BallinaNë lupën e Fakteve‘Diellin e sotëm, mos e lër për nesër!’

‘Diellin e sotëm, mos e lër për nesër!’

Konflikti Rusi-Ukrainë e ka nxitur BE-në të orientohet më shumë se kurrë drejt energjisë së pastër, për t’i dhënë fund varësisë nga gazi rus. Kjo zgjidhje, me përfitim edhe për klimën, prej disa vitesh shfaqet në planet kombëtare të energjisë edhe në Shqipëri por diversifikimi mbetet një sfidë ende pa sukses. Shqipëria ka dështuar të përmbushë objektivin për të siguruar 38% të nevojave për energji përmes burimeve të rinovueshme, panele diellore apo mullinjtë me erë. E teksa qeveria vijon të shtojë ‘në letër’ ambicjen për energjinë e rinovueshme, ekspertët thonë se pengesa kryesore mbeten burokracitë.

Esmeralda Topi

“Çdo kilovat-orë energji elektrike që Evropa prodhon nga dielli, nga era, nga hidrocentralet, nga biomasa, nga hidrogjeni gjeotermik ose jeshil na bën më pak të varur nga karburantet fosile ruse. Pra investoni në këtë. – deklaroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë fjalës së mbajtur në Forumin Strategjik të Bledit më 29 gusht, në Slloveni.

Këtë vit, ndërprerja e furnizimit me gazin rus e solli më herët dimrin për Europën. Konflikti Rusi- Ukrainë e vuri kontinentin përballë sfidës së tranzicionit të gjelbër. Diversifikimi i burimeve të energjisë është vëne në krye të agjendës europiane, si përgjigje ndaj krizës.

Edhe në Shqipëri, këmbanat e krizës kulmuan nga lufta që diktoi çmimet marramendëse të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Prej fillimit të vitit, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka blerë rreth 284 milionë euro energji elektrike për të plotësuar nevojat e vendit për konsum. E varur nga burimet hidrike, Shqipëria përllogaritet se mbulon me prodhimin vendas rreth 70% të nevojave për energji, ndaj diversifikimi i burimeve ka zënë vend të rëndësishëm në strategjitë afatgjata të sektorit.

Anduel Çekrezi, përfaqësues i kompanisë Euroelektra, e cila merret me zhvillimin e projekteve fotovoltaike, thotë se interesi për të investuar në këtë lloj energjie është në rritje, veçanërisht këtë vit.

“Interesi ka qënë më i lartë këtë vit pasi bizneset janë përballur me kosto më të lartë të energjisë elektrike dhe për rrjedhojë kanë kërkuar mënyra alternative të prodhimit të energjisë për nevoja vetjake.”- thekson Çekrezi për Faktoje, duke shtuar se pavarësisht interesit të lartë, sektori vuan ende nga disa problematika.

“Problematikat kryesore janë ato që lidhen me skemën e matjes neto të energjisë pasi sot bilanci bëhet mujor dhe ndërkohë konsumatorët e kanë të nevojshme që të bëhet bilanci i matjes vjetore, në mënyrë që atë që prodhojnë gjatë verës, ta konsumojnë në dimër. Gjithashtu edhe procedura burokratike e marrjes së lejeve përkatëse në bashki është shumë e gjatë nëse e krahasojmë me vendet fqinje.”- thotë përfaqësuesi i kompanisë Euroelektra.

Për t’i adresuar këto problematika, qeveria ka hedhur për konsultim këtë javë një projektligj të ri “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, që e lë të hapur plotësimin e kërkesës së operatorëve për skemën e matjes vjetore të energjisë.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, Durrësi, Tirana dhe Elbasani rezultojnë zonat me më shumë njësi fotovoltaike të instaluara për vetëprodhim.

(Enti Rregullator i Energjisë, Raporti 2021)

Ndërkohë që studimet mbi energjinë e rinovueshme në Shqipëri nga AKBN favorizojnë instalimet e paneleve diellore edhe në Shkodër, Shëngjin, Kavajë, Fier, Vlorë dhe Sarandë për shkak të mesatares së lartë të rrezatimit diellor.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka potenciale të mëdha për zhvillimin e energjisë nga era.

“Edhe pse janë dhënë disa leje, në Shqipëri aktualisht nuk është ndërtuar asnjë park eolik.”- thotë për Faktoje Enerjan Gremi, inxhinier dhe projektues në fushën e energjisë së rinovueshme.

