BallinaFaktometerPa kategoriEvis Kushi: Kemi shtuar mësuesit ndihmës në shkolla

Evis Kushi: Kemi shtuar mësuesit ndihmës në shkolla

EDIT NIKOLLI  &  AURORA SHPATAJ

Numri i kufizuar i mësuesve ndihmës në institucionet e arsimit parauniversitar është pranuar si një problem edhe nga autoritetet qendrore. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, pas zotimeve të marra edhe nga paraardhsëset e saj, ka deklaruar se këtë vit shkollor janë shtuar mësuesit ndihmës. Burimet zyrtare i konfirmuan Faktojes se numri i tyre është rritur me rreth 200 të tjerë, ndërkohë që jo të gjitha  shkollat ku Faktoje bëri verifikimin, konfirmojnë shtim të mësuesve ndihmës.


Në 3 dhjetor, ditën botërore të fëmijëve me aftësi të kufizuar, ministrja e Arsimit Evis Kushi deklaroi se është rritur numri i mësuesve ndihmës.

“Edhe figura e mësuesit ndihmës, që prej 2013 është përfshirë, tani e kemi profesion të rregulluar, janë licensuar 20 mësuesit e parë ndihmës, dhe tani kemi 1260 mësues ndihmës”.  

Një ditë pas kësaj deklarate, “Faktoje” i dërgoi një kërkesë për informacion  Ministrisë së Arsimit ku e pyeti se sa mësues ndihmës ka gjithsej në arsimin parauniversitar dhe sa janë shtuar gjatë periudhës së pandemisë.

                                Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit

Ministria e Arsimit u përgjigj se aktualisht në sistemin arsimor parauniversitar janë përfshirë 1274 mësues ndihmës në të gjitha institucionet arsimore në vend.

                                                Përgjigje e Ministrisë së Arsimit

Ministria e Arsimit na konfirmon se për vitin shkollor 2020-2021, në mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuar, bazuar dhe nga vlerësimet e kryera nga Komisioni Multidisiplinar, aktualisht në sistemin arsimor parauniversitar janë përfshirë 1274 mësues ndihmës në të gjitha institucionet arsimore në vend, ose 208 më shumë se vitin e kaluar.

Si rregull, një mësues ndihmës mund të punojë me 2 ose 3 nxënës me aftësi të kufizuar brenda të njëjtit institucion arsimor, çka konfirmohet edhe nga përgjigjja zyrtare e Ministrisë së Arsimit. Pra numri i mësuesve ndihmës për çdo institucion arsimor varet nga numri i fëmijeve me aftësi të kufizuar që ka brenda saj.

Për sa i përket trajtimit financiar, mësuesit ndihmës kanë të njëjtin status me mësuesit e tjerë, sipas normës arsimore të përcaktuar në udhëzim.

Mësuesit ndihmës duhet të kënë një kualifikim sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, kriteret që mësuesit ndihmës duhet të kënë se ato detyrimisht duhet të zotërojnë një diplome të ciklit të dytë të fushës së edukimit, si dhe të kryejnë trajnime të ndrysme të specializuara për edukimin e këtyre nxënësve.

Nga një verifikim i pak muajve më parë nga Faktoje, mungesa e mësuesve ndihmës në shkolla, sillej si shqetësim nga prindër të fëmijëve që e kanë të domosdoshëm shërbimin e tre.

H.D, nga Durrësi, prind i një fëmije të diagnostikuar me autizëm i tha “Faktoje”:

“Është tmerrësisht e vështirë, nëpër shkolla publike nuk ka mësues ndihmës. Unë djalit tim i paguaj mësuese ndihmëse, sepse shteti nuk e mbulon dot.”

Këtë shqetësim e solli edhe logepedia Sibora Grifti:

“Vihet re mungesa e mësuesve ndihmës, kur duhet të jetë të paktën një në një klasë ku ka fëmijë me aftësi ndryshe. Prindërit detyrohen të punësojnë vetë një ndihmëse apo të shkojnë personalisht për të asistuar fëmijën.”

Kur “Faktoje” pyeti stafin e një shkolle 9 vjeçare në zonën e ish Kënetës në Durrës nëse janë shtuar mësues ndihmës, nuk na u konfirmua një gjë e tillë.

Ndërkohë, P.B mësuese në shkolën “28 Nëntori” në Fushë-Milot i tha Faktoje: “Aktualisht ka dy mësues ndihmës të cilët përfshijnë nga 1 nxënës secili. Vitin e kaluar, ka patur vetëm një mësuese ndihmëse”, -thotë ajo.

Në Kukës, shkolla “Avni Rustemi” mësojnë 2 fëmijë me aftësi ndryshe, ndaj dhe aty është punësuar vetëm një mësuese ndihmëse, sipas udhëzimit të MASR.

*Foto e parë është marrë nga ATSH

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img