Gjetje

  • Dezinformimi për vaksinat dhe pasojat e tij vijojnë edhe pas pandemisë: Gjetjet e 44 organizatave anëtare të EFCSN që kontribuan në databazën e Elections24Check project vërtetojnë se kjo temë renditet pas raportimeve për luftën në Gaza, në listën e temave për të cilat është identifikuar dezinformimi
  • Pjesë e prodhuesve të dezinformimit ishin edhe zyrtarë publikë në Shqipëri. Dezinformimit mbi pandeminë dhe vaksinat nuk I shpëtuan as politikanët në Shqipëri, të cilët ngritën pritshmëri te publiku, por shkelën angazhimin
  • Ndikimi në perceptimin publik: Përhapja e dezinformatave ka kontribuar perceptimin e gabuar dhe në konfuzion duke ulur besimin e publikut edhe në institucionet shtetërore, por edhe mediak. Madje në rastin e Shqipërisë u përhap narrativa se Bashkimi Europian nuk po ndihmonte me vaksinat.

Gjatë pandemisë COVID-19, kombet në mbarë botën e gjetën veten duke u përballur jo vetëm me pasojat fizike dhe ekonomike të virusit, por edhe me përhapjen tinëzare të dezinformatave dhe propagandës. Shqipëria, si shumë vende të tjera, kishte sfidat e saj në detin e trazuar të dezinformimit, keqinformimit dhe propagandës. Një ndër premtimet më të bujshme të asaj kohe ishte zotimi i kryeministrit Edi Rama për të ngritur një fabrikë për prodhimin e vaksinave të ndryshme. Në 2021, ky premtim u pa si një fener shprese përballë pasigurisë, pasi Shqipëria nuk kishte arritur të siguronte sasinë e nevojshme të vaksinave kundër Covid-19 teksa pandemia merrte jetw njerwzish.

Megjithatë, me kalimin e kohës, ky premtim rezultoi një fasadë, duke lënë pas gjurmë zhgënjimi.

Statistika të përhapjes së dezinformimit

Edhe pse ka të paktën 2 vjet që pandemia e covid 19 ka përfunduar, dezinformimi mbi këtë tematikë dhe vaksinat anticovid vijon të jetë e lartë në Europë. Bazuar në të dhënat e databazës ku kontribuan mbi 40 orgnizata fact-checking anëtare të EFCSN  nga 18 shkurti deri në javën e tretë të qershorit 2024, raportimet dezinformuese mbi pandeminë dhe vaksinat zënë vendin 9 në listën e tematikave të verifikuara nga kolegët europianë, duke u pozicionuar pas temës së luftës në Gaza. 

Nga 196 verifikime të raportuara mbi pandeminë covid 19, kanë rezultuar 68.8% të pavërteta, 6.49% pjesërisht të vërteta, 23.4% jashtë kontekstit dhe vetëm 0.8% e totalit raportimeve të verifikuara, të vërteta. 

Shqipëria

Në fillim të vitit 2021, ndërsa Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera, përpiqej të siguronte vaksinat dhe të luftonte përhapjen e virusit, kryeministri Edi Rama doli përpara shqiptarëve me një premtim të guximshëm. 

“…kemi nisur bisedat për të sjellë në Shqipëri edhe fabrikën e prodhimit të vaksinave. Një fabrikë e teknologjisë së lartë, e cila aktualisht është një ndër kompanitë më të mëdha farmaceutike në botë.”deklaronte Rama, teksa pretendonte se vaksinimi kundër Covid 19 mund të bëhej i detyrueshëm dhe i përvitshëm. 

Planet për ngritjen e një fabrike moderne të dedikuar për prodhimin e 7 vaksinave në Shqipëri, sipas kryeministrit, jo vetëm do të mbulonin nevojat e tregut vendas por edhe do të eksportoheshin. 

 “Janë prodhime të rralla që mund të eksportohen dhe patjetër që mbulojnë edhe nevojat e tregut vendas…mos mendoni që historia do të mbyllet kaq kollaj, sepse sipas të gjitha gjasave vaksina anti covid do të jetë një vaksinë që do të bëhet rregullisht. Si një vaksinë gripi. Dhe nga ana tjetër nuk besoj se tani do filloni të ankoheni ç’na duhet fabrika…”paralajmëronte kryeministri Edi Rama asokohe. 

Sipas deklartatave publike, fabrika do të ndërtohej në bashkëpunim me një kompani farmaceutike turke që bënte shpërndarjen e vaksinës Sinovac. 

Si u pasqyrua premtimi në media 

Në mars të 2021, ngritja e një fabrike vaksinash, u shndërrua në kryelajmin e mediave kryesore të vendit, qofshin ato tradicionale apo mediat online. Nëse shkruan në motorin e kërkimit google fjalët kyçe ‘Fabrikë vaksinash në Shqipëri’ të dalin mi 10, 000 rezultate. 