Gremi shton se shkaku kryesor i kësaj situate në Shqipëri janë procedurat burokratike.

“Nëse për një projekt fotovoltaik ke tokën dhe vazhdon projektin, për një eolik ke shumë probleme. Duhet të marrësh kontratë qiraje me pronarin e tokës dhe ky proces është i gjatë dhe i vështirë. Ndaj për të shmangur këtë lloj burokracie, lehtësia më e madhe për investitorët do të ishte që leja ndihmëse t’iu sigurohej kompanive nga autoritetet.” – thekson ai.

Eduart Gjokutaj, njohës i mirë i sektorit të energjisë, njëkohësisht ekspert pranë ALTAX, një qendër kërkimore dhe informuese, thotë se diversifikimi i tregut të prodhimit të energjisë duhet të ishte tashmë në faza të konsoliduara investimesh.

“Gjithë legjislacioni i miratuar rezulton de fakto jo efektiv dhe me objektiva të papërmbushura, sipas një monitorimi paraprak që i kemi bërë performimit të politikave rregullatore. Ndërkohë, në një kohë kur kriza energjetike nuk lejon komoditetin e një performance të dobët si deri më sot, nevojitet që të plotësohen gjithë mangësitë dhe boshllëqet e kuadrit rregullator dhe teknik, me synimin e krijimit të infrastrukturës së nevojshme për rritjen e shpejtë të investimeve për energji të reja të rinovueshme.” – thekson Gjokutaj për Faktoje.

Një nga objektivat kryesore të Shqipërisë në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë lidhet me energjinë e rinovueshme. Deri në 2020, Shqipëria duhet të përmbushte 38% të nevojave të energjisë nga burimet e rinovueshme.

PLANI KOMBËTAR I VEPRIMIT PËR BURIMET E RINOVUESHME TË ENERGJISË, 2019–2020

Por në raportin e fundit vjetor të Sekretariatit të Kominitetit të Energjisë shkruhet se objektivi 38% u zgjat në mënyrë të njëanshme deri në fund të 2021. Pavarësisht shtyrjes në kohë, Shqipëria sërish dështoi në arritjen e këtij objektivi, por kjo s’e pengoi qeverinë që të rriste ambiciet nëpër plane e strategji afatgjata.

Screenshot nga Raporti vjetor i Sekretariatit të Energjisë (nëntor 2021)

Nga 42% që ishtë synimi i vendosur në Strategjinë Kombëtare të energjisë 2018-2020, së fundmi, në një Plan Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, qeveria zotohet se deri në vitin 2030 të arrijë të sigurojë 54% të konsumit të energjisë nga burime të rinovueshme. Shtylla kryesore e këtij objektivi janë parqet fotovoltaike, veçanërisht vënia në punë e parkut diellor të Spitallës dhe Karavastasë.

PLANI KOMBËTAR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR ENERGJINË DHE KLIMËN

Nëntor 2021

          STRATEGJIA-KOMBETARE-E-ENERGJISE-PER-PERIUDHEN-2018-2030

Korrik 2018

Diversifikimi i burimeve të energjisë është edhe një nga detyrat kryesore që ka Shqipëria në rrugën drejt integrimit. Në progres raportin e Bashkimit Evropian për vitin 2021, në kapitullin e energjisë Shqipërisë i rekomandohet, ndër të tjera, vijimi i diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë elektrike përtej burimeve hidrike.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Gazetare Ajo është diplomuar në fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës në nivelin “Bachelor” si dhe ka kryer studimet në të njëjtin fakultet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”. Esmeralda ka më shumë se 10 vite që punon si gazetare ekonomie në media të ndryshme, kryesisht televizione. Fillimet e saj kanë qënë në Platformën Tring, si pjesë e kanalit informativ “7 News” ku ka mbuluar raportimet mbi çështjet me karakter social dhe ekonomik. Në mars të 2013, Esmeralda ka punuar si gazetare dhe njëkohësisht si folëse lajmesh në televizionin “Agon Channel”, ndërkohë që nga shtatori i 2015 ka qënë pjesë e redaksisë së lajmeve në RTSH si gazetare ekonomie, folëse lajmesh si dhe pjesë e stafit të emisionit “Përballë” nën autorësinë e Lutfi Dervishit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img