BallinaFaktometerE PavërtetëBalla afate të njëpasnjëshme, por Gjykata Kushtetuese ende jo funksionale

Balla afate të njëpasnjëshme, por Gjykata Kushtetuese ende jo funksionale

INVA HASANALIAJ

Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit prej mesit të 2018-ës dhe kjo ka shkaktuar pasoja për vendin, për çështje madhore që kërkojnë verdiktin nëse janë të pajtueshme me Kushtetutën ose jo. “Faktoje” ka verifikuar disa deklarata të kreut të grupit parlamentar të PS Taulant Balla për nisjen e punës së kësaj gjykate. Por Kushtetuesja është ende e paralizuar dhe skema e re e përzgjedhjes së anëtarëve jo vetëm që nuk e bëri atë funksionale, por prodhoi një konflikt të rëndë institucional mes presidentit dhe Kuvendit të Shqipërisë.

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..

Gjykata Kushtetuese do të jetë me një numër funksional anëtarësh, besoj deri në ditën e Pavarësisë

Kjo është deklarata e parë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla mbi funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë vlen për t’u theksuar se nuk është e vetmja pasi është ndjekur nga një sërë afatesh apo “parashikimesh” të tjera.

Në datën 15/10/2019 Balla e  shtyu këtë afat  duke thënë se brenda vitit kjo Gjykatë do të jetë funksionale. “Fundviti i 2019 e gjen Shqipërinë me Gjykatë Kushtetuese Funksionale”. Këtë deklaratë ai e  bëri në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit.

Nuk është mjaftuar me këtë afat, ndaj në datën 10/11/2019 ai e ka  shtyrë atë për në pranverë. “Të hënën Kuvendi do të zgjedhë dy anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese për të mundësuar që deri në fund të janarit Kuvendi do të zgjedhë anëtarin e tretë të Gjykatës Kushtetuese. Ky është një hap i rëndësishëm që brenda pranverës Gjykata të jetë tërësisht funksionale”.

Jemi në fund të muajit dhjetor dhe Gjykata Kushtetuese ende nuk është funksionale. Dy prej afateve të dhëna nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste janë shkelur tashmë.

Përse është e rëndësishme Gjykata Kushtetuese?

Në prezantimin e rolit të institucionit në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese tregohet qartë roli jetik që ka kjo gjykatë.

“Ku është Kushtetuesja sot’”

Gjykata Kushtetuese duhet të kete 9 anëtarë që të konsiderohet e plotë, ata qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Për të qenë funksionale, Kushtetuesja duhet të ketë paktën 6 anëtarë. Me ligjin e ri, skema e përzgjedhjes së tyre është:

3 anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës

3 anëtarë zgjidhen nga Kuvendi

3 anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë

*Deri më sot Gjykata e Lartë, ashtu si edhe Kushtetuesja është jashtë funksionit, ndaj deri në plotësimin e saj, mbeten 6 anëtarë të mundshëm për t’u zgjedhur në Kushtetuese, mjaftueshëm për ta ‘vënë në punë’ institucionin më të lartë gjyqësor në vend. “Faktoje” klikoi në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese ku rezultojnë 4 anëtarë.

  1. Dr. Vitore Tusha, anëtare me kompetenca të Kryetarit
  2. Dr. Elsa Toska, anëtare
  3. Marsida Xhaferllari, anëtare
  4. Dr. Fiona Papajorgji, anëtare

 

*Në fakt Kuvendi ka zgjedhur zonjën Arta Vorpsi si anëtare të Kushtetueses, por ajo nuk arriti të betohej te presidenti i cili kishte emëruar ndërkohë zonjën Marsida Xhaferrllari. “Molla e sherrit” ishte radha e dërgimit të listës me emrat e kandidatëve të hartuar nga KED (Këshilli i Emërimeve në Drejtësi) institucionit të presidentit dhe Kuvendit.  Prej këtij momenti Presidenti i Republikës i ka shpallur luftë kryetarit të KED, Ardian Dvorani, por ajo që i intereson publikut është se pasojë e këtij konflikti është mosplotësimi i gjashtëshes së domosdoshme që Kushtetuesja të funksionojë.

Për t’iu rikthyer angazhimit të maxhorancës për bërjen funksionale brenda vitit të Gjykatës Kushtetuese, nisur nga deklarata e  kreut të grupit parlamentar të PS Taulant Balla dhe verifikimeve që ne kemi bërë, do ta kategrizojmë si Të Pavërtetë.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img