BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingQeveria ‘justifikon’ muzeun e munguar të Dritëroit në, Menkulas: Nuk është pasuri kulturore

Qeveria ‘justifikon’ muzeun e munguar të Dritëroit në, Menkulas: Nuk është pasuri kulturore

FRANÇESKA NDOJA

Për Dritëro Agollin, personalitetin jo vetëm në fushën e letrave, nuk gjenden fonde për të jetësuar veprën dhe kujtimin e tij në fshatin e lindjes, Menkulas të Devollit. Pas një debati institucional qeveri-pushtet vendor, që vazhdon prej të paktën dy dekadash, Ministria e Kulturës justifikon mungesën e shtëpisë muze me argumentin se ajo nuk është pasuri kulturore. Prej vitit 2002 e deri më sot, nismat vullnetare dhe ndonjë fond minimal nga komuna, nuk kanë arritur të realizojnë këtë nismë dhe sot banesa nuk është gjë tjetër veçse një gërmadhë.

Në fshatin Menkulas, aty ku lindi dhe kaloi rininë e hershme poeti i madh Dritëro Agolli, sot duhet të ishte shtëpia muze, e premtuar nga Komuna Miras Devoll që në vitin 2002.

“Iniciativën e ka marrë shoqata Devolli, e cila i kërkoi komunës Miras Devoll, ndërtimin e godinës së ish koperativës bujqësore të zonës për ta kthyer në shtëpi muze në vitin 2002 dhe për këtë këshilli i komunës, e ktheu nga një ish godinë publike u regjstrua në shtëpi muze të Agollit”-dwshmon pwr Faktoje kryetari i shoqatës “Devolli”- Guri Seferi.

Paradoksi qëndron në faktin se Menkulasi i Dritëroit sot nuk ka asnjë gjurmë fizike që e lidh me poetin e madh. E vetmja lidhje, është ajo shpirtërore për të cilën flasin bashkëmoshatarët e paktë që kanë mbetur në vendlindjen e poetit.

Në këto 20 vite, media të ndryshme kanë raportuar se në vend të shtëpisë muze, në fshatin Menkulas, sot gjenden rrënojat e banesës. Nga një verifikim në terren për Faktoje, konstatuam se banesa kishte kohë që kishte degraduar dhe asgjë nuk tregonte për historinë e poetit madhështor Dritorë Agolli.

Banesa që duhej të ishte shtëpia muze’ e Dritëro Agollit, Menkulas, dhjetor 2021

Banesa që duhej të ishte shtëpia muze’ e Dritëro Agollit, Menkulas, dhjetor 2021

“Pas shpërbërjes së komunizmit godina e ish koperativës u mendua nga përgjegjës të zonës t’i lihet të madhit Agolli në ndërtimin e një muzeu. Lënia e saj vazhdoi për vite me rradhe derisa një dritë jeshile u dha për rikonstruksuonin e pjesshëm në vitin 2002. Një fond i vogël i veprave të Agollit qëndroi për pak kohë e më pas u vodhën e u shkatërruan. Pas më shumë se 20 vitesh premtimet kanë vazhduar nga çdo forcë politike që ka marre pushtetin, por premtimet kanë qënë në kuadër të tillë për kaq shumë vite e asgjë konkrete nuk ka dalë në dritë.”-shton Seferi për Faktoje.

Nuk mjafton vetëm mungesa e dyerve e dritareve, por në këtë godinë janë duke u shembur edhe tavanet e katit të parë, ndërsa në katin e dytë është e pamundur të ngjitesh për shkak të shembjes së shkallëve.

Foto e banesës së rrënuar në Menkulas

Nga biseda me banorë të fshatit, mësuam se në vitin 2002 shtëpia ku u rrit poeti, iu nënshtrua rikonstruksionit dhe u bë e vizitueshme vetëm një dhomë, me një fond të krijimtarisë së Agollit, e cila nuk u mirëmbajt dhe brenda pak viteve u shkatërrua.

Kjo ka ndodhur prej neglizhimeve të bashkisë, që nuk ka vënë dorë për ta rregulluar. Ka qenë muze’, po u shkatërrua komplet. U hoqën divan e me të gjitha dhe kjo u kthye në magazinë drush. Ndërsa tani është në këtë gjendje. Hanë, pinë dhe nuk shikojnë këtej, sepse emri i tij duhet dëgjuar. Është shumë e rëndësishme për fshatin të bëhet kjo gjë, ai këtu ka lindur e jetuar”-thotë një i moshuar banor nw fshatin Menkulas.

Pas verifikimit në terren ne kontaktuam kryetarin e Bashkisë së Devollit, Eduart Duro i cili konfirmon ekzistencën e një projekti për kthimin në muze të shtëpisë së poetit, por financimin nuk e përballon dot.

Vlera e projektit të dorëzuar në Ministrinë e Kulturës është 25 598 145 lekë dhe është dorëzuar para 4 viteve. Nuk ka patur afat, pasi nuk është çelur akoma financimi, presim që Ministria e Kulturës të bëjë diçka”- shprehet kryetari i bashkisë Devoll, Eduart Duro.

Por pas një kërkesë zyrtare për informacion, Ministria e Kulturës bën të qartë se nuk ka në plan të financojë për shtëpi muze’ në Menkulas, duke përdorur si argument faktin që banesa në fjalë nuk gëzon statusin pasuri kulturore.

