Pretendimi: NASA ka ngritur alarmin për një asteroid që mund të godasë Tokën

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————

Një artikull i portalit shqipfolës ckemi.net jep lajmin e frikshëm: “NASA ngre alarmin dhe bën paralajmërimin e frikshëm: Një asteroid me madhësinë e ‘Empire State Building’ mund të godasë Tokën”.

Përpos gjithë trazirave që po ndodhin në planet në këto momente, portali ka zgjedhur të kërkojë në hapësirë për një titull sensacionalist që do të tërheqë vënendjen e njerëzve që bombardohen dita-ditës nga problemet tokësore.

Megjithatë, nuk ka arsye për panik.

Në brendinë e artikullit zbulohet se asteroidi që pretendohet se ka alarmuar agjencinë hapësinore amerikane, i pagëzuar Bennu, do të afrohet pranë Tokës. Kjo parashikohet të ndodhë në vitin 2135, pas 111 vitesh.

Si rrjedhim, NASA nuk ka ngritur kurrfarë alarmi në lidhje me këtë asteroid, i cili përshkruhet në faqen e tyre zyrtare si “një relike e lashtë e ditëve të hershme të sistemit tonë diellor”.

Bennu është marrë si model i një “objekti pranë Tokës” (NEO) në një artikull shkencor të botuar në 2018. Artikulli me titullin “Mundësi dhe pasiguri në mbrojtjen planetare: Planifikimi i misioneve dhe projektimi i mjeteve për një përgjigje fleksibël” është një përpjekje për “të kuptuar kohën e reagimit në rast se një objekt pranë Tokës (NEO) që rrezikon ta godasë atë, identifikohet.”

Artikulli është teorik dhe nuk flet për ndonjë rrezik apo ngre ndonjë alarm.