BallinaFaktometerPa kategoriDy standardet e Spiropalit për “mbrojtjen e identitetit të viktimave”

Dy standardet e Spiropalit për “mbrojtjen e identitetit të viktimave”

FJORI SINORUKA

Shkelja e privatësisë ishte një nga argumentat e përdorur nga maxhoranca për të mbrojtur paketën antishpifje në Kuvend. Ministrja Elisa Spiropali akuzoi median si një abuzuese lidhur me këtë çështje. Por nga verifikimi i Faktoje rezulton se vetë deputetja ka shkelur këtë të drejtë në rastin e abuzimit të një viktime të mitur.

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..

Të mërkurën e 18 dhjetorit kur po diskutohej për paketën “anti – shpifje” në Kuvend, Ministrja e Punëve të Shtetit Elisa Spiropali e mbrojti atë duke përdorur si argument ruajtjen e privatësisë.

Zonja Spiropali e ilustroi argumentin e saj me ngjarjen e ndodhur më 10 tetor në Kavajë në banesën e një gruaje, nënë e 3 fëmijëve ku një person u vra dhe një tjetër u plagos. Sipas Spiropalit media nuk kishte respektuar identitetin e një personi të përfshirë në ngjarje.

“Po flas për atë vajzën nga Kavaja që i del emri në të gjitha portalet rresht në 20 portale,  si mollë e sherrit për vrasje, se ishte e tillë e ishte e atillë, me fëmijë të vegjël ajo, 10 e 12 vjeç”, u shpreh Spiropali.

Link: https://www.facebook.com/espiropali/videos/456926655223790/

 

Nga ana tjetër ishte vetë ministrja Spiropali e cila në 8 shkurt të vitit 2019, publikoi në rrjetin social Facebook takimin me familjen e një të miture, viktimë e një vepre penale. Nëpërmjet pamjeve të transmetuara, identifikimi i viktimës bëhej me lehtësi ndërkohë që çështja ishte në proces hetimi.

 

Duke qenë se “Faktoje” ka si mision të sajin verifikimin e deklaratave të zyrtarëve publikë, bëmë një verifikim të thelluar lidhur me këtë temë me rëndësi madhore sa i përket shkeljes së të drejtave të njeriut e sidomos të të miturve.

Materiali video i vizitës së ministres Spiropali në banesën e vajzës, viktimë e abuzimit, dhe biseda me prindërit e saj, me zë dhe figure u shpërndanë nga kanali i komunikimit në internet të kryeministrit Edi Rama, ERTV, në profilin personal në Facebook të zonjës Spiropali dhe më pas u transmetua dhe nga shumë media audiovizuale dhe rrjete sociale.

Kjo situatë çoi dhe në reagimin e organizatës që mbron të drejtat e fëmijëve, UNICEF.

“UNICEF i bën thirrje të gjitha institucioneve publike dhe jopublike, shoqërisë, profesionistëve për mbrojtjen e fëmijëve dhe gazetarëve që të mbajnë parasysh interesin më të lartë të fëmijës dhe në zemër të etikës së tyre profesionale, të garantuar me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës si dhe në Ligjin Shqiptar “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”, thuhej në deklaratën për shtyp.

Link: https://www.unicef.org/albania/sq/deklarata-shtypi/dhuna-ndaj-f%C3%ABmij%C3%ABve

 

Kuadri ligjor

Ligji “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”, garanton mbrotjen e privatësisë së tyre kur ata janë të përfshirë në një proces administrativ ose gjyqësor.

Neni 29 i këtij ligji në pikën 6 të tij, thotë: “Gjatë zhvillimit të procedurave administrative e gjyqësore, të dhënat personale të fëmijës dhe jeta e tij private nuk bëhen publike”.

