.

.

BallinaTë pambajturaVetëm 2 banesa të përfunduara në Shijak, nga 50 që premtoi kryebashkiaku Arbana

Vetëm 2 banesa të përfunduara në Shijak, nga 50 që premtoi kryebashkiaku Arbana

EDIT NIKOLLI

Kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana me anë të një statusi në Facebook deklaroi se brenda tetorit do të ishin gati 50 banesa individuale, ndërsa brenda nëntorit 100 të tilla, nga procesi i rindërtimit, që nisi pas tërmetit të 26 nëntorit. Por nga përgjigja zyrtare e bashkisë Shijak dhe vëzhgimi në terren në javën e dytë të nëntorit, Faktoje konstatoi se vetëm 2 prej tyre janë përfunduar.


Me 14 tetor, Kryetari i Bashkisë së Shijakut, pas një inspektimi me kryeministrin Rama për ecurinë e procesit të rindërtimi të shtëpive individuale në Shijak u zotua se brenda tetorit do jenë gati 50 shtëpi individuale.

                                       Statusi i Kryetarit të Bashkisë Shijak

Në ditët e para të nëntorit, “Faktoje” iu drejtua me anë të një kërkese për informacion Bashkisë Shijak, të cilën e pyeti se sa shtëpi individuale kanë përfunduar së ndërtuari në territorin e kësaj bashkie.

                                         Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Shijak

Në përgjigjen e këtij institucioni thuhet:

Në Bashkinë Shijak vijon çdo ditë puna për procesin e rindërtimit të banesave individuale të klasifikuara si të pabanuara nga termeti i 26 nëntorit. Deri më tani, në njësinë Administrative Maminas, fshati Rubjekë kanë përfunduar dy banesa individuale të zonjave B.XH dhe GJ.D të cilave u janë dorëzuar çelësat. Gjithashtu banesa e H.Z pritet të përfundoje gjatë kësaj jave. Në njësinë Administrative Gjepalaj pritet që gjatë këtyre ditëve të përfundojnë së rindërtuari 2 banesa individuale, ndërsa në njësinë Administrative Xhafzotaj, janë thuajse në proces përfundimi 5 banesa individuale.

                                                                        Përgjigje e Bashkisë Shijak

Pas kësaj përgjigjeje, “Faktoje” më 9 nëntor shkoi të vëzhgonte në terren procesin e rindërtimit, për të cilin vijojnë të shkelen afatet e premtuara. Fillimisht ndaluam pranë njësisë administrative Gjepalë, ku kryebashkiaku Arbana kishte deklaruar më herët se një ndër shtëpitë që do përfundonin brenda tetorit ishte ajo e Ali Laçit dhe Shyqyri Callikut.

                                            Shtëpia në proces rindërtimi e Ali Laçit, 9 nëntor 2020

Shtëpia e zotit Ali Laçi, jo vetëm që nuk kishte përfunduar, por mbetej ende shumë punë për t’u konsideruar e rindërtuar dhe e banueshme.

“Familja ime  përbëhet nga gjashtë persona, aktualisht po jetojmë në shtëpinë e kunatës dhe po presim shtëpine e re, na kanë thënë se do përfundojë në fund të nëntorit, nuk kemi marrë bonus qiraje, sepse kemi vonuar dokumentacionet, ishte faji ynë”.-shprehet i zoti i shtëpisë

Gjatë rrugës “Faktoje” takoi inspektorin e punimeve, i cili na konfirmoi se në këtë njësi nuk ka përfunduar asnjë shtëpi individuale. Ai na siguroi se pas kësaj jave përfundojnë 3 banesa nga 110 që po rindërtohen në njësinë Gjepalë.

“Faktoje” ka  verifikuar edhe më herët premtimet për rindërtimin e banesave, ku ka konstatuar zvarritje të punimeve, edhe pse vendosen dhe premtohen afate për përfundimin e tyre.

Në Bashkinë Shijak raportohet se po rindërtohen 567 banesa individuale dhe paralelisht po punohet edhe tek njësitë Administative Xhafzotaj, Maminas, Gjepalaj.

Nga verifikimi i kryer në terren, dhe përgjigjja zyrtare e Bashkisë Shijak, vendosëm që deklaratën e kryebashkiakut për rindërtimin e 50 banesave brenda tetorit, ta kategorizojmë si premtim të pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img