BallinaNë lupën e FakteveKush po ‘gënjen’ për mbetjet, bashkia Shijak apo Partia e Lirisë?

Kush po ‘gënjen’ për mbetjet, bashkia Shijak apo Partia e Lirisë?

Deklarata e deputetit të PL, Petrit Vasili mbi menaxhimin e mbetjeve në Bashkinë Shijak, nxiti Faktojen të verifikojë nëse kjo Bashki ka bërë ose jo pagesë për depozitimin e tyre. Nga Open Spending Albania rezulton se nuk ka pagesa të kryera, por një marrëveshje e firmosur në gusht 2021 parashikon pagesa të rregullta mujore ndaj subjektit Integrated Energy BV SPV. Sipas ekspertëve, fakti që nuk janë kryer pagesa, nuk do të thotë që Bashkia Shijak depoziton falas në Landfillin e Sharrës, duke ngritur një sërë pikëpyetjesh në lidhje me këtë çështje. Për këtë, Faktoje pret një sqarim zyrtar nga Bashkia Shijak të cilës i është drejtuar me një kërkesë për informacion.

Ilda Hoxha

 Në fillim të muajit shtator, deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili hodhi një sërë akuzash ndaj kryebashkiakut të Shijakut, Elton Arbana në lidhje me depozitimin e mbetjeve nga ky institucion.

“Tha ne i çojmë mbeturinat gratis në Tiranë në landfillin e Sharrës. Kjo është kontrata e lidhur më 23 gusht 2021 me Integrated Energy. E keni kontratën dhe ky zotëria që thotë nuk kemi paguar asnjë lek, kjo është firma e kryetarit të Bashkisë.

Thuhet se Bashkia angazhohet për të paguar 29 euro për ton pa TVSH. Këta gënjejnë në mënyrë të pacipë. Landifilli, thotë kryetari Arbana, nuk mund të pranojnë më mbetje pa tarifë dhe pa marrëveshje, megjithëse deri tanimë i ka mbuluar vetë kostot financiare. Jo vetëm që janë paguar para, por vetëm për periudhën, shtator-tetor 2021, sipas deklarimeve të vetë kompanisë së inceneratorëve për para të marra, ka marrë mbi 20 mln lekë nga Bashkia e Shijakut për këtë çështje”, deklaroi Vasili më 6 shtator.

Dy ditë pas kësaj deklarate të Vasilit, reagoi edhe kryebashkiaku i Shijakut, duke mohuar akuzat. Sipas Arbanës, Bashkia e Shijakut nuk ka paguar për depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës.

“Në përgjigje të shpifjeve të z.Vasili si i virgjër politik, ja dhe shkresa që vërtetohet nga Thesari në varësi të Ministrisë së Financave që nuk është bërë asnjë pagesë nga bashkia Shijak.

I qëndroj plotësisht deklaratës time që nuk kemi paguar asnjë qindarkë për depozitimin e mbetjeve të bashkisë së Shijakut në landfillin e Sharrës. Ashtu siç ju premtova që aty ku nuk na degjohet zëri na shikohet puna”, shkroi në Facebook kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana më 8 shtator.  

Screenshot postimi i kryebashkiakut të Shijakut, 8 shtator 2022

Krahas postimit, ai publikoi edhe shkresën, ku sipas tij vërtetohej se nuk kishte paguar për depozitimin e mbetjeve në Zonën e Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë (Landfilli i Sharrës).

Screenshot shkresa e publikuar nga kryebashkiaku Elton Arbana

Por, si qëndron e vërteta mbi deklaratat e bëra nga zyrtarët në lidhje me çështjen e depozitimit të mbetjeve nga Bashkia e Shijakut?

Ekspertë të Faktoje bëjnë një analizë të fakteve për çështjen në fjalë, ku ashtu siç thotë deputeti i PL-së, Vasili ekziston një akt-marrëveshje me afat 5-vjeçar e cila parashikon pagesën e tarifës së depozitimi 29 euro për ton-mbetje pa TVSH. Kjo vërtetohet nga publikimi i akt-marrëveshjes nga Partia e Lirisë, por edhe nga mbledhja e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Shijak, të mbajtur në datën 6 gusht 2021. Në këtë mbledhje është miratuar nga Këshilli Bashkiak akt-marrëveshja me landfillin e Tiranës, ku përcaktohen qartë nga relatimi i bërë prej drejtuesve të Bashkisë Shijak, edhe detyrimet në zbatim të kësaj akt-marrëveshjeje.

