BallinaFaktometerE vërtetëSa bashki po ndosin lumin e Vjosës?  

Sa bashki po ndosin lumin e Vjosës?  

Vjosa, pagëzuar si lumi i vetëm i egër i Europës, tashmë edhe Park Kombëtar, është venddepozitim i ujërave të ndotura nga bashkitë. 7 bashkitë që konfirmohen si ndotëset e lumit nuk disponojnë sistemet e filtrimit, pasi kostoja e tyre  llogaritet mbi 20-30 fish i buxhetit lokal. Ndërkohë ekspertët paralajmërojnë se shkarkimi në Vjosë i ujërave të patrajtuara rrezikon florën dhe faunën. Shpresat për zgjidhjen e situatës janë tek projekti ende i pafinalizuar, që pritet të realizohet me një hua prej 80 milionë eurosh të Bankës Botërore.

“S’flasim dot për Vjosën si mbretëreshën e lumenjve të Evropës, ndërkohë që sot derdhen 7 bashki në të si mungesë e këtij investimi”, deklaroi ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro , në janar të këtij viti.

Falë mbështetjes së madhe për Vjosën, brenda dhe jashtë kufijve të vendit, në muajin mars, sipas një vendimi të qeverisë, lumi i egër i Europës u shpall Park Kombëtar, kategoria më e lartë e mbrojtjes.

Pas këtij vendimi, vëmendja ndaj Vjosës ishte edhe më e madhe, pasi më 15 mars, kryeministri Edi Rama deklaroi nga Tepelena se janë 80 milionë dollarë që do të vendosen në dispozicion të Parkut Kombëtar të Vjosës, për të shmangur derdhjen e ujërave të zeza të bashkive në këtë lumë.

Ne udhëtuam në Tepelenë më 6 korrik, për të parë nga afër situatën në Vjosë nga derdhja e ujërave të ndotura. Përgjatë Vjosës në qendër të Tepelenës dallohej qartë ndotja, ndonëse në momentin e verifikimit lumi ishte turbulluar edhe për shkak të reshjeve të shiut.

Lumi Vjosa, 6 korrik 2023

Zëdhënësi i Bashkisë Tepelenë, Aleksandër Toti, në një intervistë për Faktojen pranon se ndotja e Vjosës është problem, pasi në qytet mungon sistemi për trajtimin e ujërave të përdorura.

“Me statusin e ri të Vjosës, Park Kombëtar, një nga problemet më evidente, prioritare për sa i përket çështjes së ndotjes mjedisore, ose të kujdesit mjedisor mbetet pa diskutim edhe ndotja e Vjosës.

Tepelena, që nga krijimi i saj si qytet dhe deri më sot që flasim, derdhjet e ujërave të zeza i ka bërë në Vjosë. Nuk ka pasur asnjëherë ndonjë sistem, i cili trajton ujërat e ndotura.”, sqaron Toti.

Lumi Vjosa, 6 korrik 2023

Më tej, Toti bën të ditur se është zhvilluar një takim edhe me përfaqësues të Bankës Botërore:  

“Ne kemi bërë një takim me Bankën Botërore vitin e kaluar, e cila është shprehur e gatshme për të miratuar një hua që do të mbështesë financiarisht trajtimin e ujërave të ndotura për sa i përket Vjosës. Në dijeninë time ka për të qenë një projekt që përfshin 7 bashki, që nga hyrja që Vjosa bën në Çarshovë ku bashkohet me Sarandaporos dhe përgjatë gjithë shtrirjes së saj do të ketë një ndërhyrje me vlerë të folur 80 milionë euro në total.

Takimi ynë, midis Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit dhe bashkive zhvilluar në janar të këtij në Bashkinë e Përmetit, ku është diskutuar normalisht edhe me përfaqësues të Bankës Botërore, gjithë kjo situatë e Vjosës. Di që është firmosur marrëveshja me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe Bankën Botërore për ta financuar këtë projekt”, sqaron ai.

Aleksandër Toti, zëdhënës Bashkia e Tepelenës

Përfaqësuesi i Bashkisë shprehet se pavarësisht problemit shumë të dukshëm, Bashkia e Tepelenës nuk ka pasur asnjë mundësi për të marrë masa kundwr ndotjes.

“Është e pamundur, pasi kërkon një investim që kap një vlerë shumë të lartë, Është gati 20-fish ose 30-fish i të ardhurave vjetore totale të Bahkisë Tepelenë në raport me atë që kërkohet të investohet për ta zgjidhur çështjen”, thotë Toti.

Çfarë thonë institucionet shqiptare dhe Banka Botërore

Por, si është situata aktualisht me bashkitë që derdhin ujërat e ndotura në Vjosë? Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Turizmit dhe Mjedsit, ku ndër të tjera e pyetëm se cilat bashki derdhin ujërat e ndotura në lumin Vjosë.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, 29 maj 2023

Përgjigjen e morëm nga Agjencia Kombëtare Ujësjellës-Kanalizime dhe Mbetjeve te Ngurta (AKUM), që konfirmon:

“Qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit ka përgatitur një thirrje drejtuar Bankës Botërore për të marrë një kredi (hua) “Care for Blue Sea project“ , e cila ndër të tjera ka si qëllim ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve bashkë me impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura për qytetet e Përmetit, Libohovës, Këlcyrës, Tepelenës, Memaliajt, Gjirokastrës dhe Selenicës, i cili do të bëjë të mundur eleminimin e shkarkimeve të ujërave të ndotura urbane të patrajtuara përgjatë rrjedhës së lumit Vjosë.

