Në fushatën elektorale të vitit 2015, kryebashkiaku i Fierit u zotua para qytetareve se do të vendoseshin impiante për filtrimin e ujërave. Gjanica do t’i shpëtonte ndotjes më në fund. Por pas shpalljes së këtij projekti madhor dhe demostrimit të aparaturave të kompanisë Recovered Earth Albania , gjithçka përfundoi. Bashkia deklaron se kompania tërhoqi aparaturat, por nuk jep ndonjë sqarim nëse kishin ose jo një marrëveshje me këtë kompani dhe çfarë pritej prej saj.
—
Kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi premtoi në fushatën elektorale të vitit 2015 se do të ndërtoheshin impiante për filtrimin e ujërave.
“Do të ndërtohen impiante për pastrimin e të gjitha ujërave që derdhen në det, në territorin e bashkisë”- tha Subashi.
Më 20 janar të vitit 2018, Armando Subashi lajmëroi fillimin e filtrimit të ujërave, përmes projektit “Recovered Earth Gjanica”.
“Me pak fjalë i gjithë ky projekt konsiston në pastrimin e gjithë ujërave të lumit Gjanica”- tha ai.
Kryebashkiaku Armando Subashi nga prezantimi i projektit/ Screenshot nga RTSH
Sipas kompanisë, në të gjithë gjatësinë e lumit Gjanica, duke filluar nga Mallakastra e deri në grykëderdhje të lumit Seman, ishin identifikuar 21 pika problematike dhe që shkaktonin ndotjen.
Disa muaj më vonë, në 24 prill të vitit 2018, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ishte në Fier tek kompania “Recovered Earth Gjanica” bashkë me kryebashkiakun Subashi nga ku tha se çdo kompani që derdh mbetje në lumin Gjanica duhet të kishte një impiant të vetin për pastrimin e ujërave.
“Deri në datën 1 qershor të gjitha subjektet që shkarkojnë ujërat e zeza apo të ndotura në lumenjtë dhe detet shqiptare, duhet të kenë vendosur impiantet e pastrimit. Pas kësaj date, asnjë biznes që nuk plotëson kushtet nuk do të lejohet të ushtrojë aktivitetin”- tha Klosi.
Ministri Klosi dhe kryebashkiaku Subashi tek impianti i filtrimit
Vendi ku kompania vendosi aparaturat në 2018/ Screenshot nga FB
Gjatë vizitës së ministrit Klosi në impiantin e kompanisë u bë edhe një demonstrim i pastrimit të ujit të Gjanicës.
Faktoje shkoi së fundmi në Fier në zonën e ish-Azotikut, aty ku u bë para dy vitesh demonstrimi i filtrimit të ujit të Gjanicës dhe ajo çfarë gjeti ishte vetëm ky shesh betoni.
Para disa muajsh, Faktoje e kishte pyetur Bashkinë Fier për impiantet e pastrimit të ujërave. Përgjigja e bashkisë asokohe ishte se kompania i ka tërhequr aparaturat filtruese.
Përgjigja e plotë e bashkisë:
Në vitin 2018 kompania Recovered Earth Albania është vetofruar në Bashkinë Fier me pretendimin se dispononte teknologjinë e nevojshme për pastrimin e ujërave të lumit Gjanica. Kompania me iniciativën dhe kontributin e saj evidentoi pikat më të ndotura përgjatë lumit Gjanica dhe instaloi me konsensusin e bashkisë Fier aparaturat e filtrimit në zonën pranë ish AZOTIK-ut, ku u bë edhe demonstrimi. Nga ana e Bashkisë dhe Kryetarit të saj ky demonstrim u pa me shumë interes pasi është një shqetësim evident. Gjithcka e kryer ishte një kërkesë e kompanisë RECOVERED EARTH ALBANIA për të prezantuar aparaturat dhe rezultatin e tyre në pastrimin e ujit të lumit dhe nuk ka patur asnjë investim, apo projekt të përbashkët në lidhje me të. Pas përfundimit të këtij demonstrimi kompania i tërhoqi përsëri aparaturat. Pas këtij momenti Bashkia Fier nuk ka asnjë informacion në lidhje me to.”
Faktoje e pyeti përsëri në vjeshtë të këtij viti Bashkinë Fier për premtimin e impianteve të pastrimit të ujit dhe ky institucion tha se nuk ka ndonjë projekt për ndërtim impiantesh për pastrimin e ujërave që derdhen në det në territorin e Bashkisë Fier.
“Për më tepër ndërtimi i impianteve të tilla nuk është në funksionet e parshikuara në Ligj për organet e vetëqeverisjes Vendore”, tha ndër të tjera bashkia.
Ndotja e ujërave mbetet problem në Bashkinë e Fierit, edhe sot, pavarësisht të gjitha zotimeve, nga bashkia dhe qeveria për ndaljen e saj.
Lumi i Gjanicës është më i ndoturi në vend.
Gjanica është një degë e lumit Seman me ndotjen më të rëndë në të gjithë Shqipërinë.
Lumi ndotet nga mbetje me origjinë nafte dhe nënprodukte të saj nga zona naftë- nxjerrëse e Patos-Marinzës dhe Uzinës së Përpunimit të Naftës në Ballsh.
Lumi gjarpëron përmes qytetit të Fierit, dhe sikur të mos mjaftonte, në të shkarkohen edhe mbetje urbane.
Faktoje ka raportuar edhe më para se pavarësisht rehabilitimit të fasadës së lumit Gjanica që kalon në qytet, dhe pastrimit të mbetjeve urbane të grumblluara prej vitesh, problem më i madh mbetet ndotja e pandalshme nga industria naftë-nxjerrëse që operon në zonë.