“Jo vetëm vaksinën, por edhe fabrikën e prodhimit do ta sjell në Shqipëri”…- 

“Fabrikë vaksinash në Shqipëri, Rama diskuton për projekte të tjera në Ankara”

“Rama: Në bisedime për të sjellë fabrikën e prodhimit të vaksinave në Shqipëri…” 

Këto janë disa nga titujt kryesor që pasqyruan mediat pas daljes publike të kryeministrit Edi Rama asokohe.  

Dy vite më vonë

Pasi planet e qeverisë për ngritjen e një fabrike vaksinash mbetën vetëm në kuadër fjalësh, skepticizmi filloi të zëvendësonte optimizmin. Përtej deklaratave publike, në realitet nuk kishte asnjë shenjë të dukshme ndërtimi për fabrikën që do të mbulonte nevojat e vendit për vaksina kundër koronavirusit. 

Dhe teksa muajt u shndërruan në vite, u bë e qartë se fabrika e shumëpritur nuk ishte asgjë më shumë së sa thjeshtë propagandë e qeverisë. 

“Premtimi publik për ngritjen e një fabrike të prodhimit të vaksinave të teknologjisë së lartë në Shqipëri, është rasti klasik i propagandës politike. Nga njoftimi i kryeministrit per një investim madhor strategjik, të mirëmenduar, te realiteti kanë mbetur vetëm fjalët.”, argumenton pedagogu i gazetarisë investigative Lutfi Dervishi. 

Ky hendek, sipas tij, është një strategji për të larguar vëmendjen e publikut nga çështjet urgjente ose dështimet në sektorë të tjerë. 

“Sot në retrospektivë, këto deklarata shërbejnë më shumë si kujtesë që “e nesërmja me arritje konkrete do të mbetet gjithmonë si ajo tabela: “sot me pagesë, nesër falas”.”, përfundon Dervishi. 

Agjencia për Media dhe Informim nuk i dha përgjigje interesimit të Faktoje lidhur me mosmbajtjen e këtij premtimi madhor në kohë krize, siç ishte dhe pandemia Covid -19. MIA ia delegoi kërkesën për informacion Ministrisë së Shëndetësisë. Këta të fundit, pas një procesi ankimimi pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, dhanë këtë përgjigje: 

“Për shkak të mosreagimit në kohë të Bashkimit Europian, për të mbështetur me doza vaksine kundër SARS COV 2 vendet e rajonit, çdo qeveri në mënyrën më të arsyeshme kishte përgjegjësinë e zgjidhjes së rrugëve apo mundësive alternative, për të siguruar mbrojtjen e shëndetit publik, në sigurimin e vaksinave antiCOVID, përfshirë këtu edhe mundësinë për një fabrikë vaksinash të teknologjisë së lartë.”– pohon Ministria e Shëndetësisë, në përpjekje për të justifikuar premtimin e bërë nga kryeministri Edi Rama. 

Sipas këtij institucioni, në kohën kur u bë premtimi, vaksinat në gjendje nuk mbulonin nevojat e popullatës. Por më pas, qeveria arriti të mbulonte popullatën me vaksina falë një marrëveshjeje me kompaninë Pfizer, duke nënkuptuar se kjo ishte dhe arsyeja se përse qeveria nuk vijoi më tej planet për fabrikën. 

“Mospasja e një fleksibiliteti në prokurimin e drejtpërdrejtë të vaksinave antiCOVID apo mossigurimi i sasisë së plotë që të mbulonte gjithë popullatën rezidente, bëri të mundur hyrjen në tratativa direkte të sigurimit të vaksinave Pfizer me marrëveshje të drejtpërdrejtë të Qeverisë shqiptare me kompaninë, gjë që siguron edhe qëndrueshmërinë në këtë proces.”, përfundon Ministria e Shëndetësisë. 

Por e vërteta është se, kur kryeministri prezantoi për herë të parë planet për fabrikën, ndër të tjera theksoi faktin që ajo do të ishte për 7 lloje vaksinash dhe veç tregut vendas, synonte eksportin. 

Përfundim 

Saga e fabrikës së premtuar të vaksinave në Shqipëri shërben si një kujtesë për fuqinë e propagandës në kohë krize. Ajo që u pasqyrua në media si një shpresë u shndërrua shumë shpejt në propogande boshe, duke ngitur pritshmëri dhe krijuar perceptim të gabuar te publiku, por edhe zhgënjim dhe ulje të besimit tek institucionet publike. 

*Ky artikull është pjesë e një projekti bashkëpunues të mbi 40 organizatave të udhëhequra nga Rrjeti Evropian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve për të luftuar dezinformimin rreth Zgjedhjeve Evropiane 2024. Mund të mësoni më shumë në elections24.efcsn.com. 

SHËNIM: Artikulli i dates 7/05/2024 është përditësuar me të dhëna të reja nga databaza https://elections24.efcsn.com/statistics