.

.

BallinaProjekteYOUTH RAPSi ndikon rritja e kostove të jetesës te të rinjtë?

Si ndikon rritja e kostove të jetesës te të rinjtë?

Rritja e çmimeve të shportës në të gjithë Shqipërinë ndikon në mënyrë të ndjeshme te popullsia, veçanërisht tek ajo shtresë e popullsisë që ende nuk është e aftë të sigurojë jetesën në mënyrë individuale, të rinjtë.

Kostandino Rroga

Rritja e çmimeve përkon me harkun kohor të sulmit të forcave ushtarake ruse ndaj territorit të Donbasit, i cili aktualisht është pjesë integrale e Ukrainës. Arsyeja e vërtetë e rritjes së çmimeve janë sanksionet që vendet e Bashkimit Evropian i vendosën Rusisë për dërgimin e forcave ushtarake në Ukrainë. Si pasojë e këtyre sanksioneve, kompanitë e mëdha filluan t’i rrisnin çmimet nga frika për ndërprerjet e furnizimeve nga Rusia me naftë, gaz natyror dhe produkte ushqimore, kryesisht gruri.

Rritja e çmimeve ka ndikuar ndjeshëm te nevojat bazë të çdo familjeje në Shqipëri, veçanërisht te të rinjtë, shpenzimet e të cilëve mbulohen nga prindërit.

Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin Gusht 2022 krahasua me një vit më parë, ka ardhur nga shtrenjtimi i ushqimeve dhe pije joalkoolike me 4,8%, më pas vjen transporti 1,1% dhe grupi qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji me 0,62%.

Shpenzimet e përditshme të të rinjve në aspektin akademik janë: transporti, ushqimi, librat dhe materialet e posaçme për studim, aksesi në teknologji dhe qiraja (një barrë më shumë për studentët e rretheve).  

E.K student në Fakultetin e Drejtësisë i cili ka 5 vite që jeton me qira në Tiranë pohon: “Është e pamundur që me gjithë këto ndërtime që bëhen në Tiranë, çmimet e qirasë të vazhdojnë të rriten në vend që të uleshin. Çmimet këtu janë rritur të gjitha në mënyrë absurde. Qiratë janë rritur mesatarisht me rreth 36% nga viti i kaluar, pasi më përpara mund të gjeje shtëpi me 20 mijë lekë të reja, kurse sot në Tiranë nuk gjen dot shtëpi me qira më të ulët se 30 mijë lekë të reja. Këtë përvojë kanë pasur të gjithë miqtë e mi.”

D.H është një i ri nga Kurbini. Ai jeton në konvikt dhe tregon për Faktoje se si i janë vështirësuar kushtet për jetesën në konvikt: “Prej disa vitesh tashmë nuk shohim përmirësime të kushteve të konvikteve, por tanimë edhe çmimet për të jetuar në Tiranë janë bërë të papërballueshme. Për t’u ushqyer në mensë vitin e kaluar paguaja një tarifë mujore prej 150 €, tani shpenzoj rreth 220 € në muaj.”

Studentë të tjerë që jetojnë në Tiranë si G.L, student në Universitetin e Mjekësisë, thonë për Faktoje se: “Është e pamundur që një student të diplomohet në Tiranë nëse nuk punon dhe merr një rrogë vetë, pasi pagat që marrin prindërit tanë në raport me çmimet e jetesës që ofron sot tregu janë groteske dhe të pamundura për t’u përballuar”. Gjithashtu, G.L pohon se rritja e çmimit të naftës me rreth 21% nga viti i kaluar ka ndikuar në shpenzimet e tij: “Unë me banim në zonën e Freskut shpenzoja rreth 50 € naftë për të shkuar në shkollë, ndërsa tani shpenzoj rreth 70 €.”

Karta e Studentit është një mjet që përdoret nga rreth 40 mijë studentët që studiojnë në kryeqytet për të përfituar çmime të reduktuara për produkte dhe shërbime të nevojshme, por nga verifikimi i bërë në terren dhe dëshmitë e marra nga studentët, abonoja e transportit urban është i vetmi shërbim i ndjeshëm ku ndihet reduktimi i çmimit.  Në këtë Kartë përfshihen edhe shërbime të tjera si hyrja falas në institucione si muze, galeri, biblioteka dhe ulje për shërbime në klinika dentare, autoshkolla etj. Por studentët pohojnë se Karta e Studentit jep shërbime të cilat nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me jetën e tyre akademike. Lidhur me nevojat që ai ka pasur për Kartën e Studentit, G.L i konfirmon Faktojes se: “Shërbimet që Karta ofron janë ulje të pakonsiderueshme në dyqane syzesh optike të shtrenjta, punë në kafene dhe për të qenë spektator në ndeshje boksi si ajo e Florian Markut kundër Miguel Parra në 25 Gusht 2022, ftesa për koncerte në Sheshin Skënderbe si ajo në lidhje me 100 vjetorin e lidhjes sonë me SHBA dhe lidhjen me Bashkimin Evropian 100 vjet më pas. Madje Karta e Studentit ofron edhe 5% ulje në kurse gjuhësh për studentët e interesuar për të studiuar jashtë vendit. Pra, në vend që të na ndihmojnë për pagesën e librave dhe materialeve didaktike, Karta e Studentit na fton kurse gjuhësh për të na larguar dhe për të studiuar jashtë.”

Edhe pse paga minimale e shqiptarëve ka ardhur në rritje, ajo nuk mund të krahasohet me rritjen që kanë pësuar çmimet. Dy prindër shqiptar me një rrogë minimale prej 34 mijë lekësh të reja e kanë thuajse të pamundur të përballojnë kostot e një studenti deri sa ai të mbarojë universitetin.

Foto kryesore marrë në web

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img