BallinaFaktometerE vërtetëCOVID-19 rrit “legalizimin” e punëtorëve sezonal me Greqinë

COVID-19 rrit “legalizimin” e punëtorëve sezonal me Greqinë

ANXHELA RUÇI

Punëtorët sezonalë kanë nisur të udhëtojnë drejt Greqisë të organizuar në autobusë, pas aplikimit online. Këtë vit, ata duhet të testohen paraprakisht për Covid -19 me shpenzimet e punëdhënësit në Greqi, ndërkohë që duhet të respektojnë masat parandaluese të përhapjes së virusit. Kontrata e siguruar nga punëdhënësi është kriteri kryesor që çdo punëtor duhet të plotësojë përpara kalimit të pikës kufitare.

—————————————————————————————————————————————–

Me shfaqen e koronavirusit në Shqipëri, një nga masat e qeverisë për kufizimin e lëvizjes ishte edhe mbyllja e kufijve. Që nga muaji mars e deri më sot kufijtë vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllur dhe parashikohet që hapja e atyre tokësorë me vendet fqinje të bëhet së shpejti.

Në një bashkëbisedim me qytetarët, në rrjetin e tij social facebook, kryeministri Edi Rama, premtoi që në mesin e muajt maj do të hapen kufijtë me Greqinë për punonjësit sezonalë.

Nga verifikimet që “Faktoje” ka bërë, rezulton se të enjten e 14 majit nëpërmjet pikës Kufitare të Kakavijës, kanë kaluar autobusët e parë me punonjës sezonalë. Sipas burimeve në këtë pikë kanë kaluar tre autobusë, me 20-25 punëtorë secili, të cilët kanë qenë të pajisur me kontratë pune si një nga kushtet thelbësore për të udhëtuar në shtetin helen.

Kompania që kryen transportin e punonjësve, na tregoi se udhëtimet do të vazhdojnë edhe ditët në vijim pasi aplikimet janë të shumta.  Për të lejuar kalimin në pikën kufitare, punëtorët duhet të jenë të pajisur me kontratën nga punëdhënësi dhe në respektim të masave parndaluese për përhapjen e Covid-19, ruajtja e higjienes, ruajtja e distancës dhe pajisja me maska dhe dorashka.

Të gjithë të interesuarit për punë sezonale në Greqi, mund të aplikojnë në portalin punenegreqi.gr. Sipas këtij portali, i cili merret me organizmin e punonjësve sezonalë, në Greqi mund të shkojnë jo vetëm punëtorët që kanë punuar edhe vitet e tjera në bujqësi, por edhe punëtorë që janë aplikantë për herë të parë.

Formular aplikimi per punë sezonale në Greqi

Kostot e udhëtimit, kontratës, ftesës dhe testin e COVID-19 i cili parashikohet të kryhet sapo hyn në shtetin grek, do t’i paguajë punëmarrësi,  shumë që është rreth 200 euro.

Miri. D 32 vjeç është një nga punonjësit e rregullt sezonal në shtetin fqinj. Vitet e kaluara, gjatë muajve të verës ai së bashku me vëllanë kanë punuar në fshatin Gorgop, në qytetin e Kilkis. Gjatë kësaj periudhe janë marrë me punë të ndryshme bujqësore, që nga vjelia e qershive deri tek krastija e rrushit.Paga e tyre ditore shkonte 30 euro dhe fjetja ishte e siguruara nga punëdhënësi.

Këtë vit Miri nuk ka ikur ende në Greqi për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi dhe mbylljes së kufijve. Kontaktet me pronarin e dikurshëm i ka humbur dhe shpresa e vetme është aplikimi në faqen e internetit dhe sigurimi i një kontrate pune.

Ai ka aplikuar në portalin e vënë në dispozicion dhe është në pritje të një përgjigjeje. Këtë vit, ndryshe nga herët e tjera 32 vjeçari ka aplikuar së bashku me të fejuarën për punë në shtetin helen.

Në këtë periudhë të vitit, kur bëhet vjelja e disa pemë frutore, shteti grek ka nevojë për punëtorë sezonalë, shumica e të cilëve, rreth 10 mijë persona janë nga Shqipëria.

Për shkak të situatës që solli pandemia COVID-19, kjo ndoshta është hera e parë që të gjithë punëtorët sezonalë po punojnë me një kontratë pune, çka tregon një formalizim të tregut në kohë pandemie. Më herët shumë punëtorë nuk kanë deklaruar se po kalojnë kufirin për të punuar në tokat e shtetit fqinj.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img