DANIELA ZISI

Gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 prillit, deputeti i qarkut Korçë, Ilir Pendavinji premtoi shndërrimin e Kolanecit, 3 kilometra larg Maliqit, në fshat turistik. Gjatë një verifikimi për Faktoje, fshatin Kolanec e gjetëm të braktisur nga të rinjtë. Varfëria e banorëve, mundësitë e kufizuara për mbijetesë dhe mungesa e rrugës, dëshmojnë se sa i largët është realizimi i këtij zotimi deri në vitin 2024.  Ekspertët e ekonomisë argumentojnë se buxheti i pamjaftueshëm i bashkisë për infrastrukturën dhe mungesa e një strategjie, penalizojnë të ardhmen turistike të fshatit, ku vetëm natyra është treguar dorëlëshuar.

Kandidati i PS për zonën e Maliqit Ilir Pendavinji premtoi gjatë fushatës elektorale për 25 prillin, se së shpejti Kolaneci do të marrë formën e një oazi turistik, i pasuruar me bujtina të shumta dhe mikpritje për turistët vendas dhe të huaj.

Screenshot i postimit në Facebook I kandidatit të PS, Ilir Pendavinji

Ambicjen për ta orientuar fshatin Kolanec drejt turizmit e gjejmë të pasqyruar edhe në faqen zyrtare të bashkisë Maliq, ku gjatë fillimit të punimeve për rrjetin e kanalizimeve të ujrave të zeza, kryebashkiaku Gëzim Topçiu u shpreh se subvencionet, prodhimet bio dhe kthimi i Kolanecit në një qytezë turistike ishte në fokus të bisedave me banorët.
Ne vendosëm të bëjmë një verifikim duke shkuar fillimisht në terren.

Fshati Kolanec ndodhet 3 kilometra nga Maliqi. Rruga në drejtim të fshatit është e vështirë të kalohet me automjet për shkak të amortizimit. Në të dy krahët e saj ngrihen masive mbetjesh qymyri dhe rrënojat e ish vrapare të industrisë energjitike, të trashëguara prej kohës kur ishte në funksion TEC-i i Maliqit.

Rruga që lidh Maliqin me fshatin Kolanec, dhjetor 2021

Segmenti i ngushtë gjarpëron mes një panorame alpine, nga njëra anë e së cilës shihet kurora e Malit të Thatë mbuluar nga bora, ndërsa në anën tjetër pllajat që nuk e kanë humbur gjelbërimin as në muajt e dimrit. Në pjesën fundore të rrugës dallohen gjurmë çakulli, me të cilin janë mbushur gropat.

Rruga e fshatit Kolanec, dhjetor 2021

“Bashkia hodhi ca lopata çakull nga marsi 2021, por shirat e morën me vete dhe rruga u kthye në gjendjen që ishte. Kemi 30 vite që presim të na rregullohet rruga, por vetëm na e kanë arnuar sa herë vijnë zgjedhjet. Segmenti ka nevojë për rikonstruksion, pasi në dimër kalimi bëhet i rrezikshëm për mjetet dhe vetëm kafshët na zgjidhin punë”- tregon për Faktoje Jeton Kodra, banor në Kolanec, baba i dy fëmijëve, cili e ka të vështirë të gjejë një punë. Jetoni, e siguron jetesën kryesisht nga mbledhja e bimëve medicinale, pasi tokat janë djerrë. Sipas tij Kolaneci furnizohet me ujë 24 orë për shkak të burimeve të shumta natyrore, por kjo nuk i ka dhënë zgjidhje mosfunksionimit të sistemit vaditës.

Në foto Jeton Kodra banor i fshatit Kolanec

Kur e pyet Jetonin nëse në Kolanec vijnë turistë apo vizitorë, ai ngre supet i çuditur. ” Vetëm një lokal kemi në qendër të fshatit që na shërben edhe si dyqan. Kolaneci nuk ka qenë ndonjëherë fshat turistik. Në jetën time nuk kam parë të vijnë turistë, se edhe po të vijnë s’kanë ku të qëndrojnë, fshati nuk ka bujtina, shtëpi pritëse dhe restorante. “- thotë ai.

Qendra e Kolanecit është e asfaltuar e po ashtu edhe dy rrugët lidhëse me lagjet e fshatit, ku bien në sy banesa shumë të vjetra.

Qendra e fshatit Kolanec

Agim Bazelli, shqetësim më të madh ka largimin masiv të banorëve, sidomos të rinjve.

“Kemi qenë mbi 150 shtëpi, por tani nuk kemi mbetur më shumë se 65 familje. Të rinjtë kanë marrë rrugët e botës dhe kemi mbetur ne pleqtë. Këtu nuk gjejnë dot punë, tokat mezi prodhojnë sa për familjen dhe nuk ka asnjë perspektivë.” -ankohet Agimi, i cili shton se edhe ato pak prodhime bujqësore që nxjerrin me mund mbeten stok, për shkak të rrugës në gjendje të degraduar.

“Kam 30 kv mollë të pashitura në magazinë. Asnjë tregtar shumice nga rrethet e tjera nuk vjen dot në Kolanec, edhe ne e kemi të vështirë të zbresim në Maliq”-thotë Agimi.