Momentalisht ky projekt është në fazën e negociimit midis Bankës Botërore dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe pritet të finalizohet brenda 6-mujorit të dytë të vitit 2023”, bën të ditur AKUM.“

Në lidhje me këtë çështje, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion 7 bashkive, por vetëm ajo e Tepelenës dhe Memaliajt u përgjigjën.

„Nuk është marrë asnjë masë nga Bashkia për derdhjet e ujërave të ndotura në lumin Vjosa. Ujërat e ndotura derdhen prej shumë vitesh në Vjosë. Projekt aktualisht nuk ka, por shpresojmë meqenëse u shpall Vjosa Park Kombëtar, të kemi projekte me organizata të ndryshme për këtë problem”-thuhet në përgjigjen zyrtare të bashkisë Memaliaj.

Ndërkohë në një përgjigje zyrtare për Faktoje, Banka Botërore konfirmon se është në fazë negociatash me qeverinë për këtë çështje.

“Projektet e financuara nga Banka Botërore kalojnë në disa faza dhe çelja e fondeve lidhet me fillimin e zbatimit të projektit. Pasi projekti negociohet, ai aprovohet nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore dhe me pas aprovohet edhe nga Parlamenti shqiptar që i hap rrugë zbatimit të tij.  

Përgatitja e projektit është paraprirë nga studime të ndryshme, një prej tyre është Potencialet e Ekonomisë blu në Shqipëri. Studime të tjera specifike janë ende në fazën fillestare”, argumeton Banka Botërore, në përgjigjen e dërguar më 3 korrik.

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për ndotjen e Vjosës. Zyrtarisht AKM sqaron: “„Nga verfikimi i sektorit të VNM-së, në databazën e vendimeve, nuk rezulton  asnjë subjekt i pajisur me vendim VNM praprake apo të thelluar për kryerjen e aktvitetit për impiantet e trajtimit të ujërave urbane në territorin në të cilin shtrihet lumi i Vjosës. Gjithashtu nga Sektori i Lejeve të Mjedisit bëhet me dije nga verifikimi i kryer në Regjistrin Kombëtar të Lejeve dhe Licencave, nga i cili rezulton që asnjë subjekt nuk është i licencuar për kryerjen e aktivitetit për impiantet e trajtimit të ujërave urbane, në territorin në ë cilin shtrihet lumi i Vjosës“.

Ekspertët të shqetësuar për pasojat e ndotjes në Vjosë

Olsi Nika, biolog mjedisi dhe ekspert në vlerësimin biologjik të cilësisë së ujërave konfirmon problematikën e mprehtë, pasi asnjë prej Bashkive në luginën e Vjosës nuk i trajton ujërat e përdorura.

“Zonat rurale përgjithësisht përdorin gropat septike, por gjithsesi nuk mbulohen të gjitha njësitë e banimit dhe shërbimit. Pas shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, ka një vëmendje të shtuar të donatorëve dhe qeverisë për ta adresuar këtë problem në mënyrë përfundimtare, duke ndërtuar impiante të trajtimit të ujërave të përdorura. Një financim i Bankës Botërore mendohet të përmirësojë situatën përmes ndërtimit të këtyre impianteve”, thekson eksperti.

Sipas Nikës, shkarkimi i ujërave të patrajtuara në lumin e Vjosës shkakton edhe një sërë problemesh për sa i përket florës dhe faunës.

“Shkarkimi i ujërave të përdorura të patrajtuara në ujë, shkakton ndotjen e ujërave, uljen e cilësisë së tyre dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në faunën dhe florën e ujit”, sqaron ai.

Më tej, Nika bën të ditur se janë duke punuar së bashku me grupin e punës së IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës), Patagonia dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit për evidentimin e problematikave në Parkun Kombëtar të Vjosës, për të vlerësuar zgjidhjet më të mira të mundshme.

Lumi Vjosa, 6 korrik 2023

studimin e Fizibiliteti i publikuar nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit në dhjetor të vitit 2022, një prej problemeve që evidentohet është edhe ndotja e Vjosës.

“Parku Kombëtar gjithashtu do të përshpejtojë zgjidhjet për disa nga problemet më themelore në zonë. Tri sfidat e mëdha që duhen zgjidhur janë ndotja e ujit dhe tokës, menaxhimi i mbetjeve dhe shpyllëzimi.

Urbanizimi ushtron presion mbi burimet ujore nëpërmjet prodhimit të ujërave të ndotura, mbetjeve urbane, si dhe marrjes së ujit për mbulimin e nevojave familjare. Në këtë kontekst, këto 3 aktivitete kryesore njerëzore janë analizuar për të kuptuar efektin e tyre në ekosistemet ujore përgjatë Vjosës.

Në të 13 bashkitë pjesë e Pellgut Ujëmbledhës të Lumit Vjosa, furnizimi me ujë mbulon nevojat e rreth 82% të popullsisë, ndërsa mbulimi me trajtimin e ujërave të ndotura duket se është shumë i ulët me një mesatare prej 32% dhe asnjë bashki nuk e mbulon plotësisht zonën e juridiksionit të saj me shërbimet e trajtimit të ujërave të ndotura. Në këtë kuadër, Lumi Vjosa po vuan nga ndotja e shkaktuar nga ujërat e ndotura të patrajtuara”, thuhet ndër të tjera në këtë studim.

Lumi Vjosa, i gjatë 270 kilometra, rrjedh nga shpatet e mbuluara me pyje të maleve të Pindit të Greqisë deri në bregdetin Adriatik të Shqipërisë.

Shkencëtarët thonë se ekosistemi i Vjosës është habitati për 1.100 specie, 13 prej të cilave janë në rrezik të madh të zhdukjes. Vjosa gjithashtu ka vlerë ekologjike, kulturore dhe ekonomike për 60.000 shqiptarët që jetojnë në brigjet e saj.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img