Nga ana tjetër, Partia e Lirisë përmes dokumentave të publikuara tregon  ekzistencën e faturimeve në zbatim të akt-marrëveshjes. Por, Bashkia Shijak konfirmon se nuk janë bërë pagesa nga ky institucion për depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës.

Nga një verifikim që Faktoje bëri referuar pagesave nga thesari për subjektin ‘Integrated Energy BV SPV’ në Open Spending Albania rezulton se ende nuk ka pagesa nga Bashkia Shijak, ashtu sikurse konfirmon edhe kryetari i Bashkisë Elton Arbana. Mirëpo, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 6 gusht, përveç miratimit të akt-marrëveshjes, është miratuar edhe përdorimi i fondit të kontigjencës për përballimin e shpenzimeve për depozitimin në landfillin e Sharrës për vitin 2021, me një vlerë prej mbi 3.4 milionë lekë në muaj.

Screenshot nga marreveshja për depozimin e mbetjeve nga Bashkia Shijak në Landfillin e Sharrës

 

“Mosekzistenca e pagesave nuk do të thotë detyrimisht që ata depozitojnë falas, në kushtet e ekzistencës se një akt-marrëveshjeje me çmim 29 euro për ton. Mund të jetë edhe që janë krijuar detyrime ose të prapambetura, pra faturat mund të jenë lëshuar, por ende nuk është bërë pagesa, ose mund të ketë pasur një amendim të marrëveshjes që ne nuk e dimë, për të pasur një depozitim falas, siç ka qenë për një periudhë të shkurtër kohore”, sqarojnë ekspertë të ekonomisë për Faktoje.

Një tjetër element që vihet re nga akt-marrëveshja e publikuar nga Partia e Lirirsë është fakti që ajo i referohet dhe del në zbatim të kontratës koncensionare të landifillit të Tiranës, duke iu referuar paragrafit 9.15 të kësaj kontrate.

Screenshot nga kontrata koncesionare e Tiranës

“Është e paqartë nëse për miratimin e kësaj akt-marrëveshjeje është zhvilluar procedurë prokurimi dhe nëse kjo gjë ka shkaktuar pastaj edhe problematika në lidhje me zbatimin e saj. Për analogji, Bashkia Durrës ka zhvilluar, qoftë edhe formalisht një procedurë prokurimi për depozitmin e mbetjeve, nga e cila ka rezultuar fitues landfilli i Sharrës. Është e paqartë pse këto dy bashki kanë vepruar në mënyra të ndryshme për të arritur në marrëveshje me landifllin e Sharrës”, argumetojnë ekspertët.

Për këtë arsye, Faktoje ka dërguar një listë të detajuar me pyetje ndaj Bashkisë së Shijakut në lidhje më çështjen e depozitimit të mbetjeve dhe jemi në pritje të një përgjigjeje duke zbatuar afatet për ligjin për të drejtën e Informimit.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Shijak, 19 shtator 2022

 

Ping pongu me depozitimin e mbetjeve të Shijakut

Në gusht të vitit 2021, Faktoje raportoi se kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana kishte deklaruar se mbetjet depozitoheshin në landfillin e Sharrës, mirëpo përfaqësuesit e landfillit e mohuan këtë.

Në fillim të muajit gusht 2021, Këshilli Bashkiak i Shijakut kishte miratuar në një mbledhje urgjente akt-marrëveshjen për depozitimin e mbetjeve në Sharrë dhe financimin nga qeveria për përpunimin e tyre.

Në një tjetër artikull të muajit gusht 2021, Faktoje ngrinte shqetësimin në lidhje me  situatën e plehrave në Shijak, të cilat kishin mbushur rrugët.

Mbetjet në Shijak, 22 gusht 2021

Në muajin tetor 2021 ne raportuam se Bashkia konfirmonte se që prej mbylljes së Porto Romanos, mbetjet janë depozituar në Sharrë, por autoritetet e Landfillit e mohonin një fakt të tillë. Vetëm në përgjigjen e fundit në shtator 2021, ky landfill pranonte se mbetjet e Shijakut ishin pranuar pa tarifë depozitimi pranë Z.T.M.T (Zonës së Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë) përgjatë vitit 2021 për një periudhë 3-mujore.

 

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img