Edhe neni 17 i këtij ligji, i cili ka të bëjë me mbrojtjen e jetës private të fëmijëve në pikën e parë të tij, thotë: “Fëmijës i garantohet respektimi i jetës private, familjare, banesës, korrespondencës dhe mbrojtja nga cënimi i paligjshëm i moralit dhe i dinjitetit të tij.”

Link: https://www.drejtesia.gov.al/wp-content/uploads/2017/11/04_Ligj_18_2017_23.02.2017_Per_te_drejtat_dhe_mbrojtjen_e_femijes.pdf

Nga verifikimi i “Faktoje” pas konsultimit të konventave dhe ligjit rezulton se publikimi i familjarëve të vajzës viktimë e abuzimit në Kavajë, është në shkelje të hapur, sidomos kur bëhet fjalë për një qytet me pak banorë dhe me shumë tabu. Videoja në fjalë është ende në rrjetin social “Facebook” dhe ka marrë me qindra mijëra klikime, ndërsa rezulton se është shpërndarë nga vetë ministrja Spiropali.

 

Autoriteti i Medias Audiovizive

Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA) është institucioni që mbikqyr mediat audiovizive në vend. Një nga funksionet e tij është monitorimi i programeve të transmetuara nga Ofruesi i Shërbimit Mediatik Audioviziv si dhe kontrolli i zbatimit të ligjit për median dhe vendosja e sanksioneve.

“Faktoje” iu drejtua këtij institucioni për të mësuar se si ishte trajtuar rasti i sipërpërmendur ku si burim informacioni për mediat në vend u bë videoja e Ministres Spiropali, e transmetuar paraprakisht në rrjetin social “Facebook” dhe më pas në mediat audiovizive.

AMA refuzoi të jepte një intervistë me “Faktoje”, por kërkoi t’i dërgoheshin pyetjet nëpërmjet postës elektronike.

“Faktoje” pyeti si vepron AMA kur në televizion shfaqen pamje nëpërmjet të cilave mund të identifikohet viktima e një krimi, që është në proces gjykimi dhe si vepron ajo kur personi i cili i përhap këto pamje është zyrtar i lartë i shtetit, ky institucion iu përgjigj nëpërmjet e-mailit:

Neni 23 mbi kompetencat e AMA-s, pika 1,c e këtij neni: (AMA) “siguron zbatimin e kushteve të licencave dhe/ose autorizimeve të lëshuara prej saj”;

Neni 33 mbi detyrimet e OSHMA-ve,

 Neni 46 mbi “Kodin e transmetimit”,

 Nenet 51 – 53 “Mbi trajtimin e ankesave”

 Gjithashtu AMA i referohet dhe kërkesave të “Kodi i Transmetimit”

 

“Faktoje” u konsultua me ligjin në fuqi (“Për median audiovizive në Republikën e Shqipërisë”) dhe  pikën dh të nenit 33 thuhet se një nga detyrimet e OSHMA është “të mos cenojë të drejtën e fshehtësisë së jetës private të individit në çdo program të transmetuar nga OSHMA-të dhe mjetet e përdorura për të realizuar këto programe”.

“Faktoje” kërkoi një intervistë të dytë me AMA-n për të mësuar se si ishte trajtuar ky rast nga ky institucion për paraqitjen e pamjeve në televizione, burim i së cilës ishte videoja e ministres Spiropali, por na u tha se AMA nuk është në dispozicion të japë intervista, por mund të mbajë komunikim nëpërmjet e-mail.

Nga ana tjetër “Faktoje” bëri një kërkim në faqen zyrtare të AMA –s, por nuk gjeti asnjë deklaratë për shtyp në lidhje me rastin në fjalë dhe asnjë monitorim për këtë rast.

Nga verifikimi i dy deklaratës të ministers Spiropali “Faktoje” vëren përdorimin e dy standardeve për të njëjtën problematikë ndërkohë që nga AMA, autoriteti përgjegjës për monitorimin e përmbajtjes, nuk gjeti asnjë masë të marrë sikurse ia përcakton ligji.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img