BallinaFaktometerE PavërtetëProjekti Milot-Fier, fituesi nuk është shpallur pas skadimit të 2 afateve

Projekti Milot-Fier, fituesi nuk është shpallur pas skadimit të 2 afateve

Gara ndërkombëtare për aksin rrugor Milot-Fier, pasi u shty dy herë, ende nuk ka “prodhuar” një fitues. Kryeministri Edi Rama kishte deklaruar se fituesi do shpallej më 28 tetor, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e shtyu afatin për datën 9 nëntor. Edhe në përfundim të këtij afati, fituesi i garës ndërkombëtare për aksin Milot-Fier, ende nuk është shpallur, duke zvarritur zbatimin e projektit.


Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës për shtyp me temë “Ekonomia në fokus”, më 21 tetor, lajmëroi se fituesi i garës ndërkombëtare për zhvillimin e projektit koncesionar Milot-Fier do shpalljes më 28 tetor.

… sot themi që në 28 tetor do të dimë fituesin e garës ndërkombëtare për aksin Milot-Fier, është një aks për të cilin është bërë një studim nga WBIF (Western Balkans Investment Fund) për rajonin dhe për të cilin është punuar me intensitet të madh prej një kohe të konsiderueshme – u shpreh Rama.

Ndryshe nga sa ishte lajmëruar, gara për dhënien me koncesion (Partneritet Publik Privat) për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë-Kashar-Luzi i Vogël-Fier, u shty për datën 9 nëntor 2020.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me synim nxitjen e konkurrencës mbështetur në parimet e transparencës, mosdiskriminimit, proporcionalitetit, efikasitetit, trajtimit të barabartë, si dhe duke qenë se Autoriteti Kontraktor në çdo kohë, para afatit të dorëzimit të ofertave mund të ndryshojë dokumentat e procedurës, për saktësi dhe transparencë për përgatitjen e dokumentave dhe qartësinë e operatoreve, vlerëson nevojën e shtyrjes së afatit të dorëzimit të ofertave për Milot-Fierargumenton MIE.

Në dokumentin ku argumentohet edhe shtyrja e afatit të dorëzimit të ofertave për ndërtimin e aksit Milot-Fier, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar edhe disa ndryshime që lidhen kryesisht me gjatësinë e urave, vëllimin e punimeve me beton, punimet me shtresa asfalti etj.

9 nëntori ka kaluar, por Agjencia e Prokurimit Publik apo Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk kanë publikuar asnjë të dhënë mbi rezultatet e garës së rihapur.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e hapi procedurën për rrugën Milot -Fier në muajin korrik të këtij viti. Sipas dokumenteve, qeveria angazhohet të garantojë maksimalisht 121 milionë euro për koncesionarin për 17 vitet e para të operimit, nga viti 2024 që parashikohet të jetë viti i parë, deri në vitin 2040, teksa të ardhurat bazë përgjatë kësaj periudhe janë vlerësuar 1.7 miliardë euro.

Koncesisoni ka një afat 35 vjeçar, por trafiku do të garantohet për më pak se gjysmën e viteve të operimit. Kjo është garancia maksimale që ka vlerësuar qeveria në dokumentet e saj dhe si kriter përzgjedhës për operatorin do të funksionojë skema se kush do kërkojë më pak garanci nga shteti. Sipas të dhënave nga MIE, në vitin e parë të operimit të ardhurat bazë të vlerësuara nga shteti janë 60 milionë euro dhe garancia maksimale nga shteti është 4.2 milionë euro. Në vitin e dytë 2025 të ardhurat e parashikuara janë 62.6 dhe maksimumi që mund të garantojë shteti janë 4.3 milionë euro.

Lidhur me kostot për aksin Milot-Fier, ekspertë të ekonomisë argumentuan më herët për “Faktojen” se vlera e projektit është e fryrë dhe pavarësisht zotimeve, shteti do të shpenzojë për këtë.

Përveç shtyrjes së dorëzimit të ofertave për aksin Milot-Fier, një sërë prokurimesh me vlera në miliarda lekë për ndërtim rrugësh të reja që u hapën në mesin e muajit tetor nga ARRSH, rezultojnë të jenë pezulluar, sipas të dhënave nga Agjencia e Prokurimit Publik.

Deklaratën e kryeministrit Edi Rama se në datë 28 tetor do shpallej fituesi për zhvillimin e koncesionit të ndërtimit të aksit rrugor Milot-Fier, pas tejkalimit të 2 afateve dhe konfirmimit në burimet zyrtare, do ta kategorizojmë si “Të pavërtetë”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img