bllokuara nga barishte dhe ndonjëherë edhe materiale inerte.

*kanali kullues në fshatin Qarr, Njësia Administrative Levan, 16 Nëntor 2023

Mbetjet e nxjerra nga kanalet kulluese gjenden të grumbullura anës tyre.

Kanalet pranë banesave janë kryesisht të papastruara ose plotësisht të bllokuara.

*kanal kullues pranë banesave në fshatin Bishan në njësinë Administrative Levan, Fier, 16 Nëntor 2023

Pas verifikimit të premtimit të kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi për “përfundim të punimeve për rrugët dhe pastrimin e kanaleve kulluese në njësinë Administrative Levan”, vendosëm që ta kategorizojmë pjesërisht të mbajtur.

*“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img