Në vijim sipas përcaktimeve në ligjin nr.27/2018 Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, banesa e Dritëro Agollit në fshatin Menkulas, Devoll, nuk gëzon statusin pasuri kulturore.
Ministria e Kulturës nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë apo projekt në proces për ngritjen e këtij Muzeu në Menkulas-Devoll.”– thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës. Ju bëjmë me dije se nga Bashkia Devoll nuk ka ende një iniciativë/kërkesë pranë sekretarisë teknike të Këshillit Kombëtar të Muzeve”– thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Kulturës për Faktoje.

Screenshot i përgjigjes zyrtare të Ministrisë së Kulturës

Në vijim të përgjigjes, ky institucion zbeh edhe më shumë pritshmëritë për ngritjen e një shtëpie muze’ në fshatin e lindjes së Dritëro Agollit, kur argumenton:

“Në dijeninë tonë Bashkia Tiranë është në proces të kthimit të shtëpisë së shkrimtarit Dritëro Agolli në Tiranë si një muze vendor, sikurse Muzeu dedikuar figurës së shkrimtarit Ismail Kadare që administrohet nga Bashkia Tiranë. Për sa më sipër, Ministria e Kulturës mbështet cdo iniciativë lidhur me promovimin e pasurive kulturore dhe atyre historike sikurse dhe të figurave të shquara në historinë e kombit shqiptar.”

Kryetari i shoqatës së Devollit Guri Seferi tregon për Faktoje se në vitin 2002 është çelur një fond prej 1 milion lekësh të reja me miratimin e këshillit të komunës ndërsa një shumë parash është dhënë nga shoqatat e vogla të mbledhura nga biznesmenë lokalë. Po në atë kohë u mor vendimi për restaurimin e kësaj banese dhe iu la për detyrë pushtetit vendor të negociojë pranë Ministrisë së Kulturës për ta kthyer në muze.

“Ministria e Kulturës e ka zvarritur këtë punë në atë kohë dhe faktikisht pas vitit 2007 ka filluar që ndërtesa të degradojë. Nga 2013 kam marrë dy herë kontakte me Ministrinë e Kulturës, kur ka qenë Mirela Kumbaro dhe më janë shprehur se për arsye financiare nuk financohej dot si objekt. Kemi kërkuar pastaj edhe nga bashkia ku janë justifikuar me problemin financiar. Kam kontaktuar edhe me familjarët e Agollit. Ato kanë kërkuar që kjo godinë të ishte si të gjithë të tjerat, por kur u pa që u vonua u mërzitën dhe kërkuan të mos bëhej fare. Ne vazhdojmë ta kërkojmë që të realizohet kjo gjë, pasi është i vetmi qytet dhe bashki që nuk ka një diçka identifikuese të Agollit, ndaj është turp” – u shpreh Guri Seferi, kryetari i shoqatës së Devollit.

E kontaktuar për Faktoje ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro thotë se ka pasur vetëm një “koncept” kërkuar nga pushteti lokal, deputetë e banorë të zonës dhe jo një “projekt”.

Në periudhën që kam drejtuar MK ka pasur vetëm një koncept për të rehabilituar ish-banesën e Dritëro Agollit, nga bashkia dhe deputetët e zonës, si dhe një kërkesë nga banorët e fshatit, të cilën e kemi diskutuar si një opsion të mundshëm, pasi restauruam shtepinë e Kadaresë në Gjirokastër, shtëpi të cilën Kadare ia dhuroi MK. Por nuk ka pasur projekt muzealizimi dhe as fond muzeal për ta prezantuar. Projekti i muzealizimit i dakordësuar me familjen Agollit dhe që është në proces realizimi është shtëpia e Dritëroit në Tiranë ku ndodhen edhe objektet personale të shkrimtarit. Ky është një projekt shumë interesant që po realizohet nga Bashkia Tiranë, në vijim të shtëpisë tjetër muze në Tiranë të Ismail Kadaresë në të njëjtin pallat” – shprehet Kumbaro.

Lidhja e shkrimtarit me vendlindjen dhe zonën e Devollit, ku jetoi derisa arriti moshën e gjimnazit, është jetëuar në disa poezi të tij.
“Devoll, Devoll” ka qenë një ndër poezitë që Agolli i kushtoi vendlindjes së tij.

Pjesë nga poezia e Dritëro Agollit për vendlindjen

 

Koordinatori i Shoqatës Devolli, Jani Begolli shprehet se nuk ka pasur dashamirësi nga pushtetet për të restauruar godinën. Sipas tij në këtë godinë që u mendua për të madhin Agolli edhe ai ka hedhur një lopatë llaç, dhe ndihej i lumtur që do vlerësohej edhe në vendlindje për kontributin e tij.

Jani Begolli, nga shoqata “Devolli”

Avni Hoxha një shok i fëmijërisë së shkrimtarit, sot 93 vjec shprehet se një figure si Dritëroi nuk po i jepet vlera e duhur. I pyetur nga Faktoje, ai shprehet: “Të bëhet kjo sa të jem gjallë dhe do shkoj i gopur në atë botë”.

Avni Hoxha, banor në Menkulas

Shkrimtari i tokës dhe i dashurisë, poeti i vlerave dhe i njerëzve siç e ka konsideruar Akademia e Shkencave, dha një kontribut edhe si deputet I Kuvendit në disa legjislatura. Një personalitet i këtyre përmasave,  i shpallur prej vitit 1998 “Nderi i Kombit” përjetësimi i kujtimit të Dritëro Agollit me një shtëpi muze’ në fshatin e lindjes nuk u realizua. Poeti i cili u nda nga jeta në shkurt 2017 në moshën 85 vjeçare, prehet në varrezat e Tiranës, ashtu sikurse bashkëshortja e tij Sadija, e cila u nda nga jeta po në shkurt, të vitit 2019.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img