Në foto Agim Bazelli, banor në Kolanec

Premtimin e fushatës së fundit elektorale për ta kthyer Kolanecin në një qendër turizimi, Agim Bazelli e mirëpret edhe pse pranon se një fshat i varfër si ky, ka mjaft halle për të zgjidhur para se të jetë gati të presë turistë.

“Bashkia mezi asfaltoi këto copë rrugë në qendër tē fshatit, se lagjet sipër janë të mbytyra nga balta dhe po ashtu i lanë në mes edhe kanalizimet e ujrave të zeza. Si do bëjmē turizëm ne këtu, kur kemi mbetur vetëm pleqtë?”-thotë Agimi, i cili shton:

“Përveç natyrës dhe burimeve, se pyjet po i shfarosin për t’u ngrohur, ne nuk kemi çfarë t’u ofrojmë turistëve. Fshati s ‘ka as muze, as pasuri arkeologjike, as objekte që mund të vizitohen, siç kanë Voskopoja apo Vithkuqi.”

Blerta Drogaj, banore në Kolanec thotë se fshati jeton kryesisht nga blegtoria, ndërsa mundësia për të gjetur punë në Maliq është zero.

“Fshatin e kemi shumë të bukur. Edhe pse jemi kaq lart, dimri nuk është aq i ashpër dhe vera vjen e freskët. Burimet i kemi pafund dhe gjelbërim sa të ha syri, por nuk ve njeri dorë. Nuk na u ndanë çizmet dimër dhe verë, na mbyti balta! Ne mezi nxjerrim bukën dhe shumica e banorëve janë të varfër”-tregon ajo për Faktoje.

Në foto Blerta Drogaja, banore e Kolanecit

E lodhur nga shkelja e përsëritur e premtimeve, edhe Sose Guri 72 vjeç dyshon nëse Kolaneci do kthehet në një fshat turistik, kur shteti nuk arrin të shtrojë një rrugë dhe banorët s’kanë të ardhura as për të riparuar çatitë.

Në përgjige të një kërkese për informacion dërguar në emër të Faktoje, se çfarë investimesh janë kryer në fshatin Kolanec, nga bashkia e Maliqit, thuhet:

“Investimet e bashkisë së Maliqit kanë zgjidhur problemin e ujrave të zeza të fshatit, ku ka përfunduar edhe rehabilitimi i rrugës Mulliri me vlerë 8 221 051 lek(pa TVSH), po ashtu edhe rehabilitimi i rrugës Kroi i Madh me vlerë 1 144 144 lek(pa TVSH)”.

Sipas kësaj përgjigjeje, në buxhetin e vitit 2022 parashikohen ndërhyrje për shtrimin e disa rrugicave me kalldrëm nē fshatin Kolanec, ndërsa problemi i rrugës hyrëse, që po pengon nxjerrjen në treg të prodhimeve bujqësore nuk dihet kur do të marrë zgjidhje. Nga ana tjetër, bashkia konfirmon se do ta mbulojë me buxhetin e saj shndërrimin e zonës në fshat turistik.

“Projekti për ta kthyer Kolanecin në fshat turistik pritet të fillojë brenda vitit 2022. Parashikohet që brenda dy viteve Kolaneci të kthehet në nje fshat turistik të vizitueshëm e për këtë është parashikuar shtrimi i rrugicave, ndriçimi dhe ndërtimi i disa monumenteve fetare, si teqe, xhami etj. Realizimi i këtij projekti,do të mbulohet nga buxheti i bashkisë.”-sqaron bashkia Maliq, në vazhdim të përgjigjes ndaj kërkesës për informacion për Faktoje.

Pjesë nga nga kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Maliqit

Ekspertja e ekonomisë Mirela Qeleshi shpreh rezerva ndaj premtimit për ta kthyer Kolanecin në fshat turistik brenda 2 vitesh.

“Kolaneci mund të ofrojë larmi atraksionesh natyrore, por bashkia duhet të marrë në konsideratë fokusimin tek ekoturizmi dhe veprimtaritë në natyrë, çiklizmi malor, hiking, shëtitje me kuaj, apo aktivitete të ngjashme, të cilat mund të bindin turistët që të vijnë.”- thotë ajo.
Më tej ekspertja sugjeron:

“Bashkia duhet të ketë parasysh harmonizimin e investimeve private me ato publike, zhvillimin e njësive akomoduese, respektimin e planifikimit urban për ndërtimet, hartimin e një strategjie marketingu e cila do të nxjerrë në treg produktin turistik dhe sidomos planifikimin e perspektivës afatgjatë që të mos mbetemi në kushtet e një turizmi spontan.”
Duke e konsideruar bashkinë e Maliqit si njësi vendore me buxhet të kufizuar, ekspertja Qeleshi konstaton se ky buxhet është i pamjaftueshëm edhe për investime bazike në zonat rurale. Kjo e bën të pamundur zbatimin e një vizioni që duket sfidues dhe i vështirë për t’u përmbushur dhe që kërkon burime të tjera financimi, si grante, kredi, apo financime për asistencë.

“Me shtrim rrugësh, ndriçim apo teqe dhe xhami nuk mund të flasim për destinacion turistik dhe as zhvillim serioz të turizmit”-përfundon ekspertja.